Shqipëria nis mandatin si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB/ SHBA: Mirëpresim të shërbejmë së bashku me Shqipërinë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dha sot mesazhin me rastin e nisjes së mandatit të vendit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

1 janari 2022 shënon fillimin e mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Për herë të parë, 66 vjet pas anëtarësimit në OKB  Shqipëria ulet në tryezën më të lartë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin. Një përgjegjësi por edhe një mundësi e madhe për vendin tonë për të lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Xhaçka.

“Më lejoni t’ju uroj nga zemra një vit të mbarë për ju e familjet tuaja! Një 2022 ku me shpresë jeta do fillojë t’i rikthehet normalitetit pas 2 vitesh vërtet të vështira që na kanë testuar jo pak!Kjo ditë e parë e vitit të ri vjen për shqiptarët me një lajm vërtet të mirë. Sot, Shqipëria fillon mandatin e saj dy vjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Që sot ekipi ynë i diplomatëve në Nju Jork do të ketë të drejtën të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit si një anëtar jo permanent, do të ketë të drejtën të prezantojë qëndrimet e Shqipërisë për adresimin e çështjeve më të nxehta të sigurisë në botë. Do të ketë privilegjin të influencojë me forcën e ideve dhe eksperiencës sonë diskutimet mbi kërcënimet më të mprehta që rrezikojnë sot paqen e stabilitetin”, u shpreh ajo.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka theksoi se “ky mandat nuk është një dhuratë që i ra Shqipërisë nga qielli”.

“Një mandat në Këshillin e Sigurimit është diçka për të cilën vendet lobojnë e investojnë për vite e dekada. Të cilin mund ta fitosh vetëm nëse arrin të bindësh pjesën dërrmuese të vendeve të botës që je shtet vend serioz, që ke një diplomaci profesioniste e të besueshme, që ke diçka me vlerë për të kontribuar në diskutimet e mëdha globale. Prandaj sot, duhet të ndihemi të gjithë krenarë për diplomacinë shqiptare e për atë që ka arritur. Duhet të jemi po ashtu krenarë për faktin që sot Shqipëria shihet nga mbarë bota si një aktor serioz e i matur, me një politikë të qëndrueshme e të besueshme, një kontribues serioz në çështjet e sigurisë e paqes”, vijoi ajo.

“Kjo është një arritje për të cilën duhet të ndihet krenar çdo shqiptar kudo në botë. Duke filluar nga vëllezërit e motrat tona në Kosovë sepse padyshim që Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare sepse Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë. Do të punojmë për shqiptarët, por do të punojmë edhe për rajonin tonë për të konsoliduar arritjet e dekadave të fundit e për mos ta lënë atë të rrëshkasë drejt destabilizimit e tensioneve. Do të punojmë me aleatët e partnerët tanë për të avancuar së bashku agjendën e prioriteteve tona të përbashkëta, duke konsoliduar kështu akoma më shumë lidhjet e forta që na bashkojnë”, u shpreh Xhaçka.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka shtoi se shumë vjet më parë, kur u mor për herë të parë vendimi për të filluar procesin e lobimit për një vend në Këshillin e Sigurimit, gjithçka dukej si një ëndërr e pamundur. E çmendur madje. Por ja ku jemi sot dhe ajo që dukej e pamundur sot është realitet.

“Unë besoj që kjo është prova më e mirë, që kur ne shqiptarët vendosim të punojmë, të gjithë së bashku, me durim, me përkushtim, për ne nuk ka asgjë të pamundur. Le t’i qasemi 2022 e sfidave që na presin me po këtë frymë e po këtë vendosmëri dhe nuk kam asnjë dyshim që e ardhmja që do të ndërtojmë së bashku për familjet e fëmijët tanë do të jetë vërtet e bukur”, tha në fund ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Për këtë ngjarje kaq të rendësishme për Shqipërine, kanë përshendetur edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partnere strategjike dhe si mbështetesit më të rendësishëm të Shqipërisë në OKB

Urime Shqipërisë për një arritje të jashtëzakonshme, fillimin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në histori. Shtetet e Bashkuara mirëpresin të shërbejnë së bashku me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të trajtuar sfidat më të ngutshme me të cilat përballet sot bota jonë”, deklaroi sot ambasada amerikane në Tiranë.

Për herë të parë, 66 vjet pas anëtarësimit në OKB  Shqipëria ulet në tryezën më të lartë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, moment të cilin ministrja Xhaçka e cilësoi sot një përgjegjësi por edhe një mundësi e madhe për vendin tonë për të lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare.

Argumentum.al