Shkëmbimet tregtare me Kroacinë në 10 miliardë lekë

Shkëmbimet tregtare me Kroacinë llogariten gati 10 miliardë lekë gjatë 11-mujorit të parë të vitit 2021.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) gjatë periudhës janar-nëntor 2021, eksportet rezultuan gati 3 miliardë lekë nga 1.6 miliardë lekë që ishin në 11 muajt e parë të 2020-ës, ndërsa importet shkuan në 7 miliardë lekë, nga 5.7 miliardë lekë që ishin vitin e mëparshëm.

Shqipëria eksporton drejt Kroacisë alumin, këpucë, peshk të përpunuar dhe perime, ndërsa importon kryesisht naftë, produkte të peshkut, transformatorë elektrikë dhe çokollata.

Fushat më me interes për bashkëpunim janë energjia, turizmi, inxhinieria mekanike, elektrike dhe elektronike, farmaceutike, ushqimore, tekstile e këpucë dhe veçanërisht ndërtimi.

Kroacia është një nga shtetet më të rëndësishme në rajonin e Ballkanit, pasi është aksi që lidh Tiranën me Evropën nëpërmjet rrugës tokësore.

Shqipëria dhe Kroacia janë pjesë e disa projekteve strategjike për rajonin, si korridori Adriatiko-Jonian, i ashtuquajtur edhe Korridori Blu, gazsjellësi IAP (Joniano-Adriatik), si edhe kanë një bashkëpunim të shtuar në fushën e turizmit dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.

Shqipëria paraqet edhe mundësi të mëdha për investime, pasi barra fiskale për investitorët e huaj është ndër më të ulëtat në rajon. Qeveria shqiptare ka ngritur një agjenci (AIDA), e cila asiston çdo investitor të huaj që në hapat e parë.

Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, ekziston një numër në rritje i kompanive kroate që investojnë apo kanë praninë e tyre fizike në Shqipëri, në fusha të tilla si industria, ndërtimi i fshatrave turistikë, marketingu dhe tregtia, këshillimet, teknologjia e informacionit, etj./ata