SHBA vendosi sanksione ndaj Milorad Dodik/ Reagon Tirana zyrtare: Mbështesim fuqimisht integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se Shqipëria mbështet sanksionet e vendosura nga Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC).

“Ne mbështesim sanksionet e vendosura nga Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC). Shqipëria përkrah fuqimisht integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe kundërshton me vendosmëri çdo përpjekje për të minuar atë dhe që kërcënon paqen e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ministrja Xhaçka.

Në deklaratën e ministres Xhaçka theksohet se e ardhmja e rajonit qëndron larg politikës së ndarjes dhe konfliktit.

“E ardhmja e rajonit tonë qëndron në bashkëpunim dhe integrim, larg politikës së ndarjes dhe konfliktit”, deklaron ajo.

Zyra e Departamentit Amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja vendosi sanksione të reja ndaj liderit të serbëve të Bosnjës dhe anëtarin e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik për aktivitete destabilizuese dhe korruptive në vend.