Referendumi i Serbisë në Kosovë/ Kurti thërret seancën e jashtëzakonshme në Kuvend

Me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, nesër mbahet seanca e jashtëzakonshme.

Në seancë do të ketë diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.

Seanca fillon punimet në orën 14:00, sipas njoftimit të Drejtorsë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun të Kuvendit.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca,  me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendi/ Në përputhje me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 paragrafi 2b të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, për nesër, e shtunë, me datë 15 janar 2022, në orën 14:00. Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.  Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”, thuhet në komunikatë,raporton Gazeta Express.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka mbajtur konferencë për medie lidhur me zhvillimet politike që kanë karakterizuar ditën e sotshme, Kryetari Memli Krasniqi ka shprehur qëndrimin e qartë të PDK-së, rreth çështjes së mbajtjes së referendumit të Serbisë, brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Tahiri tha se qëndrimi i tyre është tashmë i njohur, ku për ne, organizimi dhe mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, përbën një shkelje të sovranitetit dhe rendit tonë kushtetues.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, thotë se është e papranueshme mbajtja e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në Kosovë.

Ai tha se legjislacioni si dhe praktikat ndërkombëtare janë të qarta në këtë drejtim.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, deklaroi Abdixhiku.

Kujtojme se faktori ndërkombëtar kërkoi sot që Qeveria e Kosovës të tërhiqet nga vendimi për të mos lejuar mbajtjen e referendumit serb në territorin e Kosovës.

BE-ja dhe shtetet e QUINT-it po kërkojnë nga kryeministri Kurti që të lejojë votimin e serbëve të Kosovës për referendumin që do të mbahet në Serbi të dielën bazuar në praktikat e më hershme të votimit, ku OSBE-ja ka mbledhur votat.

Këtë gjë po e kundërshton shefi i qeverisë së Kosovës me arsyetimin se “mbajtja e një referendumi në një shtet sovran i një shtetit tjetër s’është praktikë që pranohet nga asnjë shtet demokratik”.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se serbët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes dy formave, asaj me postë dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Ambasadorët e ShBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës e Italisë sot i kanë shkuar në zyrë edhe presidentes Vjosa Osmani. Pas këtij takimi të përbashkët ka folur kryeministri Albin Kurti, i cili ka treguar se do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për nesër, derisa do të dal sot me një komunikatë të përbashkët me Kuvendin dhe Presidencën.

Qytetarët e Serbisë, më 16 janar, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.

/Argumentum.al