Tensionet Rusi-Ukrainë, flet Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri: Shpresoj shumë në një zgjidhje diplomatike!

Ndërsa tensionet midis Ukrainës dhe Rusisë janë në nivelin më të lartë në vite, me raportet për një grumbullim trupash ruse pranë kufijve të Rusisë me Ukrainën, duke nxitur frikën mbi synimet e Moskës.

Ukraina paralajmëron se Rusia po përpiqet të destabilizojë vendin përpara çdo pushtimi të planifikuar ushtarak. Fuqitë perëndimore e kanë paralajmëruar vazhdimisht Rusinë gjatë javëve të fundit kundër lëvizjeve të mëtejshme agresive kundër Ukrainës.

Kremlini mohon se po planifikon të sulmojë dhe argumenton se mbështetja e NATO-s për Ukrainën, duke përfshirë rritjen e furnizimeve me armë dhe trajnimin ushtarak, përbën një kërcënim në rritje në krahun perëndimor të Rusisë.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO në javët e fundit i kanë përshkruar lëvizjet dhe përqendrimet e trupave në dhe rreth Ukrainës si "të pazakonta", megjithatë për të kuptuar më shumë rreth kësaj situate Argumentum.al ka marrë një prononcim nga Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Ukrainës në Shqipëri  Z. Volodymyr Shkurov.

 

Argumentum.al: Zoti Ambasador, a mund të komentoni situatën për praninë e trupave ruse në afërsi të kufirit ukrainas? Kjo çështje, se fundmi ka marrë edhe jehonë ndërkombëtare dhe komenti Juaj do të ishte i dobishëm për lexuesit tanë.

Z. Shkurov: Duke folur kronologjikisht, rritja e parë e prezencës ushtarake të Rusisë pranë kufijve të Ukrainës filloi në prill të këtij viti.

Që nga fundi i tetorit, mediat perëndimore kanë filluar të shkruajnë për shtimin e pajisjeve ushtarake pranë kufijve të Ukrainës, nga Federata Ruse. Kyiv fillimisht mohoi njoftime të tilla, por më vonë gjithashtu konfirmoi përqendrimin i rreth 90,000 trupave ruse, pranë kufijve të Ukrainës dhe të territoreve përkohësisht të okupuara.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba , gjatë vizitës së tij në Bruksel më 15 nëntor, deklaroi se Rusia qe në pranverë "ka përqendruar një armadë ushtarake" pranë kufijve të Ukrainës dhe " që atëherë nuk e ka tërhequr realisht atë". Sipas Ministrit të Jashtëm të Ukrainës, tani Rusia mund të përdorë shumë shpejt trupat e saj që ndodhen pranë kufirit me Ukrainën.

Për një "përqendrim i madh dhe i pazakontë të forcave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës", ka folur gjithashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg si dhe Ministri i Jashtëm evropian, Joseph Borel.

Botimi i “Politico” publikoi imazhe satelitore të mjeteve të blinduara dhe artilerisë vetëlëvizëse pranë qytetit Yelnya, 300 kilometra larg kufirit ukrainas. Gjithashtu, publikime të tjera të huaja në lidhje me këtë çështje ishin botuar, si për shembull ai i opinionistit Janes, nga The Washington Post, dhe të Fondacionit e Ekspertëve të Shkencës dhe Politikës së Berlinit (SWP) dhe shumë të tjera.

Lidhur me hapat konkretë në rast të një kërcënimi të mundshëm të konfrontimit ushtarak, Ministri i Jashtëm të Ukraines Dmytro Kuleba njoftoi,  më 18 nëntor, se Kiyv po punon mbi një "pakete gjithëpërfshirëse të parandalimit të Rusisë", duke nënvizuar se kjo paketa përfshin presionin politik dhe diplomatik si dhe goditjet të dhimbshme ekonomike në rast të përhapjes se agresionit rus si dhe një listë konkrete nevojash për forcimin e Forcave te Armatosura të Ukrainës.

Më 7 dhjetor, presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, përkatësisht J.Biden dhe V.Putin, mbajtën një videokonferencë në lidhje me Ukrainën. Në të njëjtën ditë, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky pati një bisedë telefonike me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Anthony Blinkin. Një ditë më pas- u zhvillua një bisedë telefonike midis Presidentit e Ukrainës dhe të Shteteve të Bashkuara.

Aktualisht, situata është bërë më e kontrolluar. A është bërë më e sigurt? Kjo do të varet nga veprimet konkrete të Federatës Ruse.

Shpresoj shumë në një zgjidhje diplomatike.

 

Argumentum.al

© Argumentum