Lëvizja Evropa Tani (PES) e Malit të Zi fitoi 25.5% të votave në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit, sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CEMI), që bazohen në projeksionin e rezultateve nga një mostër e qendrave të votimit.
Partia pro-evropiane Demokratike e Socialistëve (DPS), e cila udhëhoqi Malin e Zi midis viteve 1990 dhe 2020, doli e dyta me 23.8% të votave.
Aleanca konservatore Për të Ardhmen e Malit të Zi, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, fitoi 14.7%.
Sondazhet para votimeve ishin të përafërta me rezultatet preliminare.
Një koalicion tjetër pro-BE-së që përfshin Partinë Demokratike dhe lëvizjen URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviq, doli në vendin e katërt me 12.3% të votave, sipas CEMI-s në bazë të 90.5% të votave të numëruara.
Pesëmbëdhjetë parti dhe koalicione garuan për 81 ulëse të Parlamentit.
Sipas të dhënave të para në këto zgjedhje kanë votuar rreth 56 për qind të votueseve me të drejtë vote e që, sipas Qendrës për Tranzicion Demokratik në Mal të Zi, shënon rënie të numrit të votuesve prej 20 për qind krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2020. Të drejtë vote kanë pasur 542.468 qytetarë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Filip Axhiq, tha se dita e zgjedhjeve kaloi si në ‘shtetet më të zhvilluara demokratike’.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se pret që qeveria e re të formohet shpejt, “në mënyrë efikase dhe në përputhje me vullnetin elektoral të qytetarëve”.
Millatoviq tha se qeveria e re duhet të vazhdojë rrugën e reformave dhe ta përshpejtojë atë në disa fusha dhe mbi të gjitha të përmirësojë standardin e jetesës së qytetarëve, sundimin e ligjit dhe përshpejtimin e integrimit evropian.
Ndërkohë ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, në një deklarim për media gjatë ditës tha se pret që qeveria në Mal të Zi të formohet sa më parë.
“Ne kemi tri vjet që jetojmë në një kohë konfuze, është pothuajse e pashmangshme në jetën e çdo njeriu, çdo vendi, një fazë normale dhe asgjë më shumë se kaq, mendoj se fotografia tashmë është pastruar pjesërisht, mendoj se do kenë mundësi të formojnë qeveri”, thotë Gjukanoviq.
Partitë dhe koalicionet kanë dhënë premtime të ndryshme përfshirë jetë më të mirë, paga dhe pensione më të larta, blerje të favorshme të banesave dhe rritje të përfitimeve sociale.
Këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare mund t’i japin fund një krize politike gati tri vjeçare në Mal të Zi ku dy qeveri u rrëzuan përmes mocioneve të mosbesimit.
Rezultati i zgjedhjeve mund të prodhojë një qeveri funksionale të cilën Mali i Zi nuk e ka thuajse që nga prilli i vitit 2020, kur Partia Demokratike e Socialistëve, asokohe e udhëhequr nga Millo Gjukanoviq, humbi në zgjedhje.
Media të ndryshme ndërkombëtare dhe analistët politikë ditëve të fundit thanë se këto zgjedhje do të jenë vendimtare edhe për të ardhmen e Malit të Zi pasi votuesit do të kenë mundësinë të vendosin për të përkrahur partitë dhe koalicionet, disa përkrahëse të Perëndimit, të tjerat përkrahëse të Serbisë si dhe të tilla mbështetëse të Rusisë.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të tregojë nëse Mali i Zi, si një vend i vogël i Ballkanit Perëndimor, anëtarë i NATO-s, do të ofrohet më shumë me Bashkimin Evropian dhe të avancojë në proceset integruese.
Këto janë zgjedhjet e para parlamentare në 30 vitet e fundit në të cilat nuk merr pjesë ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i cili humbi në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në muajin prill të këtij viti.
Paraprakisht, më 16 mars, tre ditë para se të zhvillohej raundi i parë të zgjedhjeve presidenciale, Gjukanoviq shpërndau Parlamentin dhe caktoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke përmendur trazirat e vazhdueshme brenda qeverisë dhe mungesën e përparimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Zgjedhjet e 11 qershorit, janë zgjedhjet e 12-ta parlamentare që nga futja e sistemit shumëpartiak dhe të gjashtat që nga pavarësimi i Malit të Zi në vitin 2006.
Mali i Zi është anëtar i NATO-s që nga viti 2017 dhe kandidat për anëtarësim në BE që nga fundi i vitit 2012.
Mali i Zi hapi të 33 kapitujt e negociatave, i fundit në qershor 2020 dhe mbylli tre.
Shumëkush pret që zgjedhjet e 11 qershorit t’i japin fund një periudhe bllokimi politik në të cilën dy qeveritë, të cilat erdhën në pushtet pas protestave të vitit 2020 të mbështetura nga Kisha Ortodokse Serbe, u rrëzuan pas votimit të mocioneve të mosbesimit./rel