Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot delegacionin e Senatit të Republikës Çeke, të kryesuar nga zëvendëspresidenti, Jiri Oberfalzer, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë.
Kryetarja Nikolla vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë politik dhe në fusha të tjera si rendi publik dhe siguria, mbrojtja, energjia, infrastruktura hekurudhore, transporti, menaxhimi i ujërave, turizmi, bujqësia, industria ushqimore, arsimi, shkenca, kultura etj., dhe nënvizoi se janë të gjitha mundësitë që ky bashkëpunim të avancojë e të zgjerohet.
Nikolla shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Republikës Çeke si një avokate për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe besimin se kjo mbështetje do të vijojë.
Nikolla shprehu gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e Kosovës, për faktin se vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës u mor gjatë Presidencës Çeke të BE-së si edhe për mbështetjen e aplikimit të Kosvës për pranim në Këshillin e Evropës.
Zëvendëspresidenti i Senatit, Jiri Oberfalzer, shprehu vlerësimin për bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve dhe nënvizoi se Republika Çeke do të vazhdojë të mbështesë integrimin evropian të Shqipërisë, siç ka bërë që ditën e parë pas pranimit si vend anëtar i BE-së.
Kryetarja Nikolla dhe zëvendëspresidenti Oberfalzer diskutuan edhe për fuqizimin e bashkëpunimit parlamentar si nxitës i bashkëpunimit dypalësh dhe miqësisë mes popujve tanë.
/Argumentum.al