Qindra qytetarë të Prishtinës kanë mbushur sheshet, në një protestë të organizuar kundër mbajtjes në burg të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Marshi i Drejtësisë po mbahet një ditë para nisjes së gjykimit kundër katër komandantëve të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Më herët, ideatorët e platformës “Liria ka emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re.
Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, mbi bazat se ky proces është i njëanshëm, pasi që në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.
Përveç partive opozitare, edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka mbështetur këtë iniciativë. Më parë, organizatorët janë shprehur se “Marshi për drejtësi” është ideuar për ta ruajtur “të vërtetën për luftën e UÇK-së”.
Të hënën, më 3 prill do të nisë gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat thuhet se janë kryer kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999. Ata janë deklaruar të pafajshëm për këto akuza.