Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov ka deklaruar se një pajtim me SHBA-në për një marrëveshje paqeje në Ukrainë nuk është “i lehtë”, pasi Moska dhe Washingtoni vazhdojnë kontaktet për të gjetur zgjidhje për luftën, e cila vazhdon për më shumë se tre vjet.
“Përbërësit kryesorë të zgjidhjes nuk janë të lehta për t’u rënë dakord. Ato po diskutohen”, tha Lavrov në një intervistë për një gazetë lokale të botuar dje vonë, në përgjigje të një pyetjeje nëse Rusia dhe SHBA-ja kanë formuluar parametrat kryesorë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të ardhshme për Ukrainën.
Duke kujtuar se presidenti rus Vladimir Putin, i përshkroi pritshmëritë e Moskës nga një marrëveshje e mundshme në qershor të vitit të kaluar, Lavrov tha se ky pozicion nuk është një lloj kërkese.
“Unë e theksoj edhe një herë, ai bazohet fuqishëm në formulimin e Kartës së OKB-së, në konventa të shumta dhe në rezultatet e referendumeve, në rezultatet e shprehjes së vullnetit të popullit në territoret në fjalë”, tha Lavrov duke iu referuar territoreve ukrainase të aneksuara nga Moska në vitin 2022.
Duke komentuar bisedimet e paqes me Washingtonin, Lavrov tha se “arsyeja e shëndoshë” udhëzon qasjen e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.
Ai shtoi se Rusia dhe SHBA-ja janë të detyruara të bëjnë gjithçka si “lojtarë ndërkombëtarë përgjegjës”, për të siguruar që përplasja e interesave të ndryshme të mos kthehet në konfrontim.
“Dhe në ato raste, le të ketë më pak prej tyre kur këto interesa përkojnë, ne jemi të detyruar të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të mos humbur momentin, për ta përkthyer këtë rastësi në projekt të dobishëm reciprok”, tha shefi i diplomacisë ruse.
Ministri i Jashtëm rus shtoi se Moska e kupton se si duket një marrëveshje reciprokisht e dobishme si dhe një marrëveshje që mund ta çojë Rusinë në një “kurth tjetër”.
/Argumentum.al