Ndahet nga jeta gazetari dhe komentatori sportiv Vladimir Grillo

Komentatori dhe gazetari i njohur sportiv, Vladimir Grillo, u nda sot nga jeta, në moshën 74-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë.

Lajmin e bëri të ditur kreu i FSHF-së, Armand Duka, i cili shprehu dhimbjen për këtë humbje.

“Mësova i trishtuar, që është ndarë nga jeta komentatori, gazetari dhe zëri simbol i TVSH, Vladimir Grillo. Dua të ndaj me ju të dashur miq dhe anëtarë të komunitetit të futbollit, dhimbjen për këtë humbje. Ladi, ishte një simbol i komentit sportiv, që ka shoqëruar, jo vetëm sukseset dhe ngjarjet e futbollit shqiptar, por edhe çdo ngjarje të madhe sportive në Shqipëri! U prehsh i qetë në parajsë, Ladi! Futbolli shqiptar do të të kujtojë si simboli i komentit sportiv”, tha Duka.

Komentatori sportiv, Vladimir Grillo, për më shumë se 40 vite ka qenë pjesë e RTSH-së. Ai  dallohej për fjalorin e zgjedhur e fjalët profesioniste teksa komentonte ndeshjet.

Me një zë karakteristik, profesionalizëm, njohje të thellë të sportit, ai ka realizuar mijëra orë komente ndeshjesh kombëtare dhe ndërkombëtare, për të gjitha sportet.