Teksa 4, ish-krerët e lartë të shtetit të Kosovës, njëherësh ish-drejtuesit e lartë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë përballur kohëve të fundit me akuza për krime lufte në Gjykatën e Hagës, kryeministri i vendit, Edi Rama, ka shpërndarë historinë prekëse të Kjan Gurit, një prej djemve që iu bashkua ushtrisë dhe si rrjedhojë humbi vëllanë e tij në luftë.
“Liria ka emër”, tha sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa solli në vëmendje dëshminë e Kjani Gurit, që si djalë i ri iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot përlotet në rrëfimin e tij për luftën dhe humbjen e vëllait bashkëluftëtar, në ndërkohë që UÇK përballet me epilogun dramatik të një kalvari të gjatë plot akuza, trillime, fabrikime, për drejtësinë e pastërtinë e luftës së saj heroike… Respekt dhe mirënjohje për çlirimtarët e Kosovës”, tha Rama.
“Kam qenë shumë i ri në moshë kur iu bashkova luftës për çlirimin e atdheut dhe ndihem shumë krenar për atë vepër që kam bërë”, nis rrëfimin e tij Kjani Guri.
Ai shprehet se “momenti më kulmor, momenti më i lumtur në jetë ishte kur veshi uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është organizimi më i mirë që njeh historia jonë kombëtare. Me organizimin e luftës së përgjithshme çdo gjë kurorëzohet. Kurorëzohen përpjekjet shekullore të qindra e mijëra vajza e djemve të cilët kanë dhënë jetën në periudha të ndryshme”, tha ai.
Guri tha se “është ndoshta rasti unik kur një forcë guerile të gëzoj mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, të vërë në lëvizje aleancën më të madhe siç është NATO dhe ta bëj aleat”.
“Më kujtohen disa moment shumë interesante. Meqënëse isha maturant në shkollën e mesme diskutohej që jo ekziston, jo nuk ekziston UÇK-ja. Unë vetë nuk flisja sepse një natë më parë ose tërë natën unë isha në shërbim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë luftëtarët e lirisë të cilët e kanë marrë pushkën në krah për t’i dalë zot kësaj toke e kanë ditur, kanë qenë të përgatitur se edhe të merr plumbi. Mirëpo ajo nuk ka qenë temë diskutimi, sepse përpara ne kemi pasur një qëllim madhor, të çlirojmë këtë vend një herë e përgjithmonë”, tha ai.
Kjani kujton se “pas rënies së vëllait, Komandantit, heroit të kombit tashmë, Feriz Guri, dëshira e babait ishte që unë ta trashëgoj e ta mbart armën e tij”. “Dhe ai kishte porosi dhe një mesazh të qartë: Unë kam djem edhe të tjerë për Kosovën dhe se lufta për liri duhet të vazhdoj deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës”, kujton ai.
“Të jem i sinqertë luftat nuk janë të mira, nuk i do askush sepse lufta marrin jeta të njerëzve. Rasti jonë është komplet rast tjetër në raport me luftat e tjera që zhvillohen gjithkah nëpër botë. Lufta jonë ka qenë luftë çlirimtare, për mbrojtjes. Kjo është madhështia e saj sepse UÇK nuk ka bërë krime siç janë këto pretendimet e sodit që mundohen me e njollos me çdo kusht. Nuk ka bërë krime. Ka bërë luftë mbrojtës”, shprehen Kjani Guri.
Ai shton se “ushtria dhe policia serbe ata nuk kanë kursyer asgjë. Nuk kanë kursyer as fëmijët, as gratë shtatzëna, as motrat e nënat tona, as baballarët dhe as pleqt”.
“Është për t’u habitur me drejtësinë ndërkombëtare, me botën dhe Europën e qytetëruar. Si është e mundur edhe pas 21 viteve të gjithë ata kriminelë që kanë kryer masakra ende nuk kanë dalë para drejtësisë. Po çfarë drejtësie është kjo? Për mua kjo nuk është drejtësi”, shprehet ai.