Maqedoni e Veriut/ Pendarovski i dorëzon mandatin qeverisës Kovaçevskit

Presidenti Stevo Pendarovski i dorëzoi sot mandatin qeverisës liderit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevskit.

“Në bazë të nenit 84, paragrafit 1, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe informatave për emërimin për kryeministër nga LSDM, të mbështetur nga partitë politike në kuadër të koalicionit që ka shumicën e nevojshme parlamentare, me këtë emëroj liderin e LSDM-së Dimitar Kovaçevski si kryeministër”, tha presidenti Pendarovski.

Kovaçevski tha se mandati përfaqëson një nder dhe përgjegjësi. “Që nga sot, do të formojmë një ekip të ri, të cilët duhet t’u përgjigjen sfidave serioze që na presin nga fillimi i vitit të ardhshëm”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se qeveria e re do të ketë një objektiv të qartë, të sigurojë siguri, një jetë dhe të ardhme më të mirë për qytetarët.

“Kjo kërkon një qeverisje efikase, të ndershme dhe të përgjegjshme nga ekipi im”, tha Kovaçevski duke premtuar se do të punonte për institucione të pavarura dhe një shoqëri të drejtë.

Sipas tij, fokusi do t’i kushtohej zhvillimit ekonomik të vendit dhe mbështetjes financiare për qytetarët e tij.

“Ne duhet të parandalojmë ndarjet politike dhe grindjet e pafundme, të cilat dëmtojnë zhvillimin dhe realizimin e projekteve dhe reformave për një jetë më të mirë të të gjithëve”, theksoi Kovaçevski.

Gjithashtu, ai bëri thirrje për kapërcim të shpejtë të dallimeve dhe unifikimin e prioriteteve, në mënyrë që vendi të ketë një progress të shpejtë.

Parlamenti javën e kaluar verifikoi dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, pas së cilës presidenti Pendarovski kishte dhjetë ditë për të dorëzuar mandatin e qeverisë.

Të hënën, LSDM-ja ka emëruar zyrtarisht Kovaçevskin në postin e kryeministrit. Kryeministri i mandatuar pritet të paraqesë në Kuvend përbërjen dhe programin e qeverisë së re në gjysmën e parë të janarit. Kabineti kërkon të paktën 61 vota për të mratuar emërimin e tij. Shumica parlamentare e përbërë nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM, BDI, Alternativa dhe PDSH ka siguruar 64 vende në Kuvend.