Samit me pikëpyetje! Diplomaci dhe realizëm! Gjysmak dhe me karshillëqe!

Realpolitik “ flash” Nr. 37  

10 - 30 DHJETOR 2021

EKSKLUZIVISHT te ARGUMENTUM, pikat mbi “ i” për 3  ngjarjet kryesore vetëm me 1000 fjalë nga diplomati dhe analisti i njohur

Dr.Jorgji KOTE*

1. Samiti Global për Demokracinë, i thirur nga Presidenti Biden më 9 - 10 Dhjetor ishte padyshim nismë positive e nevojshme, pas “prapaktheut” demokratik këto vitet e fundit; gjithsesi me shumë pikpyetje. Duke filluar nga përzgjedhja e të ftuarve, që sipas dhe disa burimeve  nga SHBA-të u bë kryesisht mbi bazën e Realpolitikës dhe nevojave zgjedhore; ndryshe, përse nuk u ftua Hungaria por Polonia, edhe pse të dya janë në BE/NATO/ Grupi i Visegradit dhe me të njëjtat problematika? Apo se SHBA ka 20 milione shtetas me origjinë polake dhe vetëm 4 milion hungarezë? Ndaj u ftuan dhe Filipinet, Pakistani dhe Brazili i trumpistit Bolsanero,  që po sfidojnë hapur demokracinë liberale?

Në vijim, perceptimi i krijuar është se me këtë Samit synohet ndarja e botës “ si me thikë”  në dy kampe kundërshtare. E para tenton t’i shikojë mangësitë dhe deficitet e saj të brendshme demokratike jashtë, kryesisht te rreziku rus, kinez etj. Pa i mohuar ato, siç venë në dukje shumë analistë seriozë, vendet demokratike, duke filluar nga SHBA-të, BE e me radhë e kanë të keqen nga brenda. Urrejtja dhe diskriminimi racial, ekstremizmi, polarizimi i shoqërisë, populizmi, dhe dukuri të tjera negative atje nuk shkaktohen nga jashtë. Mirëpo, pa vendosur rregullin në shtëpinë tënde, nuk ke çfarë kërkon nga të tjerët, se nuk je i besueshëm.

Veç kësaj, duke tentuar ta ndajnë  botën më dysh, ulen ndjeshëm shanset e bashkëpunimit shumëpalësh në fushat e sigurisë, mjedisit,  klimës, terrorizmit, pandemive, etj. Këto sfida madhore planetare që na kërcënojnë të gjithëve njëlloj nuk përballohen dot pa Kinën, Rusinë, etja. Shqetësimi tjetër i madh është se dhe vetë vendet e mëdha demokratike, megjithë premtimet, po vendosin gjithnjë e më shumë nga halli  interesat e tyre pragmatike dhe stabilokracinë mbi vlerat dhe parimet universale demokratike. Shihni Ballkanin, ku synohet dhe shpërblehet stabiliteti më shumë se demokracia. Shihni Serbinë që luan jo me dy, por me katër porta e megjithatë mbetet e  “llastuara” e Perëndimit!

Më tej, përvoja e viteve të fundit dëshmon se demokracia liberale s’mund të “ eksportohet” apo montohet vetëm me diplomaci, armë, propagandë dhe me me luftën kundër korrupsionit. Çuditërisht, liderë të shumë vendeve janë zgjedhur me premtimin e luftës ndaj tij, por janë bërë bartës dhe shpallur “ non grata” nga aleati i tyre. Ukraina, Gjeorgjia, Lindja e Mesme dhe Afganistani janë shembujt më të  freskët bindës për sa sipër.

Së fundi, do të ishte mirë që Samiti i ardhshëm fizik të bashkëorganizohej  nga SHBA-BE, si Perëndim i pandarë; sepse pavarësisht nga roli dhe kontributi i shquar amerikan, sërish askush nuk e ka monopolin e demokracisë.

2. Diplomaci dhe realizëm! Më 7 Dhjetor, u zhvillua biseda virtuale e Presidentëve Biden dhe Putin. Më 17 Dhjetor, Rusia i dërgoi një letër me kërkesa të njohura tashmë SHBA-ve dhe NATO-s lidhur me sigurinë, Ukrainën, praninë ushtarake perendimore pranë Rusisë, vendet e ish - Lindjes, etj. SHBA-të u përgjigjën  menjëherë dhe më 10 - 13 Janar ndërmjet tyre do të ketë negociata ekspertësh. Vazhdimi i këtij procesi me mjete, kanale dhe formula diplomatike, me realizëm dhe të çliruara nga aspektet ideologjike është tejet pozitive për shmangien e përdorimit të forcës, kërcënimeve ushtarake dhe ultimatumeve të tipit “ mere ose lere”. Karshillëku dhe kërcitja e dhëmbëve për të treguar  “kush je ti dhe kush jam unë” janë të dëmshme për të dyja palët dhe sigurinë ndërkombëtare. Eshtë pozitiv fakti se Perëndimi në përgjithësi e ka kuptuar se Rusisë nuk mund t’i bëhet ballë vetëm me parime e qortime demokratike dhe sanksione, sado të forta qofshin ato! Për më tepër, kur “ anija e BE-së, NATO-s dhe Perëndimit në përgjithësi “ po fut ujë” me grindje e probleme mes tyre; ndërkohë që as Rusia nuk është më ajo 30 viteve më parë; gjithashtu, ndryshe nga vitet 70 të “ diplomacisë së ping pongut” ,  ajo ka dhe një bashkërendim të madh me Kinën e të tjerë, çka e bën dhe më serioze përballjen  në çdo aspekt.

Problemi tjetër i madh është se nëse për SHBA-të kjo situatë me Rusinë është më shumë pjesë e gjeopolitikës, sepse kryesore për të mbetet Kina, Europa është direkt e ekspozuar ndaj kërcënimit rus. Ndaj bashkëpunimi me SHBA-të është vendimtar. Veç kësaj, është koha  për  më shumë realizëm, mirëkuptim, tolerancë dhe lëshime nga të dy palët. Paqja, stabiliteti, siguria dhe begatia ekonomike  garantohen dhe forcohen me negociata, masa besimi, formula dhe traktate diplomatike, jo me forca ushtarake, të cilat janë mjeti i fundit, mbasi dështon diplomacia. Le të shpresojmë.

3. Gjysmak dhe me karshillëqe! Kështu mbeti “ Ballkani i Hapur” dhe pas Samitit në Tiranë më 20/21 Dhjetor. Jo gjithëpërfshirës, me vetëm  3 nga 6 vendet e rajonit! Me karshillëqe - ndaj opozitës, shoqërisë civile, ekspertëve, etj edhe në 3 vendet antare, sidomos në Shqipëri. Karshillëk ndaj tri vendeve të tjera, por sidomos Kosovës, duke nxjerrë “ violinë të parë “ Serbinë. Karshillëk ndaj Procesit të Berlinit, Samitit të tij të Sofjes më 10 Nëntor 2020 dhe atij të Brdos më 6 Tetor 2021, të cilët as nuk e përmendin si fjalë. Karshillëk ndaj CEFTA dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal që janë aktivë prej kohësh në këtë fushë. Karshillëk dhe ndaj BE-së, e cila dhe në Takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme më 14 Dhjetor në Bruksel rikonfirmoi “Tregun e Përbashkët Rajonal” ( TPR ) pa e përmendur fare Ballkanin e Hapur.  Sa për Komisionerin Varhelyi, ai foli si individ; sepse dhe Komisioni Europian në Strategjinë e tij të Zgjerimit më 29 Tetor, të parashtruar nga vetë Varhelyi nuk e zenë në gojë Ballkanin e Hapur. Por ç’vlerë ka qoftë dhe Komisioni Europian, kur ka një konsensus të plotë në Vendet Antare për TPR-në, por jo për Ballkanin e Hapur! Karshillëk dhe ndaj SHBA-ve, e cila gjithashu është shprehur në të njëjtat linja me BE-në.

Ndaj, “trojka” e Ballkanit të Hapur duhet t’i thërasë mendjes, t’i bashkohet sipas zotimit TPR-së e të “mos  këmbëngulë si mushka” për një nismë që  “ nuk po ngjit” askund.

 

*Në respekt të lexuesve dhe ndjekësve tanë të të shumtë, njoftojmë se kjo rubrikë u ndërpre për 5 muaj, vetëm për shkak të problemeve shëndetësore të autorit. Pas kapërcimit të tyre me sukses, ARGUMENTUM falenderon Dr. Jorgji Kote për rifillimin e rregullt dhe të Real Politik.

/argumentum.al

© Argumentum