REAL POLITIK NR. 102
19 JANAR – 16 SHKURT 2025
Komente “ flash” mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur,
DR. JORGJI KOTE
1.Ligji i forcës mbi forcën e ligjit! Ky është rreziku i madh pas ardhjes në pushtet të Presidentit Trump, i cili advokon ”diplomacinë e fuqisë ose të forcës” Çka do të thotë se parimi themelor i 80 viteve të fundit i ” forcës së ligjit” ndërkombëtar në trajtimin dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve në marrëdhëniet ndërkombëtare dy dhe shumëpalëshe tani e tutje të zgjidhen me ligjin e forcës. Dmth ai që është vendi më i madh, më i fortë, më i pasur, më i zhvilluar të diktojë me të gjithë forcën e tij mbi këto tjetër dhe mbi vetë ligjin ndërkombëtar, mbi traktatet, marrëveshjet dhe grupimet shumëpalëshe. Duke riaktivizuar teorinë e mëparshme të ” ekuilibrit të fuqive” të mëdha.
Problemi është se pikërisht kjo doktrinë e çoi njerëzimin në dy luftra të përgjakshme dhe shumë konflikte të tjera të dhunshme. Ishte pikërisht dështimi dhe denoncimi i kësaj doktrine të rrezikshme që çoi në krijimin e organizatave dhe agjencive shumëpalëshe si OKB, Banka Botërore dhe FMN-ja, si dhe ato kontinentale si BE-ja, NATO, KiE-ja, ku të gjitha vendet anëtare diskutonin me frymë konstruktive, me lëshime dhe kompromiset e rastit dhe nga pozita të barabarta për trajtimin dhe zgjidhjen paqesore të konflikteve. Vërtet që ka patur dhe ka shumë probleme dhe mosmarrëveshje në gjirin e tyre, por ato kanë funksionuar, duke dëshmuar se janë alternativa më e mirë dhe më e sigurt për paqe të përhershme.
Ndërkohë, zbatimi i kësaj doktrine dhe dhuna apo forca në pushtimin e vendeve të ndryshme do të krijonte një precedent të rrezikshëm kudo në botë. Nëse SHBA-të do të përdorin dhunë të armatosur ndaj Panamasë, Groenlandës, etj, atëhere kush do ta pengonte Kinën të pushtonte Tajvanin, Rusinë vendet balltike dhe kështu ”efekti domino” do të vijonte, duke ripërsëritur skenarët vdekjeprurës të periudhave përpara vitit 1945.

2. Diplomacia shumëpalëshe do të jetë viktima e zbatimit të kësaj doktrine. Më konkretisht organizatat shumëpalëshe – OKB-ja, KiE-ja, OSBE-ja, OBT, OBSH, UNESCO, NATO, BE-ja dhe ato rajonale. Në fakt, ashtu si 5 vite më parë, Presidenti Trump nxitoi të shpallte daljen nga Traktati i Klimës i Parisit, Këshilli i të Drejtave të Njeriut të OKB-së me seli në Gjenevë, OBSH-ja, po mendohet për UNESCON, etj. Me vendosjen e njëanshme të tarifave ndaj importeve të huaja, ajo po del praktikisht dhe nga Organizata Botërore e Tregtisë dhe po vepron kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë. Tani pritet me shumë shqetësim të shihet qëndrimi i SHBA-ve ndaj NATO-s dhe BE-së, sidomos lidhur me një paqe të qëndrueshme në Ukrainë, Lindjen e Mesme, në Ballkan, dhe kështu me radhë. Mirëpo siç e thamë, dëmtimi dhe gjymtimi i këtyre organizatave shumëpalëshe do të dobësonte ndjeshëm efektivitetin e të drejtës ndërkombëtare dhe do të nxiste ligjin e më të fortit mbi të drejtën ndërkombëtare. Edhe pse dosje të tilla të nxehta planetare si ngrohja globale, klima, krimi, mjedisi, pandemitë zgjidhen vetëm në mënyrë shumëpalëshe dhe asnjë vend i vetëm sado i madh e i fuqishëm, as SHBA-të nuk i zgjidhin dot të vetme.
3. Perëndimi në rrezik! Ca më keq akoma, masat e lartpërmendura, të shoqëruara me mospërfilljen dhe luftën tregtare ndaj BE-së, dobësimin e NATO-s, etj do të ndikojnë mbi Perëndimin, rolin dhe deri te mbijetesa e tij. Kësisoj, Europa, si pjesa vitale e Perëndimit mund ta gjejë vehten të shtypur si sanduiç midis SHBA-ve, Kinës dhe Rusisë, duke u ndarë për herë të parë mbas 100 vitesh nga pjesa Atlantike, dlmth SHBA-të. Mirëpo, BE-ja u krijua si projekt paqeje, begatie ekonomike dhe demokraci liberale. Ndërkohë, sigurinë dhe mbrojtjen e saj do ta bënte NATO me SHBA-të në krye. Pikërisht kjo paradigmë mund të prishet tani nëse Trump do të zbatonte doktrinën e tij të ligjit të forcës. Kur me të drejtë askush nuk kishte menduar më parë se një ditë do të vinte një president amerikan dhe do të prishte këtë aleancë duke përçarë dhe vetë Perëndimin. Ndaj, tani BE-ja ka filluar përgatitjet që në rast rreziku të mbrojë vehten dhe pa SHBA-të. Një proces i gjatë, i kushtueshëm dhe pa garancitë e duhura nëse SHBA-të do të shihnin vetëm punën e tyre. Bashkë me të do të vihen në diskutim dhe vlerat themelore të demokracisë liberale, shenja dalluese e Perendimit. Kështu, ky i fundit do të ndahej më dysh, duke u zëvendësuar nga sajesa dhe krijesa tashmë të njohura me pasoja të paparashikueshme mbi real politikën botërore. Ndonëse në formë të ndryshme, do të rishfaqen sërish dukuritë, konfliktet dhe luftrat shkatërrimtare të 100 viteve më parë të provokuara dhe nga forcat e ekstremit të djathtë të cilat janë në ofensivë të përgjithshme në Europë dhe kudo në botë.

4. Munihu përçau Perëndimin! Kjo mund të thuhet pas Konferencës së Sigurisë në Munih ( 14 – 16 Shkurt) Fjala ” pa doreza” e Nënpresidentit Vance shtangu dhe zhgënjeu të gjithë drejtuesit dhe përfaqësusit europianë. 18 vite më parë audienca shtangej nga Putini, këtë radhë nga aleati i saj më i madh historik, SHBA-të. ”Asnjë rrezik nga Kina dhe Rusia por nga brenda, hiqni kordonet sanitare ndaj ekstremit të djathtë, mos cënoni lirinë e fjalës dhe mos burgosni liderët opozitarë”! Për Rusinë dhe Ukrainën asnjë fjalë, por SHBA-të do të ulen në tryezë më Rusinë ama pa BE-në, pa territoret e viti 2014, pa NATO, pa trupa amerikanë por vetëm europianë në Ukrainë; plus ajo të kthejë 500 miliard Euro ndihma me pasuritë e saj të rralla nëntokësore. BE-ja të blejë armë dhe gaz te SHBA-të, ndryshe do të ketë kamzhik, taksa dhe tatime! Shkurt, SHBA-të shënuan krisjen e madhe ndarëse të bllokut perendimore. Tani BE-ja, duke nisur nga Samiti i Parisit më 17 Shkurt do të zbatojë parimin “ Dy duart për një kokë”, do të marrë situatën vetë në dorë, të përgatitet seriozisht për mbrojtje dhe luftë, nëse do paqe. Është koha t’i jap fund dilemave hamletiane, të tregojë ”dhëmbët dhe muskujt” i duhet vetëm të shfaqë vullnetin dhe vendosmërinë e saj historike. ”O sot o kurrë”, kjo është motoja e samitit të Parisit. Për të mbijetuar, për të mbrojtur, interesat dhe vlerat e saj themelore kundër çdo rreziku nga brenda dhe nga jashtë qoftë.Me besimin se do të vijë prapë ajo ditë që aleanca e saj historike me SHBA-të të ringjallet dhe rivitalizohet sërish, se ”gjaku nuk bëhet ujë”.
© 2025 Argumentum