Lulzim Basha “vetëngujohet" në Selinë e Demokratëve

Fokus

Ndërkohë që na ndajnë 48 orë nga protesta e paralajmëruar e ish-Kryeministrit Berisha dhe Komisionit për Rithemelimin e PD-së para selisë së Partisë Demokratike, Lulzim Basha duket që ka marrë masa tejet ekstreme duke fortifikuar dyer e dritare të selise së demokratëve për të ndalur kështu hyrjen e vetë demokratëve në këtë godinë.

E paimagjinueshme që 31 vite pas themelimit të Partisë Demokratike, e dalë pas bunkerit famëkeq të komunizmit, sot përsëritet historia. Selia e Partisë Demokratike tashmë është e bunkerizuar.

Lulzim Basha duket se e justifikon këtë akt të paprecedent të tij duke parashikuar dhunë e përplasje  në protestën e 8 Janarit.

I pyetur në  një studio televizive se a i druhet një përplasje të mundshme fizike ditën e shtunë, Basha tha se nuk e përjashton që elementët kriminalë mund të bëjnë gjithçka për ‘nongratan’ e Berishës. “Nuk përjashtoj që elementët kriminalë mund të bëjnë gjithçka në veçanti ata që i bashkon nongrata, por PD është e përgatitur për çdo situatë”, u shpreh Basha, ndërsa shtoi se nuk do të lejojë që demokratët të bëhen mish për top për hallet e Sali Berishës

"Po them që jemi të përgatitur për çdo situatë, ne kemi përgjegjshmëri që demokratët të mos përdoren si mish për top dhe as ata që e kanë shoqëruar në oborrin e PD-së. Çdokush tjetër për çdo akt do të përballet me ligjin", thotë Basha.

E vertetë, i vetmi që është i përgatitur për përplasje, dhunë, është vetëm Basha ndonëse "sulmi i tij është mbrojtja".

E megjithatë kjo lëvizje duket si një kurth për protestuesit e 8 janarit pasi i provokon ata pikërisht për dhunë.

Çuditërisht kur Shqipëria është në zgrip sa i përket anës social-ekonomike, z. Basha ka vetëm një objektiv; Të mbroje zyrën e tij nga Demokratët që ia dhuruan bashkë me atë karrige.

Edhe pas rikthimit në parlament që nga 9 shtatori beteja e tij e vetme e tij është ajo politike brenda partisë ku aderon dhe që prej 2013 është në krye të saj.

Gjithsesi fortifikimi i dyerve të shtëpisë së demokratëve në këtë formë duhet thënë se as nga protestat më të mëdha që ka parë Shqipëria nuk ka ndodhur një gjë tillë si masë parandaluese në institucionet shqiptare si kryeministria apo parlamenti.

Në këtë pikë, Basha duket se i ka më frikë votuesit dhe ish-koleget e tij se sa Rama ka patur nga protestat e Bashës përgjatë 2019-të.

E ndërkohë që punimet për izolimin e Selisë vijonin më bën çudi se si numri dy në ambasadën amerikane në Tiranë, zoti Demian Smith  hyri në zyrat e PD-së në këtë situatë aspak të zakontë, me dyer të blinduara…vallë si mundet një diplomat nga vendi i lirive të takoje një politikan të vetëngujuar nga frika e militantëve dhe kolegeve të tij?!

Megjithëse duhet thënë se z.Smith nuk i bën përshtypje izolimi e as krizat politike, pasi si për koicidencë Demian Smith ka qenë në Shqipëri në vitet më të mbrapshta të saj(1995-1997), me krizën që sollën firmat piramidale, lufta civile etj. Urojmë që historia të mos përsëritet dhe të  mos na duhen “shërbimet ”e z.Smith.

Përtej kësaj, kjo vizitë në këtë seli-bunker përkthehet si një garanci për Bashën nga amerikanët. Dhe duke u mbështetur  tek amerikanët, Basha e ka harruar dhe e ka injoruar plotësisht votuesin shqiptar madje edhe militantin demokrat, atë me të cilin Basha mbushte rrugët dy vite më parë dhe që sot i përplas dyert fytyrës./m.d

Argumentum.al