Lëvizja Vetëvendosje do të jetë tashmë zyrtarisht edhe në Shqipëri, por e regjistruar si organizatë jo-fitim prurës. Drejtues të kësaj force politike, janë shprehur se OFJ-ja natyrisht që të orientohet në vlerat sociale dhe kombëtare që përfaqëson Vetëvendosja. Gjithsesi, të pyetur nëse ky është hapi i parafundit drejt formimit të degës partiake në Shqipëri, funksionarët e VV-së nuk e konfirmojnë diçka të tillë, por as nuk e mohojnë.
Lëvizja Vetëvendosje duket se ka hedhur një tjetër hap drejt prezencës së saj në Shqipëri, ndërsa përfaqësues të kësaj force politike kanë bërë kërkesë për hapjen e një organizate jo-fitim prurës.
Elvis Hoxha, në një postim në rrjetin social Facebook, lajmëroi se Kryetar i Bordit përmes një vendimi unanim është përcaktuar Enis Sulstarova, për të vijuar me anëtarët: Liburn Aliu, Hysamedin Feraj, Elvis Hoxha, Dejona Mihali, Sami Kurteshi, Arbër Zaimi dhe Gearda Demiraj. Ndërkaq, Drejtor Ekzekutiv do të jetë Boiken Abazi.
Mundësia e përfshirjes së Lëvizjes Vetëvendosje në skenën politike shqiptare është lakuar shpesh herë si mundësi edhe nga lidership i kësaj force politike.
Këta të fundit nuk e kanë mohuar mundësinë e gjetjes së terrenit, duke e arsyetuar këtë alternativë me rënien e besimit tek partitë tradicionale.
Ndërkaq, kërkesa për t’u regjistruar si OJF, përbën hapin e parë ligjor drejt një nisme të tillë.
Të pyetur nga Ora News nëse përmes kësaj rrugë po shkohet drejt formimit të strukturave partiake në Shqipëri, zyrtarë të lartë të VV-së janë shprehur se deri në këto momente do të operohet vetëm me OJF-në, e cila natyrisht do të shtrihet drejt kauzave të njohura sociale dhe kombëtare që përfaqëson kjo forcë politike.
Gjithsesi, ambicia për të hapur degë në tiranë dhe në qytetet e tjera nuk mohohet.