Irani tha se Ismail Haniyeh, lideri politik i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – është vrarë gjatë një sulmi në Teheran më 31 korrik, duke fajësuar Izraelin.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit tha se po heton sulmin që la të vrarë Haniyeh, 62 vjeç, përderisa ai ishte në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Iranit, Masud Pezeshkian, më 30 korrik.
Garda nuk dha detaje se si u krye sulmi.
Hamasi – që mbështetet nga Irani – konfirmoi lajmin përmes një postimi në Telegram më 31 korrik, duke thënë se Haniyeh u vra “në një sulm ajror në rezidencën e tij në Teheran”.
Qeveria izraelite ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht vrasjen e Haniyeh, por në llogarinë Facebook të zyrës për media është publikuar fotografia e Haniyeh, me mbishkrimin “I eliminuar”. Në postim, Izraeli nuk merr specifikisht përgjegjësinë për sulmin edhe pse aty thuhet se zyrtari i Hamasit “u vra në një sulm preciz në Teheran”.
Presidenti i ri i Iranit, Masud Pezeshkian, tha përmes një postimi në X, se “Republika Islamike e Iranit do të mbrojë integritetin e saj territorial, nderin dhe do të bëjë që pushtuesit terroristë të pendohen për veprimet e tyre qyqar”.
Ndërkaq, lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u zotua se do të hakmerret ndaj Izraelit për vrasjen.
Në anën tjetër, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, menjëherë dënoi vrasjen, duke e cilësuar “akt qyqar dhe zhvillim të rrezikshëm”, sipas agjencisë shtetërore palestineze të lajmeve, WAFA.
Disa shtete kanë dënuar sulmin. Rusia e ka quajtur “vrasje të papranueshme politike”, ndërkaq Turqia ka paralajmëruar se vrasja e liderit politik të Hamasit do të zgjasë luftën mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.
Kur u pyet për sulmin që vrau Haniyeh, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u tha gazetarëve në Filipine – ku po zhvillonte një vizitë – se “nuk kam informacione shtesë për t’iu dhënë”.
Më herët gjatë 30 korrikut, Izraeli pretendoi se ka “eliminuar” Fuad Shukr, komandantin e grupit militant, Hezbollah, që Izraeli pretendon se qëndron prapa sulmit me raketa në fundjavë që vrau 12 të rinj izraelit.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit shkruan në X – që më herët njihej si Twitter – se Shukr, ka “drejtuar” sulmet e Hezbollahut.
Grupi libanez, Hezbollah, ende nuk ka reaguar për këtë ngjarje.
Shukr ishte në kërkim nga autoritetet amerikane për përfshirjen e tij të dyshuar në sulmin e vitit 1983 ndaj trupave amerikane në Bejrut. Uashingtoni kishte ofruar 5 milionë dollarë shpërblim për informacione për Shukr, i cili njihej edhe si al-Hajj Mohsin dhe gjendej në listën amerikane të terroristëve.
Hezbollahu, që rrallë mohon sulmet ndaj caqeve izraelite, ka mohuar se është përgjegjës për sulmin e 27 korrikut në Lartësitë e Golanit, të pushtuara nga Izraeli. Por, Izraeli është zotuar se do t’i hakmerret grupit që mbështetet nga Irani.
Izraeli është zotuar se do të vrasë udhëheqësit e Hamasit për shkak të sulmit që grupi radikal palestinez kreu brenda territorit izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona. Afër 250 të tjerë janë rrëmbyer, disa prej të cilëve që atëherë janë liruar.
Disa nga pengjet kanë vdekur në Gazë, teksa Izraeli po kryen një operacion masiv ushtarak që thotë se ka për synim eliminimin e Hamasit. Disa nga pengjet besohet se ende janë gjallë.
“Vrasja e liderit të Hamasit do t’i bëjë më të vështira negociatat dhe uljen e tensioneve. Gjërat do të bëhen më të dhunshme dhe situata do të përkeqësohet e nuk do të përmirësohet”, tha Areepen Uttarasin, politikan tajlandez i cili është një prej negociatorëve në bisedimet për lirimin e pengjeve që mbahen në Gazë nga Hamasi.
Haniyeh ka qenë pjesë e Hamasit për dekada të tëra dhe u bë shef politik i grupit më 2017. Ai ka jetuar në Rripin e Gazës deri më 2019 dhe më pas ka jetuar në mërgim në Katar.
Gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë, Haniyeh ka udhëtuar nëpër shtetet e Lindjes së Mesme ku ka marrë pjesë në negociatat ndërkombëtare për konfliktin, përfshirë edhe në negociatat për lirimin e pengjeve që ende mbahen nga Hamasi./REL