Përplasja Berisha-Basha në Selinë e PD-së/ Kryeministri Rama: Shqipëria sot pa opozitë. Ndihem i turpëruar si shqiptar...

“Ku ka bërë kjo vaki? Në cilin pyll? Në cilën xhungël ka bërë vaki kjo? Është e paimagjinueshme, Ndihem i turpëruar si shqiptar kur më marrin miq, personalitete e më pyesin a është lajm i rremë. Nuk e kuptojnë njerëzit se çfarë janë ata që kacafyten me shkallë, me cekic, varre, matrapik e me gurë e ca dreqin hidhej nga lart. Mungonin vec kovat me zift që të hidheshin nga lart”, është shprehur kështu Kryeministri Rama i cili në një bashkëbisedim live sot me demokratët, komentoi zhvllimet e djeshme në selinë e Partisë Demokratike, të cilat sipas tij, “nuk dëmtojnë vetëm PD-në, por godasin vendin, shoqërinë dhe gjithë ngrehinën e kulturës politike”.

Rama iu drejtua të gjithë  demokratëve shqiptarë që, siç tha ai, “për njëmijë e një arsye i përkasin asaj pjese të kampit politik që identifikohet me PD-në prej 30 vitesh”.

“Sipas tij, ndodhia e “djeshme ishte shumë e rëndë për demokratët pa diskutim, por edhe për të gjithë shqiptarët e vetë Shqipërinë”.

“3-4 miq të huaj më kanë marrë të më pyesin të habitur a është e vërtetë se është sulmuar selia e opozitës nga mbështetësit e saj, se lajmi mori dhenë. Një lajm turpi, krejt befasues, sa i rëndë aq edhe qesharak, që në një vend demokratik sumohet me dhunë selia e partisë së opozitës nga vetë mbështetësit e saj. Është diçka pandodhur kurrë në dijeninë time në historinë e botës demokratike”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “kjo është diçka ekstreme që shkon përtej çdo logjike, edhe pse ndokush mund të mendoj se është e mirëseardhur për mua në aspektin e politikës”.

Por, kryeministri theksoi se një zhvillim i kësaj natyre, patjetër që e dobëson kundërshtarin politik, por në fakt godet vendin, shoqërinë, gjithë ngrehinën e kulturës politike, e cila përbën realisht një problem të kulturës politike që dje ka marrë një goditje të tmerrshme”.

Kjo, tha Rama, “shkon përtej dobësimit të një kundërshtarit politik, pasi nuk dëmton vetëm PD-në, por dëmton institucionin demokratik të opozitës dhe patjetër edhe gjithë kornizën institucionale të vendit”.

“Sot zihen të dy se kush është shërbëtori im. Njëri thotë ‘ai pengu i këtij’, tjetri thotë ‘ai tubi i oksigjenit të këtij’. Dhe kujt ja thonë? Ja thonë demokratëve duke i tërhequr prej hunde pas vetes, të dy për interesin e tyre, krejt personal. Vetëm interesi personal mund ta mbajë një udhëheqës të një partie politike që synon të marrë pushtetin, si të ishte një princ mesjetar i mbyllur në kështjellë që nuk guxon të dalë dhe thotë ‘ja ku më keni, ju sfidoj, provojmë se kush e ka shumicën'”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, “është ekzekutimi me gjakftohtë i demokratëve për inteersin e asaj karrigeje”.

“Ndërsa tjetri të kujton poemën ‘u ngrit fati i partisë, si vdekuri nga varri, mori rrugën e Shqipërisë, të luftonte si i marri’. Sepse ishte ai që e kishte vënë këtë dhe e ka mbrojtur këtë më shumë se ky ka ditur të mbrojë veten e vetë. I ka dhënë gjithçka sepse ishte administratori i pronës, por ja që bota u rrotullua mbrapsht dhe tani ziheni se më kë jam unë e me kë punoj unë, kë kam marrë unë peng”, tha Rama.

Sipas tij, “këtë çështje duhet ta zgjidhin vetë demokratët që duhet të kuptojnë se po i tërheqin për hunde, ata që kanë humbur asnjë gjë”. “Mos vallë ata humbin ndonjë gjë? Jo, vetëm ju”, tha Rama.

Unë jam këtu për t’i thënë demokratëve që duhet të bëjmë çmos që ta çlirojmë politikën e këtij vendi, këtë aspekt që na mban peng të gjithëve, të dasisë së thellë dhe një urrejtje të brendshme mes të dyja kampeve dhe duhet të gjendet rruga që kjo kacafytje të mbarojë dhe të mos kemi më skena të tilla, ndërkohë që demokratët do e gjejnë vetë atë që i duhet për t’i udhëhequr, por në kushtet ku jemi, do kërkojë kohën e vet.

Nga ana tjetër është e rëndësishme që të gjithë të kuptojnë se nuk bëhet fjalë për të fërkuar duart. Sigurisht është forca e kundërshtarit, ka krijuar arsyet për të na dhembur koka ne të tjerëve por ka mbajtur në ekuilibër sistemin demokratik.

Në bashkëbisedimin me demokratët, tha me bindje se nuk ka opozitë prej kohësh në Shqipëri. Për këtë shton se opozita që sfidon fizikisht, është e destinuar të humbasë. Nuk la pa përmendur se protestuesit e ditës së djeshme që ishin të ndarë, që sipas tij për shumë vite kanë qenë të bashkuar dhe kanë përdorur shpesh të njëjtat mjete për të sulmuar qeverinë.

Sigurisht që ky vend ka nevojë për opozitë dhe nuk ka opozitë sot. Ky vend ka kohë që nuk ka opozitë. Nuk është opozitë ajo e cila është shfaqur para nesh në të gjithë këto vite. Këtë e kam thënë me kohë e vakt. Një opozitë që të sfidon fizikisht, është e destinuar të humbasë.

Një opozitë që nuk të sfidon mendërisht dhe me kurajon për të parë të ardhmen në një mënyrë më të avancuar, që nuk sfidon me guximin për ta projektuar të ardhmen me reforma më të avancuara se të pozitës, por me molotov, se ata që dje ishin të ndarë, kanë qenë për shumë vite bashkë dhe kur kanë ardhur këtu poshtë kanë përdorur të njëjtat mjete. Ishin të rrethuar dje dhe unë e besoj që realisht kaluan orë shumë të vështirë.

 

Argumentum.al