Në kujtim të Gjergj Fishtës dhe Migjenit Me rastin e 150 dhe 110 vjetorit të lindjes së tyre

Nga Vasil CAPEQI*

Eshtë një mister, një enigmë e vërtetë përse gjuha jonë e shkruar shqipe u çfaq vetëm në shekullin e pesëmbëdhjetë, me vonesë krahasuar me gjuhët e tre universeve të mëdhenj kulturorë që e rrethojnë: grek, latin dhe sllav. Dhe nuk besoj se kane patur tjetër argument fqinjët tanë të përjetshëm, për të prodhuar dhe përhapur zhurmën sikur gjoja shqiptarët na qënkan një popull inferior.

Nën këtë presion ekzistencial, atdheu ynë Shqipëria, u katandis në fillim të shekullit të njëzetë, me vullnetin e Fuqive te Mëdha, me një gjeografi tepër të vogël në krahasim me hapsirat e saj jetësore reale. Por gjithmonë e hapur ndaj botës nëpëmjet deteve, nga Ulqini në Prevezë, dhe e mbërthyer fort te malet e saj, nga më të lartët në Ballkan.

E megjithatë, e Keqja më e madhe dhe kronike, shqiptarëve u ka ardhur prej shefave të tyre politikë. Diktatura Komuniste e bëri Atdheun tonë një vënd bunker, ajo vuri perden e hekurt mbi dete dhe male, duke na mbajtur të izoluar nga bota dhe të ndarë prej bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë matanë kufijve.

Ne shqiptarët, jemi të gjithë të vetëdijshëm dhe krenarë se gjuha shqipe është zemra e identitetit tonë. Fishta dhe Migjeni kanë shkruar që të dy në « gegërishte » që, së bashku me toskërishten », ndryshe nga sa kujton njerëzia, nuk janë thjesht dy dialekte. Përveçse përfaqsojnë dy familjet e mëdha të gjuhës së folur shqipe, ato janë dy pjesët organike të trupit tonë identitar : dy hemisferat e tij cerebralë, dy sytë dhe dy veshët e tij, dy duart dhe dy këmbët e tij. Në sajë të këtij aliazhi natyral dhe të pacopëtueshëm, kombi shqiptar ka mundur të qëndrojë në këmbe dhe të mbijetojë nëpër shekuj.

Diktatura komuniste kreu akte barbarie dhe inkuizicioni ndaj Gjergj Fishtës: eshtrat e tij u hodhën në lumin Drin dhe vepra e tij u ndalua. Pyetja që shtrohet në mënyrë urdhërore është kjo: përse gjithë këto mizori kundër At Gjergj Fishtës ?

Enver Hoxha deshi të imponohej si Shpëtimtari i shqiptarëve. Duke dashur të zëvëndësojë Zotin mbi tokë, ai rrafshoi përdhe kisha dhe xhamia. Një shëmbje fizike kriminale e besimit të njeriut.

Ndërkaq, « Lahuta e Malcis » e Fishtës ishte bërë korda magjike e Shpirtit Shqiptar. Diktatori deshi ta shkatërrojë edhe atë... Por, para së gjithash, lahuta ky instrument me një tel të vetëm, ka kënduar prej qëmoti epopenë orale të pavdekshme shqiptare, përbri rrëfimeve dhe legjendave të qytetërimeve të medha. Përpara trashëgimisë shpirtërore të popullit të vet, çdo diktator, ani pse e ka emrin Hitler, Stalin ose Enver, e pret gijotina e historisë.

Një qëndrim krejt tjetër djallëzor mbajti diktatura komuniste ndaj Migjenit. Ajo deshi të bënte me veprën e tij një produkt kozmetik për të maskuar shëmtinë e vet morale. Për diktaturën, faji i mjerimit të shqiptarëve ishte i Mbretit Zog dhe e i së kaluarës së tyre. Por Migjeni u bë i paprekshëm edhe nëpërmjet vdekjes së tij tejet të parakohshme, në moshën vetëm 27 vjeç. Me Poemën e Mjerimit », « Recital i malsorit » dhe krejt veprën e tij, ashtu si Victor Hugo, Jehan Rictus dhe Jean Richepin në Letrat Franceze, Migjeni ka kontribuar për të ngritur në institucion, mjerimin dhe revoltën njerzore.

Para 30 vitesh, në vënd që Shqipëria të shkëputej nga diktatura dhe nga e keqja, një demokraci e gënjeshtërt u instalua në truallin e saj prej dy kampeve politike, njëri gjoja i djathtë dhe tjetri gjoja i majtë, njëri blu dhe tjetri kuq e rozë. Atdheu ynë i martirizuar mori një shkelm të pamëshirshëm në bark, që detyroi një të tretën e popullsisë të largohej nga vëndi. Një eksod biblik, i panjohur në historinë e re të njerzimit. Si modul arithmetik, do të ishte njêsoj sikur katër miljonë Belgë, njëzetë miljonë Italianë, ose njëzetë e dy miljonë Francezë të kishin marrë arratinë në këto tre dekadat e fundit... Ne shqiptarët e Diasporës jemi materie e gjallë e kësaj hemoragjie njerzore e cila nuk po ndalet.

Le të provojmë të lexojmë dhe të kuptojmë përsenë e kësaj fatkeqsie madhore nën optikën e veprës së Fishtës dhe Migjenit.

I njëjti refren vazhdon t’u thotë Shqiptarëve se fajin për mjerimin që nuk u ndahet atyre e ka paraardhësi. « Trashëgova një vënd të rrënuar, përsërisin njëri pas tjetrit shefat e Shtetit, por unë jam shpëtimtari juaj, unë jam më i miri... ». Ata kujtesa i tmerron, ndaj duan të sundojnë një popull amnezik, duke e detyruar atë që të jetojë me sot me nesër.

Për të kuptuar aleancën e tyre të hajnisë, mjafton të lexojmë dhe të dëgjojmë atë çka shefat aktualë të te dy kampeve politikë thonë për njëri tjetrin. Gjithëçka është e regjistruar përjetë, me zë dhe me figurë në Internet. Ata akuzojnë njëri tjetrin në mënyrë të paskrupullt dhe pa u hyrë gjëmb në këmbë, se kanë kryer tashmë një grabitje të padëgjuar dhe të pandodhur askund, të pasurive të vëndit të tyre, të nëntokës dhe të mbitokës, deri te rezervat e floririt të Shtetit, deri te votat, deri edhe te shpresa e një populli të tërë për një të ardhme më të mirë.

Por atëhere, si ka mundësi që njerëzit që banojnë akoma Atdheun tonë nuk reagojnë, nuk bëzajnë siç thotë Migjeni ?

Në epokën tonë të çrregullimit alarmant klimatik të planetit, Atdheu ynë përjeton çrregullimin e vet të dhimbshëm organik. Nën efektin toksik të reve ngjyrë mavi që u rrinë mbi kokë, dy hemisferat cerebralë, i majti dhe i djathti, punojnë secili për hesap të vet, trupi social bën një sy qorr dhe një vesh shurdh, njëra dorë i bie gozhdës dhe tjetra patkoit, njëra këmbë pengon tjetrën, në rrugën drejt përparimit dhe lirisë.

Në këtë vit pandemie planetare, shefat e të dy kampeve politikë duket se po heqin maskën. Të sigurt se tashmë janë bërë të paprekshëm, ata po zbulojnë lojën e tyre mëkatare të kalimit të pushtetit e cila e ka emërin « vrasja e babës », versioni modern shqiptar i kompleksit të Edipit, mbret i Tebës ne mitologjinë greke.

Babai i fundit i diktaturës i tha trashëgimtarit të zgjedhur : « biri im, bëj sikur do të më vrasësh, por jo prej vërteti, sepse jam unë që të mora nga dhitë dhe të futa në oborrin e pushtetit në Tiranë ». Babai i kampit tê kuq të pas diktaturës i tha djalit të tij të dëshiruar : « vritmë mua, biri im, por jo prej vërteti, sepse jam unë ai që të mora nga bulevardet e Evropit, ku ti ishe trafikant dhe të vesha me kostum ministri në Tiranë ». Biri i plotfuqishëm i momentit i thotë kushëririt të tij më të ri në moshë : « unë u bëra ky që jam sepse e vrava babën tim politik, vrite edhe ti babën tënd politik, me qëllim që dy familjet tona, rozë dhe blu të mbretërojnë deri në fund të shekullit ».

Ka ardhur momenti i duhur që ti thuhet kësaj lukunie politikanësh të korruptuar: : Mjaft më abuzimit tuaj në grup me Nënën tonë Shqiperi !

Migjeni vazhdon të lypë për ne pakëz dritë dhe godet me grushtin e tij të fuqishëm prej djaloshi 27 vjeçar malin brënda nesh, që s’bëzan, për të shkundur dhe për të zgjuar ndërgjegjet tona..

Në vitin 1914, Fishta pati shkruar një dramë ku zhvillohet ky dialog ndërmjet heroit tonë kombëtar Skënderbeut dhe Djallit, i cili po kthehej nga një udhëtim i gjatë: Skënderbeu pyet: « po Shqiptarët dhe Shqipëria si janë ? »

Djalli përgjigjet : « ashtu siç i do armiku… »

Shikoni këtë hartë të dashur bashkëatdhetarë, rezultat i zgjedhjeve të fundit të përgjithshme politike në Shqipëri, në muajin prill 2021. Gjithë bota e shikon në Internet. Eshtë Nëna jonë Shqipëri, e copëtuar më dysh, në rozë dhe blu si nga dora e vetë Djallit.

Gjuha jonë e shkruar shqipe, për nga historia e saj është në lulen e rinisë, për nga gjeni i saj ajo është bukuri hyjnore ! Ajo po e kap me shkëlqim vonesën e saj. Ne kemi sot Fishtën, Migjenin dhe Ismail Kadarenë, një nga shkrimtarët më të mëdhenj botërorë të kohës sonë.

Bruksel, dhjetor 2021

Argumentum.al

*Autori i këtij shkrimi, Vasil Capeqi nga Saranda në gati tre dekadat e fundit banon në qytetin Namyr, Belgjikë. Krahas veprimtarisë së tij të vlerësuar në fushën e biznesit,  ai është publicist dhe përkthyes i spikatur

Në bashkëpunim me poetin e njohur belg Francois Chenot, ka përkthyer dhe përgatitur  Antologjinë e Poezisë Shqipe në frëngjisht dhe shqip, të botuar në Nëntor 2012 nga Shtëpia e njohur e Poezisë në Namyr.