SHBA-të vendosin sanksione ekonomike ndaj udhëheqësit serb të Bosnjës, Milorad Dodik

Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën sanksione të reja ndaj udhëheqësit serb të Bosnjës Milorad Dodik, me motivacionin “për aktivitete korruptive” dhe “kërcënime të vazhdueshme ndaj stabilitetit dhe integritetit territorial” të Bosnje Hercegovinës.

Departamenti amerikan i Thesarit e përcaktoi edhe një entitet të lidhur me të, televizionin “Alternativna" me seli në Banja Lukë".

“Dodik ka minuar institucionet e Bosnje-Hercegovinë, duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke vënë në lëvizje krijimin e institucioneve paralele në entitetin Republika Srpska të Bosnje-Hercegovinës”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Thesarit.

Sipas njoftimit, ai ka përdorur pozicionin e tij zyrtar për të grumbulluar pasuri personale nëpërmjet ryshfeteve, dhe formave të tjera të korrupsionit.

“Retorika e tij përçarëse etno-nacionaliste pasqyron përpjekjet e tij për të çuar përpara këto synime politike dhe për të shkëputur vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive. Të marra së bashku, këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës dhe minojnë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, duke rrezikuar kështu stabilitetin më të gjerë rajonal”, thotë Departamenti i Thesarit.

"Aktivitetet destabilizuese korruptive të Milorad Dodikut dhe përpjekjet për të zhbërë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, të motivuara nga interesi i tij vetjak, kërcënojnë stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe të gjithë rajonit," tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Zbulimin Financiar, Brian E. Nelson.

"Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë të veprojnë kundër atyre që kryejnë korrupsion, shkaktojnë destabilizim dhe ndarje në kurriz të popullit të tyre, si dhe kundër atyre që mundësojnë dhe lehtësojnë këtë sjellje”, tha ai.

Veprimi i sotëm, sipas Departamentit të Shtetit, bazohet në angazhimin e Administratës së presidentit amerikan Joe Biden për të promovuar vënien para përgjegjësisë të atyre që ndër të tjera, minojnë stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe kërcënimeve ndaj marrëveshjeve të paqes.

Dodik, anëtari serb i Presidencës kolektive të Bosnje-Herecgovinës, synon ta nxjerrë Republikën Serbe nga forcat e armatosura të vendit.

Bosnja po përjeton krizën e saj më të rëndë politike që nga fundi i luftës në vitet 1990, duke ringjallur frikën e një ndarjeje pasi serbët e Bosnjës bllokuan punën e qeverisë qendrore dhe ligjvënësit serbë votuan për fillimin e tërheqjes së Republikës autonome Serbe nga institucionet shtetërore.

Si rezultat i veprimit të së mërkurës të Departamentit të Thesarit, të gjitha pronat dhe interesat në pronën e zotit Dodik dhe televizionit “Alternativa" që janë në Shtetet e Bashkuara ose në zotërim ose kontroll të personave amerikanë janë bllokuar dhe duhet të raportohen tek Zyra e Departamentit të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja. Po ashtu bllokohet edhe çdo entitet që zotërohet, drejtpërdrejt ose tërthorazi, 50 për qind ose më shumë nga një ose më shumë persona të bllokuar.

Departamenti i Shtetit ndalon hyrjen në SHBA të një zyrtari dhe një ish-zyrtari të Bosnje-Hercegovinës

Po të mërkurën, Departamenti amerikan i Shtetit u ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara një zyrtari dhe një ish-zyrtari të Bosnje Hercegovinës, duke përmendur si motivacion “përfshirjen e tyre në korrupsion të konsiderueshëm”, tha Sekretari amrrikan i Shtetit, Antony Blinken.

Departamenti i Shtetit shpalli përcaktimin publik për korrupsion përish-presidentin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnje-Hercegovinës Milan Tegeltija dhe Presidentin e Lëvizjes për Veprim Demokratik dhe Përfaqësuesin e Asamblesë Parlamentare Mirsad Kukiç.

“Veprimet e tyre minuan sundimin e ligjit, besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverisë së tyre, si dhe paqen dhe prosperitetin për qytetarët e Bosnje-Hercegovinës”, thuhet në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit.

Përcaktimet e zotit Kukiç, një mysliman i Bosnjës dhe zotit Tegeltija, serb i Bonjës, janë bërë sipas nenit 7031(c) të Aktit të Departamentit të Shtetit, për Operacionet e Jashtme të vitit 2021.

“Në cilësinë e tij zyrtare si Kryetar i KLP-së, Tegeltija ishte i përfshirë në akte korruptive që përfshinin përdorimin e ndikimit të tij politik dhe pushtetit zyrtar për përfitimin e tij personal. Konkretisht, ka informacione të besueshme se Tegeltija ka përdorur pozicionin e tij për të kërkuar përfitime në këmbim të ndërhyrjes në një proces gjyqësor, si dhe manipulimit të emërimeve në drejtësi dhe punësime të tjera publike", thuhet në njoftim.

Në cilësinë e tij zyrtare si menaxher i minierës së Banovicit në pronësi publike dhe si Përfaqësues i Asamblesë Parlamentare, Kukiç u përfshi në “akte korruptive ku përdori ndikimin e tij politik dhe pushtetin zyrtar për përfitimin e tij personal. Konkretisht, ka informacione të besueshme që Kukiç ka përvetësuar fondet publike për përfitime personale dhe ka ndërhyrë në vendimet e punësimit dhe emërimit për të përfituar politikisht”, vazhdon njoftimi.

Departamenti i Shtetit ndaloi nga hyrja në SHBA edhe bashkëshorten e zotit Tegeltija, Tijana Tegeltija.

Zoti Blinken thotë në deklartën e tij se vepprimet e Departamentit të Shtetit dhe atij të Thesarit për zotin Dodik, “riafirmojnë përkushtimin e SHBA për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës, sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët e vendit”.

Sipas Sekretarit të Shtetit, qeveria amerikane mund të ndërmarrë veprime të ngjashme ndaj drejtuesve të tjerë dhe subjekteve të lidhura me aktorë të korruptuar ose destabilizues.

“Ne do të vazhdojmë të përdorim autoritetet e duhura për të promovuar llogaridhënien për aktorë në të gjithë rajonin dhe globalisht”, shprehet zoti Blinken.