POLITIKANË, FLISNI BURRËRISHT PËR PROBLEMIN KOMBËTAR TË BASHKIMIT ME KOSOVËN

Shpendi TOPOLLAJ

Njihet nga kushdo historia e Traktatit të Shën Stefanit dhe më pas ajo e Kongresit të Berlinit të vitit 1878, ku fillimisht Rusia e Turqia e pastaj gjashtë Fuqitë e Mëdha, duke u sjellë si në mall të babait i dhanë Serbisë e Malit të Zi pjesë të qenësishme nga trojet autoktone shqiptare. Poshtërsisht, kjo vijoi me Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1913 në Londër, ku ky kalim u sanksionua dhe u shty më tej; duke ja kaluar Greqisë, Çamërinë. U veprua kështu sikur të mos ishin këto krahina të mëdha dhe mjaft të pasura prej shekujsh e shekujsh, pjesë të padiskutueshme tonat, njëra që nga dardanët e tjetra qysh nga tesprotët. E vërteta është se shqiptarët qysh në krye nuk qëndruan duarkryq. Ata nuk u stepën dhe nuk u frikësuan sado që e dinin se ishin të pafuqishëm para tyre. Po aso kohe, atdhetarët e mëdhenj si Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Iliaz Pashë Dibra, Ymer Prizreni me shokë, patën burrërinë, mençurinë dhe dinjitetin e duhur dhe krijuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit për t`i kundërshtuar deri me armë vendimet prepotente të atyre Fuqive. Luftuan trimërisht për të ndërgjegjësuar e ngritur popullin në këmbë me armë në dorë dhe ne sot krenohemi me veprën e tyre. Gjatë luftës nacional - çlirimtare, emisarët e Partisë Komuniste Jugosllave, por realisht kriminelë dhe pasues të teorive të Vasa Çubriloviçit, dhe djallëzive të Pashait J. B. Tito, duke shfrytëzuar bashkëpunimin e ngushtë, por në fakt nënshtrimin servil të drejtuesve shqiptarë, u bënë shkak për denoncimin e vendimeve të Konferencës së Mukjes, pa harruar atë të Bujanit.

U dënuan ata që kërkonin bashkimin me trojet tona në Kosovë, që paradoksalisht e kishte realizuar pushtuesi, ç`ka solli ngatërresa serioze që vijojnë edhe sot e kësaj dite. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kush ngrinte zërin për Kosovën shpallej armik, burgosej a pushkatohej, pasi plani i Enver Hoxhës ishte përfshirja e Shqipërisë si Republikë e Federatës Jugosllave. Ai e quante Titon shpëtimtarin e Shqipërisë dhe populli detyrohej të këndonte këngë për të. Kosova u harrua, dhe njerëzit atje u zhgënjyen. Por ja që erdhën kohë dhe aleanca të reja dhe dhunës të pashembullt të barbarëve serbë ndaj tendencave për liri e pavarësi të Kosovës, ku u vranë e masakruan mbi dhjetë mijë burra, gra, pleq e fëmijë, deri edhe në bark të nënës, u përzunë rreth 1.000.000 njerëz dhe iu vu zjarri mbi 80 % të shtëpive, ju kundërvunë veprimet luftarake të NATO - s me SHBA në krye dhe ato të UÇK - së. Më 17 shkurt 2008 Kosova fitoi pavarësinë, duke u shpallur Republikë, dhe duke u njohur nga shumë e shumë shtete të botës, dhe kjo qe një fitore e jashtëzakonshme. Por jo gjithçka, pasi populli kosovar dhe ai shqiptar, përsëri mbetën të ndarë në dy shtete me flamur, kushtetutë dhe qeveri të ndryshme. Natyrisht, kjo shkaktoi habi dhe u bë shkak për disa pyetje, ku e para qe ajo se përse Aleanca nuk orientoi që nëpërmjet referendumit të realizohej bashkimi aq i mezipritur i Kosovës me Shqipërinë. Asgjë nuk e pengonte këtë as juridikisht, as historikisht e as moralisht. Mbi të gjitha, kështu do të vihej në vend një padrejtësi që turpëron Evropën moderne, ndërkohë që askujt nuk i vinte ndonjë e keqe nga ky bashkim. Kjo do ja shtonte vlerat demokratike vendeve evropiane dhe do të ishte një mea culpa për veprimet qartazi të padrejta dhe të dëmshme të diplomacisë dhe politikës së gjysh - stërgjyshërve të tyre që të përkulur mbi harta ngjyra - ngjyra, me monoklat e tyre, me një të rënë të lapsit, vetëm e vetëm për të kënaqur orekset dhe lakmitë e fqinjëve tanë, as që e mendonin tragjedinë që po kurdisnin në kurriz të një populli të vogël e paqësor. Nuk jemi aq naivë sa të mos kuptojmë se edhe tani, kançelaritë luajnë me larghedhje, gjithmonë në mbrojtje të interesave të tyre gjeostrategjike. Por ne nuk mund të vazhdojmë të mbetemi monedhë tregu për asnjë.

Nuk është aspak i drejtë arsyetimi se po t`i bashkojmë, do prishim stabilitetin në Ballkan e më gjerë. Pra, e kanë fjalën se mos na zemërohen rusët e serbët, ose t`i marrim me të mirë këta të fundit që ta mbyllim rrethin ndaj të parit. Ka edhe disa mendime të shpifura dhe të dëmshme se po të bëhet me votë, popujt në Shqipëri e Kosovë, nuk e duan bashkimin. Këtë nuk besoj se e përhap ndonjë shqiptar, por duhet të jetë pjesë e planeve ogurzeza të atyre që nuk ja duan të mirën Shqipërisë dhe Kosovës së saj. Është bërë ajo që quhet “Rruga e Kombit” dhe që ka vlera të pallogaritëshme në ec e jaket e ndërsjellta vëllazërore. Ne shkojmë atje dhe ndihemi të lumtur, sikurse kosovarët e shohin Shqipërinë si realizimin e ëndrrës së tyre të vjetër. Por më duket paradoksale, dhe më lë një shije aspak të mirë, ndarja artificiale e mbi të gjitha heshtja, për të mos thënë frika e politikanëve tanë të të dy krahëve, për ta shtruar çështjen e bashkimit përfundimtar. Ashtu si nëpër dhëmbë, se edhe ata patjetër e duan këtë bashkim, na lënë të kuptojmë se ky është shekulli i zgjidhjes së problemeve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ore u lumtë goja, por çfarë sigurie keni ju për këtë? E çfarë do ndryshojë në të ardhmen? Do bëhen serbët dobro mirë me kosovarët dhe ne? Mos t`u gënjejë mendja! Se nuk është thjeshtë punë trojesh e minierash, por dëbimesh biblike, barqesh të çara me bajoneta, pushkatimesh masive, përdhunimesh të vajzave e grave tona, trupash ende të pagjetura, llahtaresh që nuk do të harrohen kurrë. Pastaj, ne që jetojmë në këtë epokë a kemi aq kohë për të pritur kur t`u mbushet mendja për të na bashkuar ata që na ndanë? Atëherë, përse juve që u kemi zgjedhur të na udhëhiqni, nuk u kemi parë as në fjalime, as në shkrime dhe as në kuvende të flisni për këtë problem thelbësor përfshi dhe Çamërinë? Përse nuk e shtroni këtë nëpër tubime a takime ndërkombëtare deri në OKB? Nga kush trembeni kur e dini mirë se si kanë rrjedhur ngjarjet. Ju nuk ngurroni të jepni mendime për vende që shumica nuk u a ka dëgjuar emrin ndonjëherë, kurse për vendin tuaj ngurroni, për të mos thënë se edhe grindeni mes jush.

Larg qoftë sikur t`u miklojë në heshje mendimi “ju sundoni andej, ne këtej”. Përse Kosova prej 10.887 km2 dhe me gati 3.000.000 banorë duhet të mbetet si jetime? Ai popull është gjaku, fati e historia jonë. Kanë pësuar vuajtje nga më të rëndat dhe kanë guxuar të mbrohen Jasharisht. Sido që janë ndeshur me barbarizma të pashoqe, jo që nuk janë nënshtruar, por dhe kanë ruajtur si gjënë më të shenjtë dashurinë për Shqipërinë. A nuk do të ishte kjo njësoj sikur të ndaje me një të klikuar në kompjuter Francën, Italinë, Gjermaninë etj. mes për mes. Si do ndiheshin ata? Do e pranonin këtë apo do të bënin atë që s`ta rrok fantazia për t`u ribashkuar? Popujt kanë dinjitet dhe e dinë ç`është Atdheu dhe ku i ka kufijtë ai. Prandaj, në qoftë se keni ndërmend të bëni ndyshime në Kushtetutë, së pari ndreqni Nenin e Parë kështu: “Synimi parësor për ne është bashkimi i trojeve shqiptare kudo ato janë”. Jeni pasardhës të heronjve të Lidhjes së Prizrenit, atyre burrave që nuk e njihnin frikën, prandaj t`u ngjisni atyre në dashurinë dhe sakrificat për Atdhe. Vetëm kështu do të mbeteni të nderuar në jetë të jetëve si ata.

/ Argumentum.al