Shtabi i Forcave Operacioneve Speciale të SHBA-së në Shqipëri, si shenjë paralajmërimi se në Ballkan, do ketë destabilizim!

Editorial

Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën, SOCEUR, bëri dje (06.01) të ditur vendimin për të patur në Shqipëri një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale.

Sipas njoftimit, “vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik. Kjo vendndodhje, redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon”, thuhet në njoftimin e Komandës amerikane, duke shtuar se “Shqipëria mbetet një aleate e fortë e NATO-s dhe SHBA-të gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë, gjë që e bën vendosjen e një shtabi pararojë në këtë vend aleat një vendim të natyrshëm”.

Siç thekson dhe Gjeneral Major David H. Tabor, Komandant i Komandës së Operacioneve Speciale në Europë "aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit, në bashkëpunim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për këtë përpjekje".

Kryeministri shqiptar Edi Rama e përshëndeti vendimin duke e cilësuar atë si “shprehje e një besueshmërie shumë të lartë dhe një bashkëpunimi shumë të afërt”

SOCEUR, vë në dukje njoftimi, “luan një rol të rëndësishëm për të demonstruar përkushtimin e SHBA-së ndaj aleatëve dhe partnerëve tanë në Ballkan. Nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë, Forcat e Operacioneve Speciale të SHBA-së sigurojnë një lidhje të rëndësishme midis aleatëve dhe partnerëve tanë në rajon, duke rritur kështu stabilitetin rajonal”
SOCEUR ka një pozicion unik për të stimuluar marrëdhënien e SHBA-ve me aleatët dhe partnerë, për t’iu kundërvënë ndikimeve keqdashëse, për të ndërtuar ndërveprueshmërinë, për t'iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve që mund të lindin dhe nëse është e nevojshme, për të mposhtur sulmet.

Pas këtij lajmi ka reaguar edhe ambasadorja amerikane në Yuri Kim, e cila në një postim në llogarinë e saj në Twitter shprehet se kjo është një mënyrë shumë e mirë për të nisur vitin sa i përket zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA sa i përket mbrojtjes.

Kjo është hera e parë që SHBA vendos një bazë të këtij lloj i Shqipëri, shton kryediplomatja amerikane ndërsa shton se ky zhvillim është i rëndësishëm edhe për sigurinë rajonale.

Aktualisht, baza e ushtrisë amerikane në Bondsteel, në Kosovë, është e vetmja bazë e SHBA-së në Evropën Juglindore.

Me ngritjen e bazës në Shqipëri, SHBA do të ketë dy baza ushtarake në gjithë Evropën Juglindore – një në Kosovë dhe një në Shqipëri. Kujtojmë gjithashtu që në Shqipëri është ngritur pak kohë më parë edhe baza ushtarake ajrore e NATO-s, në ish-aerodromin e Kuçovës.

Ndërsa vitin e kaluar për herë të parë Shqipëria u bë mikpritëse e stërvitjes më të madhe ushtarake në rajonin e Ballkanit Perëndimor, “Defender Europe 2021”.

Padiskutim në rrafshin politik dhe gjeopolitik, ky partneritet strategjik Shqipëri-NATO-SHBA është në nivelet më të larta, por e gjithë kjo lëvizje politiko-ushtarake nuk është rastësi dhe jo vetem në kuadrin e partneritetit strategjik, por duket se i paraprinë zhvillimeve të vrullshme në rajon dhe në Ballkan.

Shqipëria është sot shteti që luan një rol të rëndësishëm në stabiletin e rajonit në veçanti dhe Ballkanit në teresi, ndaj padyshim është një ngjarje me rendësi që Komanda amerikane e operacioneve speciale në Europë zgjodhi Shqipërinë si një vend nga ku mund të analizojnë dhe të ndërhyjnë në mënyrë të shpejt për të parandaluar çdo zhvillim kritik në Ballkan.

Por a është vetëm kjo arsyeja e ngritjes së këtij shtabi në Shqipëri?

Përgjatë vitit 2021, ndonëse një vit ku pandemia Covid-19 krijoi jo pak probleme social-ekonomike në gjithë Ballkanin, në disa raste  ishim shumë afër destabilitetit dhe krizave politike në disa vende të Ballkanit.

Përplasjet për kishën serbe në Mal të Zi, rrezikuan seriozisht stabilitetin e Malit të Zi dhe çuan në nivelin më të ulet të marrëdhënieve Mali-Zi Serbi.

Dialogu Kosovë-Serbi në shumë raste është ndërprerë disa herë duke bërë regres në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Maqedonia e Veriut, me dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, pati krizë ndërmjet partive politke në vend, por që u shmang me disa lëvizje të tjera politke .

Edhe Serbia pati disa protesta që shqetësuan jo pak Beogradin zyrtar, aq sa Vuçiç e kërkonte problemin në Kosovë si nxitës të tyre.

Ndërsa Bosnia e Hercegovina është sot "thembra e akilit" në Ballkan. Kujtojmë se përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në largim, Valentin Inzko në muajin korrik të vitit 2021 vendosi që të ndalojë mohimin e gjenocidit, vendim ky që zemëroi anëtarin serb të Presidencës trepalëshe, Millorad Dodik.

Pas kësaj Dodik po ashtu njoftoi se Republika Srpska shumë shpejt do të tërhiqej nga ushtria e përbashkët e shtetit, nga institucionet e drejtësisë dhe administrata tatimore dhe do të vendosë autoritetin e saj kufitar.

Ndaj për shkak të zhvillimeve që vetëm precipitojnë që nga ligji që ndalon mohimin e genocidit në Srebrenicë e deri te kërcënimet e Dodik për tu ndarë nga institucionet e përbashkëta le të kuptohet se rrezikohet shpërbërja e Bosnjë e Hercegovinës

Këto kërcënime të vazhdueshme ndaj stabilitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë Hercegovinës mund të kenë efektin Domino në Ballkan ndaj janë kambanë alarmi për NATO-n dhe SHBA-të, për këtë arsye, SOCEUR në Shqipëri është nga sot gardian i stabilitetit rajonal.

Argumentum.al