Në një konferencë për mediat, Meta tha se si President e ka paralajmëruar me kohë këtë situatë dhe është gati të ballafaqohet me të gjithë aktorët.
Madje Meta tha se siç kërkoi hetim ndërkombëtar për teatrin, do t’u kërkohë Ambasadorëve edhe hetim për reformën në drejtësi.
Ilir Meta: Kur kam parasysh Këshillin Politik nuk kam parasysh Këshillin Politik të reformës zgjedhore, është i një niveli më të lartë, mund ti vënë emër tjetër. Të gjithë ato çështje që kërkojnë zgjidhje nga BE kërkojnë përfshirjen e opozitës reale, duhet gjetur një mekanizëm për të përfshirë opozitën reale. Prandaj janë vënë këto kushte se kemi probleme me legjitimitetin e sistemit tonë demokratik që nga parlamenti, mosfunksionimi i institucioneve të drejtësisë. Sa më takon mua kam 4 vjet që u kam thënë stop lojërave me reformën në drejtësi.Ambasadorja ka të drejtë se kaluan 4 vjet dhe shohim vetëm lojëra, nuk shohim një produkt konkret dhe serioz të zbatimit të kësaj reforme.
Këtë e tregojnë më së miri renditjet e Shqipërisë, kushtet e BE për Shqipërinë. Shqetësimi është i drejtë se aktorët politikë kanë luajtur me këto çështje, Presidenti nuk është aktor politik por kryetar shteti. Presidenti ka qenë gjithmonë në krye të detyrës edhe sa i takon veprimeve të tij për reformën në drejtësi sipas Kushtetutës. Nuk ka surprizuar askënd me veprimet e tij, as partnerët vendas dhe as ata ndërkombëtarë sepse gjithçka ka qenë e dokumentuar. Për çdo akt që presidenti ka ndërmarrë ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithë institucioneve të tjera, ka njohur më përpara partnerët dhe ju e dini sesa lojëra janë bërë dhe zhvilluar.
Tani në këtë situatë, presidenti është i gatshëm të ballafaqohen të gjithë aktorët për të parë se kush ka bërë dhe vazhdon të bëjë lojëra me reformën në drejtësi. Unë nuk po negocioj asgjë përveç këtyre 14 pikave, këto i dinë të gjithë Ambasadorët e BE dhe ambasadorja amerikane që në 8 prill, i dinë edhe ambasadorë të tjerë miq të Shqipërisë si ambasadori britanik. Maskat e reformës kanë rënë me kohë, pavarësisht nga maskat që mbajnë për shkak të pandemisë ende.
Siç jam i gatshëm për hetim ndërkombëtar të çështjes së shembjes së teatrit, jam i gatshëm dhe do të kërkoj hetim për situatën me reformën në drejtësi. Si ishte Kushtetuta , si ishin ligjet e reformës të miratuara në mënyrë konsensuale dhe si janë zbatuar. Ilir Meta është ballë lartë sepse çdo veprim të tij e ka dokumentuar dhe ka bërë paralajmërimet me kohë për mungesën e bashkëpunimit apo i ka parajmëruar për lojërat e aktorëve të tjerë. Maskat kanë rënë dhe përgjegjësinë ta mbajnë ata që bëjnë lojëra prapa krahëve të popullit shqiptar dhe nuk duan të mbajnë asnjë përgjegjësi dhe nga e cila përfiton vetëm një njeri që është fabrika kryesore e thashethemeve në vendin tonë.
© Argumentum.