Largohet pas 25 vitesh shërbimi baritor në Shqipëri/ Mons. George Frendo: Angazhohuni më shumë për të ndërtuar një Shqipëri më të bukur, më vëllazërore dhe më të denjë për shqiptarët!  

Intervistë Ekskluzive për Argumentum.al me Arqipeshkëvin e Tiranës e Durrësit, Mons. George Frendo

Nga Marjana Doda

“Gjithmonë e kam dashur Shqipërinë, kam dashur shumë shqiptarët. Shqiptarët më kanë dashur shumë, dhe sigurisht me shumë keqardhje do të largohem, me shumë keqardhje”, janë këto fjalët që shpreh Mons. Frendo në një intervistë ekskluzive për Argumentum.al pas më shumë se dy dekadash si meshtar në Shqipëri, fillimisht si Rregulltar Domenikan, më pas si ipeshkëv dhe Arqipeshkëv i Kishës Katolike.

“Është ligji i Kishës që kur një ipeshkëv arrin moshën 75 vjeç duhet ti paraqesë dorëheqjen e tij Papës”. Për këtë arsye, por edhe për arsye shëndetësore, Mons. Frendo ka kërkuar pranimin e  sa më shpejt të kësaj dorëheqjeje.  “Pas përurimit të Arqipeshkëvit të ri, unë do të kthehem në Maltë. Ndaj pjesën e fundit të jetës sime do ta kaloj në vendlindje dhe me vëllezërit Domenikanë, sepse do të banoj në një manastir Domenikanë”, thotë Mons. George Frendo.

Mons. George Frendo duket se ka ndjekur gjurmët e paraardhësve të tij të Urdhrit Domenikan shekuj më parë. Ndaj dhe hapja e këtij urdhri në Shqipëri në periferi të Durrësit  25 vite më parë, nuk ka qenë rastësore.

“Domenikanët kanë qenë këtu pak kohë pas vdekjes së themeluesit tonë, Shën Domeniku. Shën Domeniku vdiq në vitin 1221. Dhe në vitin 1240 Domenikanët e parë kanë ardhur këtu në Shqipëri. Kanë filluar në Durrës, pastaj në jug të Shqipërisë dhe më pas në veri në Shkodër. Kanë hapur dhe një kolegj në Durrës. Kemi patur dhe shumë ipeshkëvinj Domenikanë. Ata u larguan nga turqit pas vdekjes së Skendërbeut, pasi që Domenikanët ishin shumë afër Skendërbeut. Madje një prift Domenikan ishte dhe rrëfyes i Skënderbeut ”, rrëfen Mons. Frendo.

Pas themelimit të misionit në 1996, Vetë Mons. Frendo do të fillonte misionin e tij meshtarak në Shqipëri në  vitin e mbrapsht të 1997. Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë thotë Mons. Frendo, për mirë dhe për të keq.

“Infrastruktura rrugore ka ndryshuar për mirë, sepse më kujtohet ajo rrugë që ishte vetëm 3 km nga rruga kryesore deri në kishën tonë por ishte e tmerrshme.  Po ashtu jeta ishte shumë e varfër. Por sot  numri i të varfër është zvogëlur. Nuk ka aq shumë të varfër si në atë kohë. Megjithatë ka një pjesë të konsiderueshëm të popullsisë që ishin të varfër dhe sot janë edhe më të varfër, sepse jeta është bërë më e shtrenjtë”, thekson Mons. Frendo

Në këtë intervistë, sikundër në çdo dalje të tij mediatike, Mons. George Frendo flet veçanërisht për të rinjtë. “Varfëria më e madhe që po përjeton në këtë moment Shqipëria, është pikërisht kjo, largimi i të rinjve”, thotë Ai. Megjithatë Ai mundohet ti inkurajoje,  dhe  mesazhin e parë në këtë intervistë Mons. Frendo ua drejton  të rinjve të këtij vendi:

“Vlerësoni më shumë gjërat e bukura që keni ju në vendin tuaj. Sepse Shqipëria është një vend shumë i bukur nga pikpamja natyrore. Ka një bukuri të veçantë, por dhe një kulturë, ndaj duhet të ruani dhe të vlerësoni më shumë disa tipare. Përshembull, bashkimi i familjes. Familja shqiptare nuk është thjeshtë ajo familje nukleare që gjendet në shumë vende të europës, por është familja më e hapur “extended family”, që nuk përfshin vetëm prindërit dhe fëmijët. Gjithashtu shpirti shumë mikpritës i popullit dhe mënyra se si i trajtoni të moshuarit”.

Por ndërsa Mons. Frendo erdhi në Shqipëri pak kohë pas rënies së komunizmit, ku feja ishte e ndaluar nga regjimi i asaj kohë, tregon se i ka lënë mbresë të veçantë fakti se besimi i popullit ishte ende i gjallë.

Por pavarësisht se populli shqiptarë eshtë popull besimtar, sot rrezikon më shumë se kurrë për një paganizëm në Shqipëri, konstaton Mons. Frendo.

“Nga Perëndimi ndoshta  gjëja e parë që ka mësuar populli ishte materializmi, shekullarizmi dhe konsumizmi. Ky është ungjilli i ri i popullit. Tani fatkeqësisht besimi ka rënë përballë materializmit dhe konsumizmit. Çfarë fitojmë nga besimi, çfarë fitojmë nga kisha, çfarë fitojmë nga praktika e sakrimenteve, janë këto pikëpyetjet që në një mentalitet konsumist, besimi e humb rëndësinë”

Vlen të theksohet se Mons. Frendo me propozimin e paraardhësit e tij Mons. Rrok Mirdita ka qenë gurëthemeli i krijimit të komitetit ndërfetar në Shqipëri

“Mons. Mirdita ka kërkuar prej meje që unë të jem në komitet për të themeluar këtë komision. Dhe në fakt kam punuar edhe për statutin e KNFSH-së, Këshillit Ndërfetar, dhe Po, gëzohem që kam qenë një instrumental në krijimin e këtij këshilli ndërfetar”, shprehet Monsiniori.

Por ndërsa të gjithë ne shqiptarët i gëzohemi harmonisë fetare, Mons. George Frendo  thotë që nuk duhet të kënaqemi me kaq, andaj dhe një porosi shkon për të gjitha komunitetet fetare që të bashkëpunojmë më shumë.

“Në emrin e drejtësisë shoqërore, në mbrojtjen e të varfërve, e atyre që janë më të mënjanuar në shoqëri, dhe unë shpresoj që në të ardhmen të krijohen mënyra të reja që besimet të ndryshme këtu në Shqipëri të bashkëpunojnë më shumë”, thekson Ai.

Mons. George Frendo, ka një thirrje dhe për politikanët tanë, që  të vendosin të mirën e përbashkët para të mirës së partisë. Është një pengesë e madhe fakti se kërkojnë të mirën e partisë më shumë se të mirën e përbashkët, thotë Ai.

Përpos kësaj, porosia e veçantë e Mons. Frendos, janë të varfërit;

“Dëshiroj që politikanët të kenë më shumë parasysh të varfërit. Unë vetë kam përjetuar varfëri në jetën time, sepse babai im ka vdekur kur unë isha 10 vjeç dhe ishim shtatë fëmijë dhe prandaj kuptoj shumë mirë çdo të thotë të përjetosh varfëri. Ende ekziston varfëri në Shqipëri. Ndonëse  në krahasim të disa dekadave më parë është ulur numri i të varfërve, por ende ekzistojnë shumë të varfër që janë bërë edhe më të varfër, ndaj duhet të mendojnë për ta”.

Jemi në Kohën e Ardhjes, afër festës së Krishtlindjes, ndaj nuk mund të mungoje një mesazh për secilin prej nesh:

“ Jezusi është dhurata e Zotit për njeriun. Kur shohim Jezusin fëmije në një grazhd në një varfëri ekstreme, në këtë fëmije shohim dinjitetin e njeriut. Mesazhi im për politikanët është të angazhohen siç thashë më parë për të mirën e përbashkët, por që të krijojnë dhe një shoqëri ma morale”.

Ndërsa për popullin; “Kam patur shumë raste të flas për bashkëjetesen fetare në Shqipëri, por le të jemi më konkretë, të kërkojmë më shumë vëllazëri dhe drejtësi. Kjo nuk duhet të jetë një kërkese vetëm ndaj politikanëve por dhe nga secili prej nesh”, janë këto mesazhet dhe porositë  e Mons. George Frendo për popullin shqiptarë, politikanët dhe Kishën Katolike.

Intervista e plotë:

-Në radhë të parë faleminderit Imzot Frendo për mundësinë për të zhvilluar këtë intervistë e cila është domethënëse pas disa zhvillimeve te reja në Ardioqezën Tiranë-Durrës. Në përvjetorin e pesëmbëdhjetë të shugurimit ipeshkëv dhe pas 5 vitesh si Arqipeshkëv ju lajmëruat dorëheqjen dhe më pas largimin nga Shqipëria. Përse ky vendim Imzot Frendo?

Së pari është ligji i kishës. Kur një ipeshkëv arrin moshën 75 vjeç duhet ta paraqesë dorëheqjen e tij Papës, Atit të shenjtë. Atëherë ashtu kam bërë.  Për mua ishte një periudhe shumë e keqe sepse kalova Covidin një vit më parë dhe ende ndjeja pasojat e covidit, dhe ndaj i shkrova Papës, dhe i thashë; Ju lutem pranojeni sa më shpejt këtë dorëheqje.

Dorëheqja erdhi jo dhe aq shpejt, sepse në fakt erdhi në Nëntor, ndërsa  është shpallur botërisht më 30 Nëntor.

Përpos kësaj kisha menduar shumë pastaj, çfarë do të bëj kur të mbarojë  misioni im si Arqipeshkëv?! Kam reflektuar shumë sepse të them të vërtetën unë gjithmonë e kam dashur Shqipërinë, kam dashur shumë shqiptarët. Shqiptarët më kanë dashur shumë, dhe sigurisht me shumë keqardhje do të largohem, me shumë keqardhje.

Megjithatë, kam menduar pjesën e fundit të jetës sime. Në prill do të jem 76 vjeç. Ndaj pjesen e fundit të jetës sime do ta kaloj në vendlindje dhe me vëllezërit Domenikanë, sepse do të banoj në një manastir Domenikanë . Është për këtë arsye pse kam marrë këtë vendim. Pas përurimit të Arqipeshkëvit të ri, unë do të kthehem në Maltë.

-Ndonëse e filluam këtë bisedë me përfundimin e misionit tuaj  në Shqipëri, une do doja të kthehemi pas në kohë. Ju numëroni 52 vite si  meshtar,  25 prej të cilave  i keni  kaluar në Shqipëri. Si e kujtoni ardhjen tuaj të parë në këtë vend dhe  çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje tek shqiptaret ?

Po! Une isha epror i Meshtarëve Domenikanë kur erdhi një ftesë nga eprori gjeneral i Domenikanëve. Një ftesë që të hapim një mision këtu në Shqipëri. Dhe bashkë me këshillin tim kemi reflektuar shumë. Nuk kemi shumë thirrje për jetën meshtarake, nuk kishim në atë kohë e nuk kemi ende. Megjithatë une kam nxitur të tregojmë besimin tonë. Zotin e Historisë. Ka ardhur kjo mundësi që të fillojmë një mision si Domenikanë në një vend që ka shumë nevoje për misionarë, për meshtare. Atëhere pas shumë reflektimeve, në vitin 1995 unë me këshillin tim kemi pranuar që të hapim një mision në Shqipëri. Dhe në fakt erdhëm këtu një vit më pas, në vitin 1996. Deri në atë kohë une isha ende provincial, atëhere ka ardhur vëllau im Padër Gjon, por pas 8 viteve pasi kam mbaruar afatin tim si provincial atëhere erdha në Shqipëri. Duhet të them se kisha shumë entuziasëm që të hapja këtë mision në Shqipëri pasi që kisha vënë re  se Domenikanët kishin qenë këtu pak kohë pas vdekjes së themeluesit tonë, Shën Domeniku. Shën Domeniku vdiq në vitin 1221. Dhe në vitin 1240 Domenikanët e parë kanë ardhur këtu në Shqipëri, dhe këtu duket se kishin një numër mjaft të madh, sepse kanë qenë të pranishëm. Kanë filluar në Durrës, pastaj në jug të Shqipërisë dhe më pas në veri në Shkodër. Kanë hapur dhe një kolegj në Durrës. Kemi patur dhe shumë ipeshkëvinj Domenikanë.

2 Prill, 1969.-Shugurimi prift i George Frendo në moshën 23 vjeçare

Pse janë larguar nga Shqipëria?

Pas vdekjes së Skendërbeut, turqit i kanë dëbuar nga Shqipëria pasi që Domenikanët ishin shumë afër Skendërbeut. Një Domenikan  ishte dhe rrëfyes i Skendërbeut!

Atëherë pas disa shekujsh jemi rikthyer në Shqipëri. Jemi stabilizuar fillimisht në Sukth, një fshat afër Durrësit në vitin 1996, por pastaj pasi në periferinë e Durrësit në atë që quhej zona e ish-kenetës, kishin ardhur shumë shqiptare nga veriu, veçanërisht nga Mirdita. Atëherë Arqipeshkëvi i asaj kohe Mons. Rrok Mirdita ka kuptuar se ishte shumë e dobishme që atje në atë zonë të ndërtohet një kishë. Dhe atëherë më ka pyetur mua si eprori atje në Sukth dhe si famullitar të transferohemi në Durrës, dhe kemi pranuar. Atje kemi ndërtuar Kishën dhe shtëpinë tonë. Menjëherë kemi filluar punën tonë pasi të ardhurit nga Mirdita quheshin katolike, por në fakt nuk ishin katolike sepse as nuk ishin pagëzuar.

Kemi filluar me katekizëm, kemi pasur veçanërisht në dy vitet e para shumë pagëzime dhe kështu sot është rritur shumë ajo famulli dhe është shumë aktive.

Kur jam bërë ipeshkëv ndihmës, rregulli është që një ipeshkëv ndihmës merr dhe një ish-dioqeze që nuk ekziston më si seli titullare, apo  si dioqeze titullare, dhe më kanë dhënë dioqezen e Butrintit. Pse? Sepse në Shek.14, pra para vdekjes së Skendërbeut kur Domenikanët ende ishin këtu, atje në Butrint kanë qenë 2 ipeshkëvinj Domenikanë. Ka qenë dhe një Domenikan shqiptarë që është dërguar si ipeshkëv në Skoci. Kjo tregon në fakt se prania e Domenikanëve në Shqipëri ishte shumë aktive.

 - Ju keni ardhur në vite tejet të vështira për Shqipërinë. E zhytur në një krizë të thellë politike dhe ekonomike, si  e shikoni Shqipërinë sot 25 vite më pas?

Në fakt unë erdha në Shqipëri në vitin 1997, viti i trazirave.  Më kujtohet atë ditë që arrita në Sukth, sapo kishin vrarë tre persona të së njëjtes familje. Unë thashë: nuk është një mirëseardhje e bukur kjo. Por më kujtohet një nga banorët,  i cili më tha mos ki frikë “nuk ka pyll pa derra”.  Pra ishte hera e parë që kam dëgjuar këtë shprehje “ nuk ka pyll pa derra”

Jeta në Shqipëri ka ndryshuar shumë që nga ajo kohë. Për të mirë e për të keq.

Për të mirë sepse më kujtohet ajo rrugë që ishte vetem 3 km nga rruga kryesore deri në kishën tonë por ishte e tmrrshme. Me shumë gropa të mëdha e jeta ishte shumë e varfër. Por sot  numri i të varfër është zvogëlur. Nuk ka aq shumë të varfër si në atë kohë. Por ka një pjesë të konsiderueshëm të popullsisë që ishin të varfër dhe sot janë edhe më të varfër, sepse jeta është bërë më e shtrenjtë. Çmimet janë në rritje. Megjithatë ka shumë që janë pasuruar. Disa  edhe janë supërpasuruar, ose me korrupsion, ose me trafikimin e armëve, drogës, apo dhe me trafikimin e qënieve njerzore.

Sidoqoftë ajo që ka ndryshuar për mirë, do veçoja infrastrukturën. Sot kemi rrugë më të mira, kemi dhe superstradë, pra nga pikëpamja e infrastruktures, është shumë herë më mirë.

Kam thënë se disa gjëra kanë ndryshuar për të keq. Këtu flas dhe nga pikëpamja e shoqërisë morale, sepse janë rritur vrasjet, droga, janë rritur edhe vetëvrasjet, vjedhjet. Kjo tregon një krizë morale të shoqërisë. Unë shpesh herë kam sugjeruar ta marrim pak më seriozisht këtë situatë, pasi po rrezikojmë që jo vetëm Shqipëria po bëhet një vend pagan por edhe amoral. Ateherë duhet të mendojmë pak, cilët janë shkaqet e kësaj situate. Shohim edhe familjet përshembull, në një kohë kur familja shqiptare ka qenë shumë e bashkuar, shohim sëpaku në dy qytete kryesore Tiranë-Durrës që janë rritur shumë divorcet, janë rritur shumë edhe abortet. Kjo është dhe kriza morale që po përjeton sot Shqipëria.

-Përmenda që ju keni ardhur në vitin e mbrapsht të 97-të ku përveç të tjerave, edhe ikjet e njerëzve kanë qenë masive. Një fenomen me të cilin vitet e fundit po përballemi seriozisht. Si e shikoni ju këtë fenomen, veçanërisht tek të rinjtë?

Është varfëri e madhe. Varfëria më e madhe që po përjeton në këtë moment Shqipëria, është pikërisht kjo, largimi i të rinjve. Sepse vërtetë po varfërohet Shqipëria. Unë çdoherë që flas me të rinjtë, gjithmonë u them; Ju ndoshta keni vetëm një ëndërr, të largoheni nga vendlindja drejt një vendi më të pasur, por dëgjoni, mos mendoni se një vend tjetër është një parajsë tokësore. Vlerësoni më shumë gjërat e bukura që keni ju në vendin tuaj. Sepse Shqipëria është një vend shumë i bukur nga pikpamja natyrore. Ka një bukuri të veçantë, por dhe një kulturë, sepse duhet të ruani dhe të vlersoni më shumë disa tipare, për të cilat flas shumë çdoherë që më kanë intervistuar jashtë Shqipërisë. Përshembull, bashkimi i familjes. Familja shqiptare nuk është thjeshtë ajo familje nukleare që gjendet në shumë vende të europës, por është familja më e hapur “extended family”, që nuk përfshin vetëm prindërit dhe fëmijët. Gjithashtu shpirti shumë mikpritës i popullit dhe mënyra se si i trajtoni të moshuarit.

Në shumë vende perëndimore, të moshuarit konsiderohen si një peshë për shoqërinë dhe për familjen, ndërsa këtu ende gëzojnë shumë respekt.

Këto janë gjërat e bukura u them të rinjve dhe që duhet ti vlerësoni më shumë dhe ti ruani. Angazhohuni më shumë për të ndërtuar një Shqipëri më të bukur, më të drejtë, më vëllazërore dhe më të denjë për shqiptarët.

Tiranë 23.09.2006- Shugurimi ipeshkëv ndihmës nga Mons. Rrok Mirdita

 -Në fillim të muajit nëntor  u kremtua 25 vjetori i  Misionit Domenikan në Shqipëri. Në fakt Ju e keni hapur këtë mision në Shqipëri në vitin 1996. Si ka qenë rrugetimi i Misionit Domenikan përgjatë 25 viteve në Shqipëri?

Sic thashë, kemi filluar në Sukth. Ekzistonte një kishë, por kemi ndërtuar një shtëpi për ne dhe atje populli na ka pranuar shumë mirë. Por fakti se në zonën e ish-kenetës kishin ardhur nga Veriu shumë katolikë, atëhere ishte shumë e dobishme që të transferohemi atje. Por për disa kohë kemi vijuar të sherbejmë dhe në Sukth, si dhe në shumë fshatra të tjera, si Sektor Rinia, Hamallë, Porto romane, sukth-ferme e deri në Rrogozhinë. Ende janë Durrës domenikanët maltezë dhe vijojnë misonin e tyre. Por unë në vitin 2006, Arqipeshkëvi më kishte propozuar si ipeshkëv ndihmës, pasi Papa Benedikti kishte pranuar propozimin e tij, dhe atëhere unë jam transferuar në Tiranë në Katedralen e Shën Palit.

Kam shërbyer për 10 vite si ipeshkëve ndihmës, dhe pastaj më 3 dhjetor 2016 jam bërë Arqipeshkëv, pasrdhës i Imzot. Rrok Mirditës.

 -Kisha katolike në Shqipëri është një kishë tradicionale, por njëkohësisht pas viteve 90-të duket se ka rilindur. Sot pas më shumë se dy dekada në Shqipëri, fillimisht  si rregulltar Domenikan, më pas si ipeshkëv dhe Arqipeshkëv, si i vlersoni besimtaret dhe Kishën Katolike shqiptare?

Përpara se të hapja misonin në Shqipëri  në vitin 1996. Për herë të parë kam ardhur në Shqipëri në vitin 1993 për një vizitë, për të shikuar situaten e kishës, kur sapo kisha menduar që të hapim një mision në këtë vend. Por përpara se të vija këtu, pra para vitit 93, kisha lexuar shumë për Shqipërinë dhe për komunizmin e Enver Hoxhës. Për gati një gjysëm shekulli ajo formë komunizmi ka dominuar, ka sunduar në Shqipëri me një formë jo vetem ateiste por antiteiste, pra ishte më të vertetë një luftë kundër Zotit. E atëherë kur erdha këtu në vitin 1993, një gjë që më bëri më shumë përshtypje ishte ky fakt. Megjithëatë propagandë antiteiste,  që feja e besimi është opiumi i popullit etj, besimi i popullit ishte ende i gjallë. Kjo më bëri shumë përshtypje.

Unë nuk jam dakort kur disa citojnë Pashko Vason, sipas të cilit “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kjo nuk është krejt e vërtetë. Duhet të kujtojmë se Pashko Vaso i kishte thënë ato fjalë në një kontekst historik të caktuar, ishte dashur në atë kohë që të krijohej një shpirt më nacionalist tek shqiptarët dhe është për këtë arsye që Pashko Vaso me fjalët e tjera u tha mos leni që besimet të krijojnë përçarje mes jush, mos harroni se jeni të gjithë shqiptarë.

Thelbësisht populli shqiptarë është popull besimtarë. Por sot rrezikon më shumë për një paganizëm në Shqipëri, sepse nga Perëndimi ndoshta  gjëja e parë që ka mësuar populli ishte materializmi, shekullarizmi dhe konsumizmi. Ky është ungjilli i ri i popullit. Dhe në fakt shoh se praktika e besimit ishte më e fortë në vitet e para pas rënies se komunizmit. Kur erdha në vitin 1997, praktika e fesë ishte ende shumë e fortë. Tani fatkeqësisht besimi ka rënë përballë materializmit dhe konsumizmit. Çfarë fitojmë nga besimi, çfarë fitojmë nga kisha, çfarë fitojmë nga praktika e sakrimenteve, janë këto pikëpyetjet që në një mentalitet konsumist, besimi e humb rëndësinë.

-Në fakt sa i perket besimit fetar. Shqiptaret në përgjithesi dhe politikanët në vecanti krenohen për telerancën ndërmjet feve. Sa e vertetë është kjo tolerancë fetare në Shqipëri?

Dua të përmend këtu faktin se kur Mons. Rrok Mirdita propozoi të krijohej një komitet ndërfetar, Mons. Mirdita ka kërkuar prej meje që unë të jem në komitet për të themeluar këtë komision. Dhe në fakt kam punuar edhe për statutin e KNFSH-së, Këshillit Ndërfetar. Ende nuk isha ipeshkëv por isha Vikar  i përgjithshëm i Mons. Mirditës, dhe Po,  gëzohem që kam qenë një instrumental në krijimin  e këtij këshilli ndërfetar.

Më vonë, kur jam bërë ipeshkëv, kam patur më shumë raste të punoj në këtë ambient ndërfetar.

Ke përdor ti fjalen “tolerancë”. Mua nuk më pëlqen fjala tolerancë, pasi është pak negative, të duroj, të toleroj. Më pelqen më shumë të përdor fjalen “harmoni”, ekziston një harmoni ndërfetare. Në fakt, po sepse jemi më të vërtetë shumë miq, ekziston një harmoni shumë e madhe mes nesh. Megjithatë kuptoj se nga ana tjetër nuk duhet të kënaqemi me kaq sepse kemi mundësi të bashkëpunojmë më shumë. Në emrin e drejtësisë shoqërore, në mbrojtjen e të varfërve, e atyre që janë më të mënjanuar në shoqëri,  dhe unë shpresoj që në të ardhmen të krijohen mënyra të reja që besimet të ndryshme këtu në Shqipëri të bashkëpunojnë më shumë.

-Papa Francesku pak kohë më parë foli për një  Kishe sinodale, duke theksuar ndër të tjera se ishte e nevojshme të krijohet  një "Kishë ndryshe", çdo të thotë kjo për besimtarët e krishterë ?

Une isha i pranishëm në Vatikan, kur Papa Françesku ka përdorur për herë të parë fjalën “sinodalitet”, deri atëhere nuk përdorej kjo fjalë. Sinodi po, por  “sinodalitet” është një fjalë e krijuar nga Papa Françesku, dhe ishte me rastin e 50- vjetorit të krijimit të sinodit të ipeshkvinjve.

Sinodi i ipeshkvinjve takohet çdo 3 vjet dhe në këtë sinod, marrin pjesë një përfaqësim i ipeshkvinjve nga gjithë bota. Une isha i pranishëm në këtë sinod në vitin 2015. Dhe kur Papa tani po flet për një kishë më sinodale, pra kur flet për një sinodalitet të kishës, Ai kupton se një kishë duhet të ketë dhe një rol vendimtar më shumë,  jo vetem papa dhe ipeshkvijtë por dhe meshtarët e tjerë, edhe laiket. Papa në fakt me shumë këmbëngulje flet për rolin e laikeve brenda kishës (të gjithë besimtarët e pagëzuar). Kjo është kisha që Papa Françesku ëndërron.

-Imzot Frendo, Ju keni qene jo vetëm afër besimtarëve katolikë por gjithë popullit shqiptarë duke u bërë zëri i tyre në momente të vështira qofshin këto politike dhe social-ekonomike. A keni një mesazh apo një porosi që doni t’ua leni klasës politike shqiptare?

Shumë herë kam pasur raste të flas me politikanët  dhe në intervista të ndryshme kam theksuar nevojen që politikanët tanë të vendosin të mirën e përbashkët para të mires së partisë. Eshtë një pengese e madhe fakti se kërkojnë të mirën e partisë me shumë se të mirën e përbashkët.

Populli mos të këmbehet me votë, sepse para zgjedhjeve të gjithë partitë afrohen tek të gjithë njerëzit, madje dhe tek ata që kanë qenë më të mënjanuar, më të varfër, por i afrojnë për vota. Njeriu vlen më shumë se një votë. Për këtë dëshiroj që politikanët të kenë më shumë parasysh të varfërit. Unë vetë kam përjetuar varfëri në jetën time, sepse babai im ka vdekur kur unë isha 10 vjeç dhe ishim shtatë femijë dhe prandaj kuptoj shumë mirë çdo të thotë të përjetosh varfëri. Ende ekziston varfëri në Shqipëri. Ndonëse  në krahasim të disa dekadave më parë është ulur numri i të varfërve, por ende ekzistojnë shumë të varfër që janë bërë edhe më të varfër, ndaj duhet të mendojnë për ta.

 -Imzot Frendo, duke qenë se kjo intervistë po zhvillohet vetëm pak ditë pas shpalljes së emrit të Arqipeshkëvit të ri. Cila është ajo këshillë që ju do ti jepnit në këtë mision baritor kreut të Kishës Katolike?

 Unë kam shumë besim në pasardhësin tim, Mons. Arjan Dodaj. Kemi bashkëpunuar shumë ngushtë për katër vite. Unë e thirra sepse ai ishte në Romë, meshtar shqiptar në Romë. Dhe kur e thirra që të ishte Vikar im i përgjithshëm, ai pranoi, sigurisht edhe me lejen e eproreve të tij.

Ndërsa para pesëmbëdhjetë muajsh unë kërkova që ai të jetë edhe ipeshkëvi im ndihmës, dhe Papa Françesku pranoi kërkesen time.

Eshtë shumë e rrallë që një prift të bëhet arqipeshkëv në një moshë kaq të re, vetem 44 vjeçar. Por është një njeri me shumë eksperiencë. Jo vetëm me mua, kur erdhi si Vikar i përgjithshëm e më pas si ipeshkëv ndihmës por dhe kur ishte në Romë. Është një person shumë praktik dhe në konferencën ipeshkvnore kam venë re që prezenca e tij ka qenë shumë pozitive.

Tiranë 30/11/21-Mons. George Frendo në ditën kur u shpall emri i pasardhësit të tij, Mons. Arjan Dodaj

Domethënë kemi punuar shumë ngushtë gjatë  këtyre katër viteve e gjysëm dhe për këtë arsye kam shumë besim tek ai. Jam i sigurtë se Mons. Arjan Dodaj do të jetë shumë afër meshtarve, motrave, laikeve. Jam i bindur që ai do të vazhdojë të vejë në praktike vendimet e sinodit dioqezan që kemi punuar për tre vite si sinod dioqezan. Unë lutem dhe nxis edhe besimtaret katolikë të luten për Arqipeshkëvin e ri.

-Kisha Katolike po kremton Kohën e Ardhjes që shënon dhe lajmërimin e Lindjes së Krishtit. Cili është mesazhi juaj për besimtarët katolikë por dhe për të gjithë popullin Shqiptarë ?

Kur shohim Jezusin fëmije në një grazhd në një varfëri ekstreme, në këtë fëmije shohim dinjitetin e njeriut. Biri i Hyjit u bë njeri dhe ka lindur jo një pallat, jo nga njerëz të pasur, jo nga njerëz që kishin një dinjitet në shoqëri si faresejtë por nga njerëzit më të thjeshtë. Dhe e pyesin, pse ke ardhur këtu, pse në këtë situatë?

Pikërisht sepse ai e ka dashur aq shumë njeriun. E atëhere në atë fëmijë të vogël shohim dinjitetin e njeriut që është dhe themeli i të drejtave të njeriut. Çdo njeri që ka të drejtë për jetën, ka të drejte për një jetë dinjitoze. Ndaj është detyre  shoqërisë, veçanërisht e atyre që kanë autoritet politik që të respektojnë këtë të drejtë për jetën, për një jetë dinjitoze për të gjitha te drejtat njerëzore.

Mesazhi im për politikanët është të angazhohen siç thashë më parë për të mirën e përbashkët, por që të krijojnë dhe një shoqëri ma morale.

Ndërsa për popullin; Kam patur shumë raste të flas për bshkëjetesen fetare në Shqipëri, por le të jemi më konkretë, të kërkojmë më shumë vëllazëri dhe drejtësi. Kjo nuk duhet të jetë një kërkesë vetëm ndaj politikanëve por dhe nga secili prej nesh. Jemi në Kohën e Ardhjes, afër festës së Krishtlindjes. Jezusi është dhurata e Zotit për njeriun. Çfarë dhuratë mund tu japim personave që jetojnë vetem? Ndoshta afër teje ka një person në moshë që kërkon ndoshta pak dashuri. Jepini një dhuratë të vogël, por që tregon që ti kujdesesh për të. Çdo njeri nuk është  një numër por një person i veçantë.

Imzot Frendo, dua t'ju falendëroj në mënyrë të veçantë jo vetëm për këtë interviste por për gjithçka Ju i keni dhënë këtij vendi me bujarinë, mirësine, e përkushtimin tuaj baritor për popullin shqiptarë. Faliminderit që e doni kaq shumë Shqipërinë dhe shqiptarët, e faliminderit për Lutjet Tuaja!

Faliminderit!

Argumentum.al

 ©  Argumentum