Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë ka paralajmëruar sot një protestë kundër ardhjes së presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe atij nga Bosnja Milorad Dodik në Shqipëri.
Vuçiç dhe Dodik do të marrin pjesë në Samitin Brdo-Brijonit që mbahet në Tiranë.
“Aleksandar Vuçiç dhe Milorad Dodik po planifikojnë të vinë në Tiranë më 8 maj – nuk janë të mirëseardhur! Ftojmë qytetarët të na bashkohen ditën e mërkurë, data 8 maj, në ora 18:00, para monumentit të ‘Vëllezërve Frashëri’, Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, për të shprehur simbolikisht dhe në mënyrë paqësore kundërshtimin ndaj politikave supremaciste serbe që rrezikojnë kombin shqiptar, si dhe drejtësinë e paqen në rajon”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Kreu i shtetit të Serbisë dhe Milorad Dodik vijnë në Tiranë me ftesë të presidentit Ilir Meta si pjesë e Samitit Brdo-Brijonit.
“Me ftesën edhe të Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović dhe të Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, në Samitin e Tiranës, do të marrin pjesë tre Anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, Šefik Džaferović dhe Željko Komšić, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović, Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, si dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić.
Të ftuar nderi janë Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini”, thuhet në njoftimin e Presidencës.