Paralelisht me procesin e rindërtimit, qeveria ka ofruar një paketë lehtësish fiskale për bizneset e prekura nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, njofton subjektet se do t’iu njihen si të zbritshme shpenzimet për dëmet nga tërmeti. Konkretisht do të njihen si shpenzime të zbritshme vlera kontabël e mallrave si dhe vlera kontabël e mbetur e aktiveve, që janë dëmtuar/shkatërruar për shkak të fatkeqësive natyrore në zonat që sipas përkufizimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen civile janë shpallur “zona të fatkeqësisë natyrore”.
Për të përfituar nga këto lehtësi fiskale, tatimpaguesit e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, duhet të paraqesin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore listën me përshkrimin e detajuar të mallrave dhe aktiveve të dëmtuara apo shkatërruara, përfshirë sasinë për çdo lloj; Faturat e blerjes së mallrave të dëmtuara apo dokumentacionin e aktiveve afatgjata të dëmtuara; Raportin nga organi kompetent përkatës për shkatërrimin e aktiveve afatgjata. Të gjithë tatimpaguesit e prekur nga tërmeti, janë kanë afat deri më 10 Mars, që të paraqesin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore ku janë të regjistruar dokumentacionin e kërkuar.