Në vijim të vizitës zyrtare në Kroaci, Kryetarja Lindita Nikolla dhe delegacioni i Kuvendit u pritën nga kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković.
Kryetarja Nikolla i shprehu kryeministrit Plenković mirënjohjen e Shqipërisë për ndërtimin e partneritetit strategjik me Shqipërinë, marrëdhëniet e shkëlqyera politike, mbështetjen e rrugëtimit evropian të Shqipërisë, sidomos gjatë Presidencës kroate të BE-së dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, i cili duhet dhe mund t’i përgjigjet bashkëpunimit politik e miqësisë mes dy vendeve.
Nikolla vuri në dukje vullnetin e Shqipërisë për të nxitur bashkëpunimin ekonomik në fushën e turizmit, bujqësisë, energjisë, legjislacionit për investimet dhe integrimin evropian etj.
Nikolla përmendi disa projekte konkrete të mundshme bashkëpunimi si vendosja e linjës direkte Zagreb-Tiranë, adresimi më me kujdes i përparësive të TAP-it, duke i dhënë më shumë mbështetje Gazsjellësit Adriatiko-Jonian dhe projektin e Autostradës Blu, si mbështetës për zhvillimin e turizmit rajonal të qëndrueshëm.
Kryeministri Plenković vlerësoi partneritetin strategjik mes dy vendeve dhe vuri në dukje se qeveria e Kroacisë e vlerëson mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë dhe treguesit e bashkëpunimit vijnë duke u rritur. Me investimet dhe projektet në fushën e transportit dhe infrastrukturës po krijojmë një korridor impulsiv që nxit shkëmbimet mes vendeve tona dhe bashkëpunimin rajonal.
Kroacia do të vijojë mbështetjen e fuqishme për pranimin e Shqipërisë në BE dhe do të ndihmojë me përvojën e saj të suksesshme procesin e negociatave.
Kroacia dhe Shqipëria mbajnë qëndrime të njëjta për prioritetet e zhvillimit rajonal.
Kroacia vlerëson qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës dhe dy vendet tona mbajnë qëndrime të qarta e të hapura për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë dhe japin mesazhe emancipuese e paqeje për komunitetin ndërkombëtar.