Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka ritheksuar rëndësinë e hapjes së negociatave të Shqipërisë në BE.
Teksa priti një delegacion të përbashkët të dy vendeve të BE-së, Irlandës dhe Finlandës, Lleshaj tha se hapja e negociatave këtë vit do të vinte si një vazhdimësi e natyrshme e procesit të integrimit europian të vendit e si një shtysë për vazhdimësinë e thellimin e reformave në vend.
Në takimin ku të pranishëm ishin edhe Ambasadorët e vendeve përkatëse në Shqipëri, zyrtarë të lartë nga Ministritë e Jashtme të të dy vendeve dhe ekspertë të çështjeve të Ballkanit dhe zgjerimit të BE-së, u diskutuan reformat e ndërmarra nga vendi ynë në lidhje me integrimin në BE.
Palët diskutuan gjithashtu edhe për rolin dhe punën e Ministrisë së Brendshme në kuadrin e forcimit të kapaciteteve të Policisë së Shtetit me synim integrimin e vendit por edhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh.
Delegacioni do të bëjë takime edhe në parlamentin shqiptar si dhe në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.