Maqedonia e Veriut drejt formimit të Qeverisë së re

Dimitar Kovaçevski, të mërkurën, më 29 dhjetor, pritet edhe zyrtarisht të mandatohet si kryeministri i Maqedonisë së Veriut nga presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski.

Kovaçevski, i cili drejton Lidhjen Social Demokrate (LSDM), sipas Kushtetutës, do të ketë 20 ditë afat që të dorëzojë për miratim në Kuvend përbërjen e re të kabinetit qeveritar. Qeveria e re pritet të votohet më së voni deri më 15 janar, 2022, me 61 vota të deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi.

Shumica parlamentare numëron 64 deputetë; 44 të LSDM-së, 15 janë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), katër të Alternativës dhe një deputet i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH).

Kandidati për kryeministër, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se prioritet i punës së tij do të jetë përballja me sfidat me të cilat përballet Maqedonia e Veriut, ndërsa sa i përket përbërjes së Qeverisë, ai tha mes partnerëve qeveritarë tashmë janë definuar postet ministrore, por nuk ka dhënë detaje lidhur me kuadrot që do të jenë pjesë e ekzekutivit.

Dimitar Kovaçevski, në postin e kryeministrit dhe të kryetarit të LSDM-së, zëvendëson Zoran Zaevin, i cili dha dorëheqjen për shkak të disfatës në zgjedhjet lokale që u mbajtën më 31 tetor.

“Prioritetet tona kanë të bëjnë për përshpejtimin dhe forcimin e kursit të integrimit evropian të vendit, përballja me sfidat më të rënda, si kriza energjetike, përballja me pandeminë, forcimi i sistemit arsimor, e kështu me radhë”, ka deklaruar Kovaçevski.

Sa i përket drejtimit të ministrive, ndryshimet më të mëdha pritet të ndodhin në radhët e LSDM-së. Oliver Spasovski më nuk do të jetë ministër i Punëve të Brendshme.

“Kryetarit të ri duhet t'i jepet mundësia, t'i jepet autoriteti i plotë në zgjedhjen e ekipit të tij. Mbase ai duhet të bëjë përzgjedhje të reja, njerëz të rinj dhe për këtë mendoj se nuk duhet të jem pjesë e ekipit të ri, për të mos e ngarkuar as kryetarin, as ekipin e tij”, ka deklaruar për mediat Spasovski, një nga bashkëpunëtorëve të afërt të ish-kryeministrit, Zoran Zaev.

Edhe Radmilla Sheqerinska, ministrja e deritanishme e Mbrojtjes nuk do të jetë pjesë e Qeverisë, sikur edhe ministrja e Arsimit, Milla Carovska.

“Unë kam vendosur që të mos jem pjesë e Qeverisë së re me mandatarin e ri. Gjatë mandatit tim bëm shumë punë në interes të qytetarëve. Këtë kurs do të ndjek edhe në të ardhmen”, ka deklaruar Carovska.

Pjesë e kabinetit, jozyrtarisht thuhet se nuk do të jetë as Lupço Nikollovski, i cili deri tani ishte zëvendëskryeministër për luftimin e korrupsionit, sikur që nuk do të jetë as ministri i deritanishëm i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Në Qeverinë e re, partia Alternativa, e cila zëvendëson Lëvizjen Besa pas largimit të saj nga ekzekutivi, do të ketë tre poste ministrore; Shëndetësinë, Ministrinë e Administratës Publike dhe Informatikës si dhe një ministër pa resor, përgjegjës për diasporën. Kjo parti do të ketë edhe tre zëvendësministra.

Marrja e posteve të rëndësishme nga Alternativa, ka shkaktuar pakënaqësi në mesin e disa partive politike maqedonase që janë në koalicion me LSDM-së. Për të heshtur pakënaqësinë e tyre dhe për të mos rrezikuar shumicën, LSDM-ja ka vendosur që me Ministrinë e Mbrojtjes të udhëheqë një kuadër i partisë Liberal Demokrate.

BDI-ja në Qeverinë e re do të ketë po ashtu pozicione të forta. Përveç zëvendëskryeministrit të parë, që do të jetë Artan Grubi, partia që drejtohet nga Ali Ahmeti do të drejtojë edhe Ministrinë e Arsimit, me të cilën bazuar në deklarimet e zyrtarëve të saj, do të udhëheqë Jeton Shaqiri, aktualisht ministër në detyrë i Administratës Publike dhe Informatikës.

Partia e Ahmetit edhe në Qeverinë e re do të vazhdojë të mbajë Ministrinë e Financave, të Ekonomisë, dhe Ministrinë e Ekologjisë. Kjo parti do të ketë edhe pesë poste të zëvendësministrave dhe po aq sekretarë shtetërorë në disa ministri tjera.

Partitë shqiptare në Qeverinë e re do të drejtojnë gjysmën apo tetë nga 16 ministri që përbejnë qeverinë e re, e cila do të jetë e dyta që nga zgjedhjet parlamentare që u mbajtën më 15 korrik të vitit 2020./Rel