Në politikën gjermane llogaritet vetëm në vjeshtë me një vendim të BE për vaksinën ruse kundër Coronës, „Sputnik V“. Mungojnë ende të dhëna, raportohet nga qarqe qeveritare.
Për shkak se mungojnë ende të dhëna, autoritetet në BE do të vendosin më së herëti në shtator për dhënien e mundshme të lejes për përdorimin e vaksinës kundër Coronës “Sputnik V”. Këtë e raporton gazeta gjermane, “Bild am Sonntag”, BAMS duke iu referuar qarqeve qeveritare. Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder do të kishte preferuar një vendim më të shpejtë. Söder kërkon nga Agjencia Europiane e Medikamenteve, EMA dhënien më të shpejtë të lejes. “Motori i vaksinimit nuk duhet të ngecë”, tha Söder për gazetën gjermane. Nuk duhet të kemi vonesa vetëm thjesht për arsye ideologjike. Bavaria parashikon blerjen e 2,5 milionë dozave të “Sputnik V”.
Dy vende të BE përdorin “Sputnik V” edhe pa leje nga EMA
Rusia lejoi në gusht të vitit të kaluar vaksinën “Sputnik V”, ende para përfundimit të studimeve shkencore që parashikohen për vaksinat. Ky vendim u prit me kritika nga qarqet shkencore atëherë. Por gati 70 shtete ndërkohë e kanë lejuar përdorimin e vaksinës.
Aktualisht EMA po verifikon lejen për përdorimin në BE. Në fillim të marsit nisi procedura e mbikqyrjes në kuadër të një « Rolling Reviews », procedurë, ku verifikohen rezultatet e testimeve, megjithëse nuk janë paraqitur të gjitha të dhënat dhe nuk ka ende një kërkesë për leje përdorimi. Dy shtete të BE edhe pa leje të EMA-s, e përdorin ndërkohë preparatin rus të vaksinës. Hungaria dhe Sllovakia. Deri më tani në BE e kanë marrë lejen e përdorimit BioNTech/Pfizer, Moderna, AstraZeneca, Johnson&Johnson të gjithë prodhues nga vendet perëndimore./dw