Lëvizja “Bashkë” e drejtuar nga Arlind Qori hapi sot fushatën elektorale në qytetin e Fierit.
Qorri premtoi se e reja po lind dhe se shtresa e mesme e popullsisë do të mbështetet.
Ai foli edhe për mbështetje të sipërmarrësve të ndershëm.
“E reja po lind në çdo padrejtësi që pëson populli shqiptar, te bujku që keqpaguhet dhe e çon dëm produktin bujqësor, te çdo profesionist i lirë që nuk çan dot në treg, te çdo sipërmarrës i ndershëm që përballet me oligarkinë monopoliste, te çdo pensionist që vuan në varfëri”, u shpreh Qorri.
Kreu i lëvizjes “BASHKË”, tha se shpresa do të lindë edhe për të rinjtë që sytë i kanë përtej kufirit.
Shehaj: Luftë pa kompromis korrupsionit

Partia “Mundësia” çeli zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, të dielën në Pallatin e Kongreseve mes mbështetesve të kësaj force të re politike.
Në fjalën e tij, kryetari i Partisë “Mundësia|, Agron Shehaj e vuri theksin tek korrupsioni, që sipas tij, është burimi kryesor i problemeve me të cilat shqiptarët përballen çdo ditë.
Shehaj tha se korrupsioni është sot mënyra se si qeveriset vendi.
“Ky sistem nis nga maja e shtetit dhe zbret në çdo hallkë të administratës, duke pasuruar zyrtarët dhe varfëruar qytetarët. Pagat, pensionet dhe ndihmat sociale janë minimale, ndërsa tenderat dhe lejet e ndërtimit blihen e shiten”, tha ai.
Shehaj tha se vizioni i partisë që ai ka themeluar është lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, për një shtet që nuk i bëhet barrë qytetarëve dhe një ekonomi të lirë që do të sjellë zhvillim në një vend ku qytetarët ia dalin me punë të ndershme.