Banka e Shqipërisë synon të rrisë përfshirjen financiare të popullsisë në sistemin bankar dhe në pagesat online.
Ligji i miratuar së fundi nga Banka e Shqipërisë, ndihmoi ndjeshëm në zhvillimin efikas të tregut vendas të pagesave, reduktimin e kostove të këtyre shërbimeve dhe rrjedhimisht dhe nxitjen e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave.
Zv.guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, në një intervistë televizive u shpreh se “sot vetëm 40% e popullsisë është e përfshirë në sistemin bankar dhe ky ligj synon që deri në 2022, 70% e popullsisë të jetë e përfshirë në sistemin bankar.”
Ligji i ri i hap rrugë krijimit, licencimit, organizimit, të institucioneve (agjentëve të pagesës) që sipas Minxhozit, “do të jenë të hapura të gjitha mundësitë për të bërë blerje online, por edhe tregti elektronike.”
Lidhur me rritjen e sigurisë së pagesave online, ajo tha se, “ligji i ri parashikon ngritjen e një njësie të dedikuar për mbrojtjen e konsumatorit pranë Bankës së Shqipërisë që do të marrë përsipër rolin e zgjidhjes së rasteve që nuk kanë pasur zgjidhje të pranueshme për konsumatorin.”