Komanda amerikane e Operacioneve Speciale në Europë ngre Shtab Pararojë në Shqipëri/ Kryeministri Rama: Superlajm!

Komanda amerikane e Operacioneve Speciale në Europë njofton ngritjen e Shtabit Pararojë të dislokuar në Shqipëri, me rotacion.

Lajmi bëhet i ditur nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, e cila njofton se “Komanda e Operacioneve Speciale në Europë (SOCEUR) njoftoi se një shtab pararojë do të ngrihet në Shqipëri, me rotacion. Selia e re u bë e mundur falë mbështetjes së jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për rritjen e aftësive të Forcave të Operacioneve Speciale, si një gur themeli për stabilitetin rajonal.

Po ashtu, Ambasada e SHBA-së publikon deklaratën e plotë të Komandës së Operacioneve Speciale në Europë.

Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA në Evropë në deklaratë shprehet:

Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për rritjen e aftësive të Forcave të Operacioneve Speciale, si një gur themeli për stabilitetin rajonal, Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën (SOCEUR) ka vendosur të ngrejë në Shqipëri një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale, me rotacion. Vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik.

Shqipëria mbetet një aleate e fortë e NATO-s dhe SHBA-të gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë, gjë që e bën vendosjen e një shtabi pararojë në këtë vend aleat një vendim të natyrshëm. Gjithashtu, kjo vendndodhje redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon. Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe profesionalizmin e ushtrisë shqiptare.

Aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit, në bashkëpunim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për këtë përpjekje”, tha gjeneral major David H. Tabor, komandant i Komandës së Operacioneve Speciale në Europë. “Shqipëria mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s dhe një partnere e çmuar e sigurisë, si në nivel rajonal, ashtu dhe global”.

SOCEUR luan një rol të rëndësishëm për të demonstruar përkushtimin e SHBA-së ndaj aleatëve dhe partnerëve tanë në Ballkan dhe kjo përpjekje po kryhet me mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare dhe përfaqëson vlerësimin për profesionalizmin e ushtrisë shqiptare. Nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë, Forcat e Operacioneve Speciale të SHBA-së sigurojnë një lidhje të rëndësishme midis aleatëve dhe partnerëve tanë në rajon, duke rritur kështu stabilitetin rajonal.

SOCEUR ka një pozicion unik për të stimuluar marrëdhënien tonë me aleatët dhe partnerët për t’iu kundërvënë ndikimeve keqdashëse, për të ndërtuar ndërveprueshmërinë, për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve që mund të lindin dhe nëse është e nevojshme, për të mposhtur sulme.

Një superlajm e konsideroi sot Kryeministri Edi Rama ngritjen në Shqipëri të Shtabit Pararojë të Komandës Amerikane të Operacioneve Speciale për Evropën.

Rama tha se “pak momente më parë, nga Gjermania doli deklarata e Komandës të Forcave Operacionale Speciale të SHBA-së, e cila operon për Evropën dhe ka vendosur të ngrejë në Shqipëri një shtab të Bazës së Forcave Operacionale Speciale”.

Duke iu referuar deklaratës të dalë nga Komanda e Forcave Operacionale Speciale të SHBA-së, Rama citoi se “vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë një ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik”.

“Shqipëria mbetet një aleat i fortë në NATO me SHBA dhe ato gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, gjë që e bën vendosjen e një shtabi pararojë në këtë vend aleat, një vendim të natyrshëm. Kjo vendndodhje redukton në një kohë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon”, citoi më tej Rama.

Kryeministri tha se “sot kemi marrë një lajm fantastik për të cilin kemi disa kohë që punojmë”.

Sipas tij, “kjo është shprehje e një besueshmërie shumë të lartë, bashkëpunimi shumë të afërt”.

“Me këtë rast dua ta falënderoj publikisht ambasadoren Kim, diçka që nuk e kam fort qejf kur e bëj, por kur duhet bërë, duhet bërë. Ambasadorët bëjnë detyrën e tyre dhe kjo mania e falënderimit të ambasadorëve është diçka nga e cila ne duhet të ndahemi, por realisht ambasadorja Yuri Kim duhet falënderuar për lehtësimin e jashtëzakonshëm që i ka bërë këtij ndërveprimi, duke na mundësuar që të jemi në një komunikim të një niveli më të lartë, prej një kohe relativisht tani të qëndrueshme dhe pse jo edhe të gjatë. Shumë faleminderit! Po e prisnim me padurim këtë lajm kaq të mirë. Dhe për ata që na thonë: ‘ku i gjejmë armët, helikopterët, pushkët, ku i kemi koburet’, u them se jemi jo vetëm një anëtar në NATO, por jemi tanimë një vend me shtabin bazë të Komandës së Forcave Operacionale Speciale të SHBA-së në Evropë”, tha ai.

Argumentum.al