Gjykata e Tiranës ka vendosur të pushojë çështjen ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishit lidhur me lobimin rus. Kryedemokrati përfaqësohej nga dy avokatët, Eduard Halimi dhe Ivi Kaso. Për Halimin, vendimi i sotëm ishte një vendim i drejtë që rrëzoi të gjithë gjuetinë e shtrigave që për dy vjet u mbajt në korridoret e prokurorisë.
“Nuk kishte asnjë lidhje PD dhe nuk kishte asnjë vepër penale, nuk ishte shkelur asnjë ligj nga PD dhe zyrtarët e saj. U vërtetua katërcipërisht se vepra penale nuk ekziston, fakti nuk ekziston dhe vendim i sotëm ishte një vendim për tu përshëndetuar, pra ishte një vendim drejtësie. Ky ishte një vendim që rrëzoi tërësisht gjithë akuzën, gjithë gjuetinë e shtrigave që për dy vjet u mbajt në territorin e prokurorisë”, u shpreh Halimi.
Akuzë të montuar politikisht e ka cilësuar ish-deputeti Arben Ristani akuzën ndaj tij, kreut të PD-së dhe financierit të Ilir Dervishit. Ristani ka folur pak minuta pasi gjykata e Tiranës vendosi të pushojë çështjen për falsifikim nga tre zyrtarëve të PD. Ai tha se fakti nuk ekziston dhe se veprimet e PD janë normale dhe të bazuara në ligj. “Fakti nuk ekziston, veprimet e kryera nuk janë të rrezikshme por janë normale dhe të bazuara në ligj. Për këtë arsye gjykata vendosi të pushojë çështjen. Prokuroria në këtë rast është një rast i pastër për t’i treguar publikut si shndërrohet një organ i drejtësisë kur frustrohet nga dhuna politike. Prokuroria kërkoi dy gjëra më pas vjen edhe një urdhër i tretë që përjashtonte një prej prokurorëve, pra një çorganizim. Akuzë e montuar politikisht. kanë qenë veprime totalisht ligjore nga ana e PD. Sado që të ndikojmë tek drejtësia gjithmonë do ketë njerëz që do japin drejtësi. Drejtësia është ajo që i mungon këtij vendi. PD ka paguar para që rrjedhin nga buxheti i saj dhe që rrjedhin nga KQZ”, deklaroi Ristani.
Ai tha se nuk e di se si do të veprojë prokuroria por se gjithmonë do të ketë dhe brenda prokurorisë njerëz të përgjegjshëm. “Unë parashikoj që njerëzit e drejtësisë do të japin drejtësi dhe që brenda prokurorisë ka njerëz të përgjegjshëm. Falsifikim me mosveprim është një akuzë që dhe një studenti t’ia thuash… A mund të ketë logjikë normale? Erdha sepse në karrierën time këtë sallë e kam parë nga pozicioni i gjykatësit e avokatit kisha kuriozitet ta shikoja dhe si i akuzuar”, u shpreh Ristani.