OSBE-ja mund të luajë një rol të dobishëm ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së, Rusisë dhe NATO-s.

"OSBE-ja mund të luajë një rol të dobishëm në mbështetjen e marrëveshjeve nëse ato arrihen ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së, Rusisë dhe NATO-s", kështu thuhet në faqen zyrtare të Ambasadës ruse në Tiranë, ndërsa pasqyrojnë takimin e OSBE-së në Vjenë në përpjekje për të zbutur tensionet Rusi-Ukrainë.

Postimi i plotë:

Më 13 janar në platformën e OSBE-së u parashtruan nismat ruse për hartimin e garancive ligjërisht të detyrueshme të sigurisë në kufijtë perëndimorë të Rusisë në kuadrin e projektdokumenteve ligjore ndërkombëtare të përgatitura dhe të publikuara disa javë më parë – "Marrëveshja për Masat e Garantimit të Sigurisë për Federatën Ruse dhe Shtetet Anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior” dhe “Traktati ndërmjet Federatës Ruse dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Garancitë e Sigurisë”. Ky dialog u zhvillua pas një takimi dypalësh ruso-amerikan në Gjenevë më dt. 10 janar dhe një diskutimi në formatin e Këshillit Rusi-NATO në Bruksel më dt. 12 janar.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përhershëm, si dhe gjatë atyre të lartpërmendura, u parashtruan hollësisht vlerësimet ruse për degradimin e situatës në fushën e sigurisë në Evropë, e cila ka arritur kulmin, pas të cilit në kontinentin ka të ngjarë të shfaqet një krizë me pasoja të paparashikueshme. Kemi treguar për arsyet e mosbalancimit në mekanizmat për ruajtjen e shkallës minimale të pranueshme të stabilitetit dhe parashikueshmërisë së proceseve në rajonin euroatlantik. Kemi shpjeguar papranueshmërinë e përvetësimit ushtarak të territorit të Ukrainës nga SHBA dhe NATO, avancimit të mëtejshëm të aleancës në Lindje dhe vendosjes së sistemeve kërcënuese të armëve pranë kufijve rusë.

Instalimi pranë kufijve rusë i sistemeve raketore me një kohë minimale fluturimi drejt objekteve në Rusinë qendrore është i papranueshëm. Prandaj, ne nuk shohim asnjë alternativë veç hartimit të garancive të forta ligjërisht të detyrueshme. Konsiderojmë gjithashtu të nevojshme që të hidhet poshtë formula e njohur e samitit të Bukureshtit në 2008 në lidhje me anëtarësimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë në aleancë. Kjo kërkesë përputhet plotësisht me parimet e konfirmuara në mënyrë të përsëritur në dokumentet e OSBE-së se askush nuk do të forcojë sigurinë e vetë në dëm të sigurisë së shteteve të tjera, dhe duke zgjedhur mënyrat për të garantuar sigurinë vetjake, vendet do të marrin parasysh shqetësimet legjitime të të tjerëve.

Shteteve anëtare të OSBE-së iu bëmë të njohur tezën se nuk ka alternativë tjetër për krijimin e një sistemi juridik ndërkombëtar të sigurisë në zonën euro-atlantike të bazuar në parimet e sigurisë së barabartë dhe të pandashme dhe në heqjen dorë nga përpjekjet për të arritur epërsi ushtarake, detyrimin për të mos përdorur forcën ose kërcënuar me përdorimin e saj, si dhe veprimet që i shkaktojnë dëme sigurisë së ndërsjellë.

Veçanërisht u theksua se siguria evropiane varet drejtpërdrejt nga gjendja e marrëdhënieve ndërmjet vendeve që mbajnë përgjegjësi të veçantë për paqen dhe stabilitetin në këtë kontinent. Këtu bëhet fjalë, para së gjithash, për Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si fuqi që zotërojnë armë bërthamore. Arritja e marrëveshjes në parim mes tyre për aspektet kyçe të sigurisë ushtarake në Evropë është e rëndësisë së dorës së parë. Dhe këtu ka ardhur momenti i së vërtetës kur duhet vendosur nëse do të ndjekim rrugën e materializimit të parimit të pandashmërisë së sigurisë, të fiksuar në nivelin më të lartë në dokumentet e OSBE-së, apo do të rrëshqasim në një konfrontim sipas shembullit të “Luftës së Ftohtë”, garës së re armatimesh, konkurrencës kërcënim-kundër-kërcënim me rreziqe të dukshme për të gjitha shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. Opsioni i fundit mund të sjellë pasoja të pakthyeshme.

OSBE-ja mund të luajë një rol të dobishëm në mbështetjen e marrëveshjeve nëse ato arrihen ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së, Rusisë dhe NATO-s.