Presidenti i Bankës Botërore dha dorëheqjen krejt papritur. Jim Yong Kim zhvendoset në një post tjetër, në një firmë me kapital privat
Emërimi i Jim Yong Kim si president i Bankës Botërore, nga Presidenti i asokohe Barack Obama, ishte një vendim i papritur në Uashington D.C, për një numër të madh njerëzish, sepse fizikani nuk ishte aspak i njohur në këtë shtet. Edhe largimi i tij nga ky post ndodhi po krejt papritur, sepse në fillim të janarit z. Kim tha se do të jepte dorëheqjen muajin e ardhshëm, tre vjet përpara përfundimit të mandatit të dytë, për t’u larguar në një pozicion tjetër në Global Infrastructure Partners (GIP), një firmë me kapital privat në Nju Jork, shkruan The Economist.
Ndoshta, z. Kim mund të kishte vendosur të largohej që muaj më parë. Ai mbase ndihej shumë i realizuar profesionalisht dhe kishte arritur kulmin e karrierës vitin e kaluar kur arriti të bindte aksionerët për një rritje të kapitalit që ata paguanin (prej 13 miliardë dollarësh amerikanë), duke zgjeruar në këtë mënyrë kapacitetin kreditues të bankës nga 60 miliardë dollarë amerikanë në 100 miliardë dollarë amerikanë deri në vitin 2030. Dhe ndoshta pasi ai ka pranuar pozicionin e tij të ri, nuk mund të qëndronte më gjatë në Bankën Botërore, sepse mund të krijonte një konflikt interesi, edhe GIP investon gjithashtu në infrastrukturë në shtetet e varfra.
Atij nuk do t’ia ndiejë mungesën askush, sepse menjëherë sapo mori postin pushoi punonjës të ndryshëm, disa prej të cilëve kishin pak kohë në ato poste. Marrëdhëniet u përmirësuan vetëm gjatë vitit 2016, kur përgjegjësitë e tij të menaxhimit i kaluan Kristalina Georgieva, një ish-komisionere e Bashkimit Europian, e cila mori rolin e drejtorit ekzekutiv. Do të jetë pikërisht ajo që do të shërbejë si presidente e përkohshme deri sa të zgjidhet zëvendësuesi i z. Kim. Po ashtu si z. Kim edhe zëvendësuesi i tij i ri do të vendoset ndërmjet Amerikës, aksionerit më të madh të bankës dhe Kinës, aksionerit të saj të tretë më të madh.
Ndonëse mbështetja e z. Kim për nismën e Kinës “Brezi dhe Rruga” u shoqërua me kritika të shumta nga zyrtarët në Departamentin e Thesarit të Amerikës, dyshimi i Amerikës mbi Kinën u kthye në avantazh të tij në momentin që po negocionte për rritjen e kapitalit. Banka ra dakord për të vendosur norma më të larta interesi për huatë ndaj vendeve si Kina, duke u dhënë në këtë mënyrë përparësi huadhënies së vendeve të varfra, në këmbim të më shumë parave. Por teksa disa zyrtarë të Departamentit të Thesarit të Shtetit mendojnë se kreditimi ndaj Kinës është në kurriz të vendeve të varfra që kanë më shumë nevojë, disa të tjerë nuk e shohin kaq të dëmshëm këtë veprim, duke qenë se ai sjell fitime.
Mirëkuptimi i vazhdueshëm midis Amerikës dhe Europës do të arrihej nëse në krye të Bankës Botërore do të zgjidhej gjithmonë një amerikan, ndërsa në krye të FMN-së një europian. Edhe pse shumë institucione shumëpalëshe nuk bien dakord me këtë, administrata Trump ndoshta do të këmbëngulte që modeli në fjalë duhet të vazhdojë, kryesisht për të frenuar ambiciet e Kinës.
Thuhet se Dina Powell, një bankiere në Goldman Sachs e cila e këshilloi z. Trump mbi sigurinë kombëtare, mund të zëvendësojë z. Kim. Ka qenë pikërisht znj. Powell e cila ka ndikuar në marrjen e miratimit të Shtëpisë së Bardhë për rritjen e kapitalit të bankës.
Scott Morris nga Qendra për Zhvillim Global, një organizatë në Uashington, thekson se në vitin 2012, kur z. Kim u vu në postin e kreut të Bankës Botërore, ishte hera e parë që një kandidat nga vendet më të varfra vihej në atë post dhe që prej asaj kohe marrëdhëniet e Amerikës me pjesën tjetër të botës janë vështirësuar.
Zgjedhja në krye të Bankës Botërore e një kandidati amerikan që kundërshton me bindje Kinën dhe projektet e gjelbra të bankës, do të shihet ose si një grusht politik, ose si shkaktari i një mosmarrëveshjeje të re. Në këtë drejtim, znj. Powell ka përparësi duke qenë globaliste. Sidoqoftë, vendet në zhvillim do të duhej të bashkoheshin pas një kandidati duke i rritur vetes mundësinë për të përmbysur konventën, gjë që do të ishte një surprizë e madhe për vëzhguesit e bankave.