Në një deklaratë të postuar në llogarinë zyrtare në “Facebook”, LVV vë theksin tek fenomeni i korrupsionit në nivele të larta të shtetit, duke përmendur rritjen e numrit të kontratave koncesionare. Në këtë drejtim, LVV ka përfshirë në deklaratë edhe publikimin e sotëm të 6 përgjimeve që janë pjesë e dosjes 339/1, e cila ka të bëjë me hetimet lidhur me me implikimin e një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës, të njohur si “Klani kriminal i Avdylajve” në blerjen e votave në zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit 2017, në bashkëpunim me zyrtarë të Partisë Socialiste, duke përfshirë këtu në mënyrë të veçantë kryebashkiakun e qytetit të Durrësit, Vangjush Dakon.
LVV nënvizon se politika shqiptare duhet të kryejë ndryshime rrënjësore për të luftuar korrupsionin, për të tejkaluar paralizën e sistemit të drejtësisë dhe pabarazinë sociale si detyrim jetik ndaj qytetarëve dhe kombit, pavarësisht vendime të BE-së, si detyrim jetik ndaj qytetarëve dhe kombit.
Postimi i plotë:
ndryshime rrënjësore nga brenda dhe kundër standardeve të dyfishta nga jashtë
Rekomandimi i Komisionit Evropian, në prill të vitit 2018, për hapjen e negociatave dhe marrjen e statusit të kandidatit për Shqipërinë ishte një lajm i mirë për shqiptarët, ashtu siç ishte edhe rikonfirmimi i këtij rekomandimi në Raportin e fundit të Progresit. Shqiptarët presin progres nga brenda dhe hapjen e negociatave me BE-në, por këto procese mbeten edhe më tej të rrezikuara për dy arsye madhore: (1) dështimet dhe problemet e mëdha sistemike në Republikën e Shqipërisë, dhe (2) standardet e dyfishta të BE-së.
Shqipëria e ka shtetin e kapur, dhe me nivele të larta korrupsioni. Numri i kontratave koncensionare pa tenderim për punë publike është rritur tej mase, edhe sipas Raportit të Progresit, duke dëshmuar për një lidhje të fortë mes interesave private të biznesit të madh dhe qeveritarëve, në dëm të së mirës publike. Kjo kapje e shtetit, së fundmi po del në pah edhe përmes raportimeve të mediave ndërkombëtare, që kanë bërë publike mënyrën se si interesat private vendosin në lidhje me kandidatët për deputetë, dhe detyrojnë punëtorët e sektorit publik të votojnë sipas këtyre interesave për të ruajtur vendin e punës.
Situata bëhet edhe më e rëndë kur merret parasysh paraliza që ka ndodhur në sistemin e drejtësisë. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë pezulluar veprimtarinë në mungesë të gjyqëtarëve. Numri i dosjeve të regjistruara në Gykatën e Lartë rezulton të jetë rreth 32.000, dhe vazhdon të shtohet dita-ditës. Ndërkohë, më shumë se 40 mijë raste mbeten të pashqyrtuara në të gjithë vendin, dhe në disa gjykata janë krijuar zbrazëtira për shkak se gjyqëtarët e larguar nuk janë zëvendësuar. Siç kemi parë edhe në Kosovë, nga dështimet dhe skandalet e EULEX-it, drejtësia nuk mund të importohet e nuk mund të vijë nga jashtë. Asistenca dhe bashkëpunimi me aleatët e shqiptarëve është përherë e mirëpritur, por jo me të drejta ekzekutive që zhbëjnë sovranitetin. Sado e vështirë që është, sado sakrifica të kërkojë vendosja e drejtësisë, shqiptarët nuk mund të heqin dorë prej saj. Kush beson se drejtësia do të vijë si dhuratë nga jashtë, gabon.
Ndër shqetësimet më të mëdha për Shqipërinë janë varfëria, shkalla e ulët e punësimit dhe kushtet e rënda të punës. Por, Raporti i Progresit nuk jep asnjë të dhënë në lidhje me varfërinë dhe pabarazinë – që normalisht do duhej matur përmes koefiçientit GINI. Për pasojë, përmirësimi i treguesëve makroekonomikë për të cilët flitet në Raportin e Progresit, nuk tregon asgjë në lidhje me shkallën e lartë të pabarazisë tek mënyra se si akumulohen dhe (ri)shpërndahen të ardhurat, dhe se si kjo e shton varfërinë. Rritja e pabarazive sociale dhe ekonomike, e konfirmuar edhe nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, është padrejtësi. Për ata që janë të punësuar, Raporti tregon se numri i aksidenteve dhe i vdekjeve në vendin e punës është rritur, duke shkelur çdo të drejtë bazë të punëtorëve. Keto janë krime që mbeten të pandëshkuara. Varfëria dhe pabarazia që prodhon ky sistem janë ndër armiqtë kryesorë të progresit të shqiptarëve.
Situata ka ndikuar tek përkeqësimi i të drejtave të grave. Sipas Raportit, strategjia dhe plani i veprimit për luftën kundër pabarazisë gjinore nuk është shoqëruar me alokimet e nevojshme buxhetore dhe me zbatimin e duhur të ligjeve. Përqëndrimi te përfaqësimi formal i grave në politikë – rritja e numrit të deputeteve dhe këshilltareve bashkiake – nuk ka sjell asnjë përmirësim për të drejtat dhe gjendjen socio-ekonomike të shumicës së grave në Shqipëri. Në vitin 2018, janë evidentuar gati 5000 raste të dhunës në familje. E njëjta situatë paraqitet edhe sa i përket mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Legjislacioni duket i përmirësuar, por buxheti mungon dhe zbatimi dështon. Në Raport shkruhet se në Shqipëri janë të punësuar 223 “punëtorë socialë” për të drejtat e fëmijëve. Kjo shifër përbën 52% të numrit të nevojshëm. Nga totali i të punësuarëve, vetëm 78 kanë përvojë dhe formim në punë sociale, edhe pse ky është detyrim ligjor, dhe vetëm 45 janë me kohë të plotë. Një shtet që nuk kujdeset për ata që kanë më së shumti nevojë për të, nuk mund të jetë shtet i së drejtës, e aq më pak shtet i mirëqenies sociale.
Në lidhje me standardet e dyfishta të BE-së, duhet nënvizuar se Shqipëria ka ndjekur një politikë të jashtme dhe të sigurisë në përputhje me linjat e BE-së. Sakaq, në Raportet e Progresit del që Serbia në vazhdimësi NUK ka ndjekur linjat e këtyre politikave të BE-së. Serbia ka probleme të ngjashme me Shqipërinë në lidhje me kapjen e shtetit dhe korrupsionin, me shkelje edhe më flagrante sa i takon lirisë së medias. Ajo çka është më e papranueshme janë kërcënimet, politikat ekspansioniste dhe ofendimet e vazhdueshme të Beogradit zyrtar ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë të rajonit në përgjithësi, dhe në veçanti mohimi i të drejtave bazë politike, ekonomike dhe kultutore të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Megjithatë, mbi standarde të dyfishta dhe të rrezikshme për rajonin, BE-ja ka vendosur t’i japë Serbisë statusin e vendit kandidat prej vitit 2012. Urojmë që rezultatet e fundit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që kanë sjell dobësimin e partive kryesore, të shërbëjnë si moment reflektimi për përmirësimin e politikave të brendshme të BE-së dhe zgjerimin në Ballkan.
Shqipëria duhet të ndërmarrë së brendshmi ndryshime rrënjësore, pavarësisht vendimeve të BE-së, si detyrim jetik ndaj qytetarëve dhe kombit shqiptar.
Tiranë, 05 qershor 2019
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri