I dërguari i Posaçëm i qeverisë britanike: “Ballkani i hapur”, nismë gjithëpërfshirëse

I dërguari i Posaçëm i qeverisë britanike për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, deklaroi sot se “Britania e Madhe mbështet nismën e ‘Ballkanit të hapur”, të cilën e shikon si një nismë gjithëpërfshirëse”.

Sir Stuart Peach ishte i pranishëm sot në bashkëbisedimin e organizuar në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, me studentë dhe diplomatë të rinj, në 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar.

“Në rolin tim dhe në eksperiencën tonë ne e respektojmë qeverinë e Shqipërisë dhe sovranitetin e saj. Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit janë iniciativa komplementare mes njëra-tjetrës dhe nuk duhen parë në garë. Këto iniciativa janë përfshirëse për rajonin dhe duhet t’i mbështesim, që gjithë rajoni të punojë së bashku për të gjetur zgjidhje. Ne e mbështesim për aq kohë sa nuk krijojnë ndonjë konkurrencë”, tha ai.

Ai vlerësoi se Shqipëria është forcë stabilizuese në rajon.

“Ne po shënojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona. Britania e Madhe vazhdon të mbetet aleat dhe mik i vërtetë i Shqipërisë. Kemi luajtur një rol të veçantë 100 vite më parë dhe kjo tregon se sa e rëndësishme ka qenë ajo kohë në përcaktimin e shtetit tuaj. Kemi vazhduar të mbetemi vend mik dhe i besueshëm i Shqipërisë”, tha ai.

Peach tha se “dua ta shikoj Ballkanin Perëndimor të qëndrueshëm jo vetëm për të, por edhe për Evropën”.

“Ne angazhohemi t’ju ndihmojmë në udhëtimin tuaj euroatlantik”, tha ai.

Ndërsa Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, përmes një videomesazhi vlerësoi se rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe hapi siparin e një bashkëpunimi të ri të qëndrueshëm dhe shumëplanësh.

“Shqipëria është mirënjohëse për mbështetjen e Britanisë së Madhe në forcimin e shtetit të së drejtës. Dua të ndalem te Reforma në Drejtësi ku Britania e Madhe ka financuar projektin dhe ofruar asistencë në kuadër të PAMECA 3. Po ashtu është ofruar mbështetje në reformën arsimore, sektorin e financave publike, organet e qeverisjes vendore etj.”, tha ajo.

Xhaçka vlerësoi se bashkëpunimi ynë ka njohur intensifikim në vitet e fundit. “Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me organet ligjzbatuese britanike. Po ashtu edhe rritja e kontakteve me kompanitë britanike që duan të investojnë në Shqipëri, ku janë evidentuar si fusha me interes të lartë energjia e rinovueshme dhe minierat, infrastruktura, turizmi, inovacionin etj”, tha ajo.

Po ashtu, Xhaçka vlerësoi se “të dyja vendet janë angazhuar të punojnë së bashku edhe më ngushtë në kuadër të NATO-s dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

“Ballkani Perëndimor gjeografikisht ndodhet në kufijtë e jashtëm të BE-së, ndaj duhet të ketë një qasje reale strategjike ndaj rajonit tonë. Nga ana tjetër, dialogu dhe bashkëpunimi rajonal duhet të kenë si synim gjeneratën e ardhshme”, tha ajo./ata