Lideri demokrat, Lulzim Basha është paraqitur pak minuta më parë në Prokurorinë e Tiranës. Kujtojmë se për të kishte një fletë-thirrje nga organi i akuzës për tu pyetur për çështjen e lobimit në SHBA.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha i ka paraprirë shoqërimit me forcë duke u paraqitur vetë në Prokurorinë e kryeqytetit paraditen e sotme në orën 10:15 minuta. Liderit të opozitës po i komunikohet zyrtarisht akuza si i pandehur për dosjen e lobimit rus në SHBA në fushatën e zgjedhjeve të 2017.
Lulzim Basha së bashku me ish-sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani që u paraqit dje në prokurori, por edhe Ilir Dervishin sipas prokurorisë akuzohen për falsifikim dhe fshehje të financimeve. Vendimi i prokurorisë së kryeqytetit vjen pas letër-porosive nga SHBA. Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.
Prokurorisë së Tiranës i janë dashur 20 muaj hetime për të dalë në konkluzionin se Lulzim Basha, kryetar i PD dhe dy funksionarët e lartë të kësaj partie duhen të merren të pandehur për financimin e dyshimtë të përdorur për lobimin në SHBA.
Por PD-ja, u shpreh per presion me urdher te Rames, ne adrese te prokuroreve te ceshtjes per shoqerimin me force dhe arrestimin e Bashes.
Basha në fillim kërkoi informacion shtesë për faktet që përmban dosja, ndërsa sot mësohet se ka vendosur të shkojë para prokurorëve.