Nga Genc Mlloja
Në “Folenë e zogjve”, në Stadiumin mitik kombëtar të kryeqytetit të Republikës Popullore të Kinës, Pekin, ka rënë qetësia pas 20 shkurtit datë kur u ul sipari i spektaklit më të madh të Lojërave Olimpike Dimërore 2022 në botë në atmosferën e një ceremonie po aq vezulluese sa më 4 shkurt atëherë kur u shënua nisja e kësaj veprimtarie spektakolare që e karakterizon bardhësia- akulli e bora. Ekipet me flamujt e vendeve të tyre në krye të atletëve parakaluan nën magjinë vezulluese të dritave e fishekzjarrëve shumëngjyrëshe të hareshëm, por edhe të mbushur plot me emocione nga përjetimet e mrekullueshme për 16 ditë në këtë festë mbarëbotërore. Dukej sikur ata thonin ‘sa shpejt mbaroi kjo ëndërr! Ndërsa nën tingujt e këngëve të një kori fëmijësh, që krijoi emocione nga interpretimi i pjesëve muzikore ‘’Pekin 2008″, “Unë dhe ti”, “Pekin 2022”, “Fjollë e borës”, të cilat përçonin arritjen historike të kryeqytetit kinez, si i pari qytet organizator i Lojërave Olimpike Verore dhe i Lojërave Olimpike Dimërore, të gjithë të pranishmit ndër të cilët edhe Presidenti Xi Jinping dhe Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) Thomas Bach krah për krah, flaka olimpike në një pishtar të vendosur në mes një kulle gjigante në formë fjolle dëbore, u shua pak e nga pak.
U shua fizikisht flaka olimpike e ardhur nga lashtësia në Pekin por drita e ngrohtësia e saj janë shpërndarë nga “Foleja e zogjve” në të katër anët e rruzullit tokësor për të mbetur në zemrat dhe mendjet e sportistëve në radhë të parë, por edhe të mbarë njerëzimit nëpërmjet spektaklit 16-ditor sa sportiv po aq edhe magjiplotë. Dhe e paharruar do të mbetet panda gjigante e quajtur Bing Dwen Dwen, që ishte maskota zyrtare e olimpiadës. Në gjuhën kineze Mandarin, i cili është dialekti zyrtar i Kinës, “Bing” ka disa kuptime. Më i zakonshmi është kuptimi i akullit, i cili përshtatet për kontekstin e Lojërave Olimpike Dimërore. “Bing” gjithashtu simbolizon pastërtinë dhe forcën, ndërsa “Dwen Dwen” do të thotë i fortë dhe i gjallë, si dhe përfaqëson fëmijët.
Duke i shpallur zyrtarisht të mbyllura Lojërat, Presidenti i KON-it Thomas Bach deklaroi solemnisht se kjo fuqi bashkuese e Lojërave Olimpike është më e fortë se forcat që duan të na ndajnë dhe atletët i kishin dhënë paqes një shans. Nënteksti ishte i qartë se i gjithë eventi u zhvillua duke patur në sfond në një anë tjetër të botës tensione në rritje me zhvillime të paparashikueshme midis Rusisë dhe Ukrainës. Bach gjithashtu inkurajoi vendet që të vazhdojnë vaksinimin kundër Covid-19, duke thënë: “Në këtë frymë olimpike të solidaritetit, ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar: t’u japë akses të barabartë vaksinave për të gjithë në mbarë botën”!
Si pjesë e ceremonisë së mbylljes, Presidenti I KON-it Bach u dorëzoi flamurin Olimpik kryetarëve të bashkive italiane të Milanos dhe Cortino-s, që mirëpresin Lojërat Dimërore 2026.
Pjesëmarrësit në Lojëra nga 90 vende të ndryshme të botës dhe rreth 3.000 atletë që garuan po largohen njëri pas tjetrit, por gjatë, shumë gjatë do tu mbeten në kujtesën e tyre, të skalitura në CV-të e tyre sportive, përjetimet mbresëlënëse që kaluan, shpirti i fortë sportiv i garës, rezultatet që u arritën dhe medaljet e lëvdatat që fituan performancat e tyre. E konkretisht ekipi i Norvegjisë u rendit në krye të tabelës së medaljeve, duke fituar gjithsej 37 të tilla, përfshirë 16 medalje ari, Gjermania u rendit e dyta me 27 medalje, 12 nga të cilat ari, kurse vendi mikpritës Kina fitoi 9 medalje ari dhe 15 medalje gjithsej, duke arritur rezultatin e vet më të mirë deri më tani në olimpiadat dimërore.
Por mbi të gjitha për të tërë pjesëmarrësit dhe amatorët e këtij sporti kaq elegant do të mbetet organizimi i pashoq në ambjente sportive të ndërtuara në përsosmëri ku u kombinuan elementet njerëzore dhe teknologjike, si dhe mikpritja dhe disiplina e lartë sportive. Mbarë komuniteti ndërkombëtarë, e në mënyrë të veçantë të apasionuarit pas këtyre Lojërave, janë mahnitur nga një spektakël i magjishëm ku ishin ndërthurur tradicionalja me modernen, përdorimi i teknologjive ndër më të përparuarat si inteligjenca artificiale dhe 5G. U përdorën disa nga arritjet më të reja të Kinës në shkencë dhe teknologji, duke shfaqur teknologji të tilla si një stafetë pishtari nënujore, pajisje moderne sportive dhe kontrolli të temperaturës, automjete të reja me energji dhe lojëra të realitetit virtual. Si kurrë ndonjëherë më parë të gjithë kategoritë e garave kanë përcjellë më shumë se 200 risi shkencore dhe teknologjike, kurse të gjitha vendet e Lojërave furnizoheshin 100 përqind me energji të gjelbër.
Garat u zhvilluan në tre zona- Pekin, Yanqing dhe Zhangjiakou, dhe të 13 vendet e garave ku u zhvilluan rreth 109 evente në 15 disiplina që i përkisnin shtatë sporteve olimpike-biatlon, bobsling (duke përfshirë bobsleigh dhe skeleton), curling, hokej në akull, luge, patinazh (duke përfshirë patinazh të shpejtë, patinazh të shpejtë në pistë të shkurtër dhe patinazh artistik) dhe ski (duke përfshirë kategorinë alpine, cross-country, stil i lirë, dhe atë nordike; kërcim me ski dhe snow board) – u furnizuan me energji të rinovueshme, me diellin dhe erën si burime parësore të energjisë. Kjo ndodh për herë të parë në Lojërat Olimpike. Sistemet e ftohjes natyrale me CO2 u përdorën në katër pista akulli – hera e parë që kjo teknologji me ndikim të ulët klimatik u përdor në Kinë dhe në Lojërat Dimërore.
Populli kinez dhe mbarë popujt e botës shijuan për mëse 2 javë një prej demonstrimeve sportive më të magjishme, i pari i këtij lloji që nga përhapja e pandemisë. Duke kapërcyer çdo sfidë, duke thyer çdo paragjykim, duke mposhtur çdo sabotim e presion politik, që tani duhet ti bëjë me turp skenaristët e skemave të tilla regresive deri në armiqësore, organizatorët mikpritës kinezë në bashkëpunim të ngushtë me Komitetin Olimpik Botëror ia dolën të dhurojnë një mrekulli tjetër kineze me të cilat tashmë komuniteti ndërkombëtar është mësuar. ‘Mrekullitë’ po shtohen njëra pas tjetrës gjatë rrugëtimit drejt zhvillimit të Kinës në një vend të madh modern socialist me objektivin që ai të jetë i begatë, i fuqishëm, demokratik, i përparuar nga ana kulturore, në harmoni dhe i bukur më 2050.
Me përvojë të pasur nga Lojërat Olimpike të vitit 2008, të cilat ishin një mundësi për Kinën për të demonstruar potencialin e arritjeve të mëdha të popullit të saj dhe për ti vënë ato në shërbim edhe të mbarë njerëzimit, Pekini zyrtar e mbajti zotimin që Lojërat e 2022, më delikatet të zhvilluara ndonjëherë në botë për shkak të rreziqeve të pandemisë vdekjeprurëse, të zhvillohen në frymën “e gjelbër, gjithëpërfshirëse, të hapura dhe të pastra”.
Prandaj Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i dha Kupën Olimpike popullit kinez si mirënjohje për mbështetjen e tij për Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit të vitit 2022, çka e njoftoi presidenti i këtij Komiteti Thomas Bach gjatë sesionit të 139-të të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar mbajtur në Pekin më 19 shkurt një ditë para mbylljes së evenimentit.
“Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 nuk mund të kishin arritur këtë nivel të mrekullueshëm pa mbështetjen e popullit kinez. Ne arritëm të ndjenim ngrohtësinë, energjinë, mikpritjen dhe mbështetjen e tyre. Ata ishin shumë të përkushtuar për suksesin e Lojërave”, tha Bach. “Populli kinez nga të gjitha sferat e jetës, i të gjitha brezave, nga bota kulturore, artistët, shkencëtarët, inxhinierët, fëmijët e shkollave dhe mijëra vullnetarë, i priti i gjithi me shumë ngrohtësi sportistët dhe ne. Kjo ishte vërtet emocionuese dhe vendimtare për suksesin e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit”, shtoi ai. Edhe pas Lojërave Olimpike Verore të Pekinit të vitit 2008, KON-i i dha Kinës Kupën Olimpike, duke vlerësuar kontributin e saj të madh për olimpiadat. Komentet janë të tepërta se kur flasin ekspertët dashamirët duartrokasin ndërsa dashakeqët duhet të paktën të heshtin, që të mos demaskohen më tepër. Kurse Kina, populli dhe udhëheqja e saj duhet të jenë krenarë për këtë mrekulli tjetër që i shtohet në gjerdanin e arritjeve drejt zhvillimit e përparimit, miqësisë e solidaritetit me popujt e rruzullit tokësor. Patjetër ata duhet të ndihen edhe të lehtësuar që çdo gjë u zhvillua perfeksionisht sikurse ishin zotuar të ndodhte në këto kohë dramatike.
Përballë magjisë së bardhë olimpike të Pekinit edhe më tepër secilit pjesëmarrës në gara të ndryshme do ti mbetej peng i madh sikur të ishin mashtruar nga propaganda e shthurur amerikane dhe e disa vendeve perëndimore dhe të mos kishin marrë pjesë në këtë festë globale Olimpike ku iu dha mundësia të shpalosin talentet e tyre dhe garuan me kolegët nga mbarë bota krah për krah me frymën e konkurrencës së ndershme. E mira njerëzore ngadhënjeu mbi të keqen djallëzore që ka tejkaluar çdo masë duke u përpjekur të përçajë politikisht edhe sportistët, garat sportive, ëndrrat e tyre.
Por jo, motoja ‘”Së bashku për një të ardhme të përbashkët’ mbizotëroi në mes të gjithë ‘yjeve’ të këtyre sporteve të bardha suksesi i të cilave ia zbardhi më shumë faqen Republikës Popullore të Kinës. Nuk ka gjëra të pamundura për popullin e madh kinez i sprovuar me vështirësitë, i etur dhe ëndërrimtar për zhvillim, i paepur për triumf mbi sfidat, i lumturuar për të parë të gjithë komunitetin ndërkombëtar në paqe, mirësi dhe miqësi.
“Bota po i kthen sytë nga Kina dhe Kina është gati”, deklaroi Presidenti Xi Jinping përpara nisjes së Lojërave. “Ne do të bëjmë çmos për t’i ofruar botës Lojëra të efektshme, të sigurta dhe të shkëlqyera”.
Çfarë vlerësoi Presidenti i KON, Thomas Bach në një fjalim të shkurtër në ceremoninë e hapjes mbi diversitetin e Lojërave dhe deklarimi i tij kundër diskriminimit u bënë realitet në Pekin.
Me temperaturat nën zero në kryeqytetin kinez, ideale për garat, për tu kthyer në kohë e kujtuar ‘startin’, ceremonia filloi me një sekuencë hapjeje të fokusuar në rininë dhe pranverën sepse Lojërat Olimpike nisën në ditën e katërt të Vitit të Ri Hënor, festës më të madhe të Kinës, e cila njihet edhe si Festivali i Pranverës.
Statistikat dëshmojnë se delegacione shumë të mëdha të vendeve që i kanë traditë këto lloje kategorish sportive dimërore si Norvegjia, Rusia, Gjermania, SHBA, Kanadaja, e padyshim Kina, vendi organizator, u përfaqësuan në këto lojëra ku nuk munguan edhe vende që u përfaqësuan me nga një atlet i vetëm, duke përfshirë Shqipërinë, Timorin Lindor, Ganën, Indinë, Arabinë Saudite, Uzbekistanin etj.
Por është për tu shënuar një rast kuptimplotë se si sfida e frymës olimpike sportive dominoi mbi te keqen e errët politike: grupi amerikan përbëhej nga 223 sportistë, që shënoi delegacionin e dytë më të madh të këtij vendi të dërguar ndonjëherë në Lojëra të mëparshme olimpike.
“E ndjej se dëshiroj shumë të ndjekë këtë udhëtim olimpik sepse është me të vërtetë një dhuratë të jesh në skenën botërore në këto kohë”, konfesoi fituesja amerikane e shume medaljeve Jamie Anderson e cituar nga shtypi amerikan para fillimit të Lojërave kur stuhia anti-olimpike ishte në kulmin e saj në SHBA.
E meqë cituam një atlete është rasti të vëmë në dukje se 45 përqind e numrit total të atletëve që morën pjesë (rreth 3000) ishin femra dhe 47 përqind e eventeve ishin gara për femra, duke e bërë këtë Olimpiadë Dimërore më të balancuar ndonjëherë në aspektin gjinor.
Veç aspektit sportiv në këtë ngjarje të madhe të sportit botëror ishin të pranishëm figura të larta politike nga vende të ndryshme të botës dhe natyrshëm mund të thuhet se sporti e konkretisht Lojërat ishin një rast për të forcuar e shtuar lidhjet midis Kinës dhe pjesës tjetër të botës, përmes shkëmbimeve më të thella personale dhe kulturore. Presidenti kinez Xi Jinping dhe gruaja e tij Peng Liyuan organizuan një banket në Sallën e Madhe të Popullit për të mirëpritur mysafirët e shquar të huaj në ceremoninë e hapjes.
Mjafton sa më sipër (e ka shume e shume të kësaj natyre) për të treguar sa e turpshme ishte propaganda anti-olimpike amerikane e vulosur edhe nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, e cila i frikësonte sportistët amerikanë që të jenë të kujdesshëm se mund të përballen me ‘ndëshkime’ të ndryshme sipas ligjeve kineze.
Nëse zyrtarët amerikane e te disa vendeve perëndimore bojkotuan ceremoninë e hapjes ky veprim anakronik e inatçor nuk ua uli shkëlqimin Lojërave se në fund të fundit e ndriçuan atletët kinezë, rusë , norvegjezë , kanadezë, amerikanë, e të gjithë pjesëmarrësit nga 90 vende të ndryshme të botës. Ata iu gëzuan garave e çdo gjëje rreth tyre por domosdo më të gëzuar u larguan medalistët. Sipas të dhënave zyrtare, në total u shpërndanë 109 sete medaljesh – shtatë më shumë se në PyeongChang 2018.
Por vlerësimin më profesional për Lojërat e dha Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach nisur nga këndvështrimi i sportistëve, organizimi i garave dhe transmetimi dhe trashëgimia olimpike. Ai deklaroi qartas në një konferencë për shtyp më 18 shkurt se Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022” ishin shumë të suksesshme dhe atletët ishin shumë të kënaqur.
“Në kontekstin e epidemisë globale, qeveria dhe populli kinez kanë ofruar një pritje të ngrohtë për atletët nga e gjithë bota dhe kanë ngritur një skenë ku atletët të tregonin veten”, tha Bach, i cili shtoi se atletët ishin shprehur të lumtur për mjediset e zhvillimit të garave, fshatin olimpik dhe qarkun e mbyllur. “Jam shumë i kënaqur me situatën e sigurisë. Përveç kësaj, atmosfera olimpike e këtyre Lojërave është më e forta krahasuar me Olimpiadat e mëparshme në të cilat kam marrë pjesë”. Kreu i KON tha gjithashtu se në këto Lojëra, shumë atletë kapërcyen dëmtimet e tyre dhe shumë vështirësi të tjera, u shfaqën në mënyrë aktive dhe shfaqën nivelin e tyre të shkëlqyer të garës, por kishte edhe shumë histori prekëse.
“Entuziazmi i njerëzve për Lojërat Olimpike Dimërore reflektohet gjithashtu në audiencën në të gjitha nivelet”, u shpreh ai. Ai theksoi se gjatë Lojërave Olimpike Dimërore, më shumë se 2.7 miliardë njerëz kanë ndjekur mediat zyrtare sociale të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Vetëm në Kinë më shumë se 600 milionë njerëz ndoqën Lojërat në TV. Përveç kësaj, Bach vlerësoi se teknologjitë dixhitale të transmetimit dhe komunikimit të kësaj Olimpiade Dimërore janë befasuese dhe ato do të nxisin për zhvillimin e ardhshëm të lëvizjes olimpike.
Bach përsëriti rëndësinë e trashëgimisë së Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit. Ai vuri në dukje se kontributi më i madh i Kinës në këto Lojëra është arritja e qëllimit për “të nxitur 300 milionë njerëz të marrin pjesë në sportet e akullit dhe borës”.
Kurse CMG (Grupi Mediatik i Kinës) ka njoftuar se ka mbajtur nivelin e lartë në transmetimin e këtyre Lojërave Olimpike, dhe deri më 17 shkurt, numri i shikimeve në platformën e CMG-së mbi ‘’Pekin 2022‘’ ka arritur në 48.474 miliardë herë.
Nga ana a e tij Yiannis Exarchos, zyrtari kryeekzekutiv i Shërbimeve të Transmetimit Olimpik, njoftoi më 17 shkurt se një numër rekord shikuesish po ndjekin Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022. Numri i ndjekësve të këtyre Lojërave në uebsajtin zyrtar ”olympics.com”deri më tani i ka kaluar 45 milionët, më shumë se i gjithë edicioni i 2018-ës në PyeongChang. “Pekin 2022” janë tashmë Lojërat Olimpike Dimërore më të shikuara në Kinë, raportoi “China Daily”.
Exarchos vuri në dukje se Lojërat Olimpike kanë pasur një numër të madh shikuesish edhe në vende të tjera, përfshirë Japoninë, SHBA-në, Kanadanë dhe Korenë e Jugut. Kjo veprimtari ka tërhequr dy miliardë shikime në platformat e mediave sociale deri më 17 shkurt, shtoi ai. Lojërat Olimpike Dimërore zakonisht nuk janë aq të ndjekura sa Lojërat Olimpike Verore, por Exarchos-i shprehu kënaqësinë për atë që ka arritur deri më tani Olimpiada e Pekinit.
Kurse ish-sportisti dhe eksperti gjerman i biatlonit Herbert Fritzenëenger u citua nga gazeta gjermane “Traunsteiner Tagblatt” të ketë thënë se Olimpiada Dimërore e Pekinit ka ofruar pajisje dhe pista të përsosura për sportistët e biatlonit. Ai mendon se sistemi i “qarkut të mbyllur” funksionon mirë dhe pjesëmarrësit në Olimpiadën Dimërore të Pekinit kanë ndjenjë të plotë sigurie dhe për ta tregohet kujdes shumë i mirë në hotel. “Kina është shumë profesionale në trajtimin e problemeve antiepidemike dhe personeli është shumë miqësor dhe ndihmues”, tha Herbert Fritzenwenger.
Nga ana e tij zëdhënësi i MPJ kineze Wang Wenbin tha se njerëzit nga e gjithë bota brohorasin për Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, çka është mishërim i plotë i shpirtit olimpik. Sipas tij, shumë media të huaja kanë raportuar për Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit me tituj si ‘Rekord i shikueshmërisë së Lojërave Olimpike Dimërore’. Kjo tregon që, megjithëse epidemia po përhapet, pasioni, gëzimi dhe miqësia që sjellin sportet e akullit dhe borës, përjetohen nga popujt në mbarë botën dhe bashkimi, bashkëpunimi dhe shpresa nga Lojërat Olimpike kanë sjellë besim dhe forcë në të katër anët e botës, tha ai.
Por shkëlqimi i Lojërave është shoqëruar edhe me një efekt pozitiv të tyre në aspektin ekonomik. Kësisoj i ashtuquajturi bojkot diplomatik perëndimor nuk i ka penguar partnerët mbarëbotërorë të Lojërave Dimërore, të cilët përfshijnë kompani të tregtuara publikisht si Airbnb ABNB, +4,00%, Alibaba Group BABA, -1,01%, Coca-Cola KO, -1,06%, P&G PG , -1.59%, Toyota TM, -1.33%, Visa V, -1.36% e shumë të tjera të jenë pjesë e festës. Në një ‘ndërrim toni’ përballë realitetit të bujshëm shumë media perëndimore i kushtuan vëmendje rritjes ekonomike të Kinës të sjellë nga Olimpiada. Për shembull agjencia “Reuters” vinte në dukje më 14 shkurt se Olimpiada i ka dhënë shtysë rritjes ekonomike në Kinë. Ajo po zhvillohet në kohën e Festës së Pranverës, festa tradicionale kineze, që ka sjellë gjithashtu një frymë të rritjes ekonomike të Olimpiadës Dimërore.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë së Kinës, nga 10 janari deri në 7 shkurt të vitit 2022, mallrat e Olimpiadës Dimërore dhe pajisjet përkatëse janë shitur shumë mirë në internet. Sidomos vëllimi i përgjithshëm i shitjes së mallrave përkujtimore të Olimpiadës Dimërore u ngrit 21.2 herë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kurse shitja e pajisjeve dhe e veshjeve të skive u shtua përkatësisht 62 përqind dhe 30 përqind.
Përveç kësaj, nga të dhënat e platformave të tregtisë elektronike del se gjatë Festës së Pranverës vëllimi i shitjes së veshjeve të skive u shtua mbi 180 përqind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vëllimi i përgjithshëm i shitjes së mallrave të sporteve të akullit u rrit mbi 300 përqind dhe të ardhurat e zonave turistike të dëborës u shtuan mbi 80 përqind. Ndërkohë shitja e suvenireve të Olimpiadës Dimërore të Pekinit u shtua afro 27 herë, kurse shitja e biletave për parqet me temë dimërore dhe pistat e skive në Kinë pati rritje përkatësisht prej 131.5 dhe 95.2 përqind. Kina synon zgjerimin e vëllimit të industrisë së sporteve dimërore në një trilion juanë deri në vitin 2025.
Kurse, prodhuesi kryesor zviceran i skive, “Stockli Swiss Sports” bëri të ditur se Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022 i kanë dhënë një shtysë të re biznesit të tyre në Kinë dhe pret të shohë rritje dyshifrore të shitjeve gjatë viteve të ardhshme. Christian Gut, shefi i shitjeve dhe marketingut i “Stockli”, deklaroi gjatë një interviste për “Xinhua” se beson që edhe pas Olimpiadës, tendenca e rritjes së sporteve dimërore në Kinë do të vazhdojë. “Kina ka potencialin të bëhet një nga tregjet më të mëdha në botë në vitet e ardhshme dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne”, tha Gut. Ai tha se Lojërat i dhanë një shtysë të madhe biznesit të “Stockli” dhe theksoi se vitet e fundit është parë investim masiv në tregun kinez, në vendpushimet e skive. Ai tha se pret që shumë skiatorë kinezë të shkojnë në malet zvicerane, pasi të hiqen kufizimet për shkak të pandemisë.
Nga ana tjetër, qysh nga viti 2015, kur Kina fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Olimpike Dimërore 2022, 346 milionë kinezë kanë marrë pjesë në sportet dimërore. Kështu, Kina e mbajti premtimin e bërë prej saj kur paraqiti kërkesën për organizimin e kësaj veprimtarie.
Nuk mund të mos vihet në dukje konstatimi se ‘qielli blu’ i Pekinit ka tërhequr vëmendjen e gjerë krahas madhështisë së shfaqjeve të sportistëve të vendeve të ndryshme e shumë media të huaja e kanë pasqyruar këtë fakt.
Festa vazhdon në Pekin. Më 4 mars 2022 mikpritësit kinezë do të presin rreth 600 atletë ndër më të mirët paralimpikë në botë, që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore Paralimpike 2022. Ata do të zgjasin deri më 13 mars, dhe autoritetet kompetente kineze kanë deklaruar se do të bëjnë të pamundurën që edhe ato Lojëra të kenë shkëlqimin e Lojërave Olimpike që sapo përfunduan.
Në këtë shkrim të ‘pas Lojërave’, tash që garat kanë përfunduar dhe sportistët janë kthyer në vendet e tyre, nuk mund të mos vihet në dukje se performanca dhe rezultatet e tyre janë dëshmia më e qartë e marrëzisë së ‘bojkotit diplomatik’, dhe kanë të drejtë shumë sportistë të jenë të zemëruar me politikanët e tyre për inskenime armiqësore të tilla, që nuk kanë asgjë të përbashkët me frymën sportive të Lojërave Olimpike, e cila mbizotëroi në të katër anët e Kinës. Përkundrazi, ato i bënë shërbim paqes, miqësisë solidare midis popujve, shkëmbimeve njerëzore dhe përparimit të mbarë botës, që është aq jetik veçanërisht kur ajo ndodhet akoma e mbërthyer nga kthetrat e pandemisë. Sikurse deklaroi Fabio Massimo Parenti, studiues në Institutin Italian të Politikës, Ekonomisë dhe Shoqërisë, me rastin e Lojërave Olimpike Dimërore, si një veprimtari e madhe, Kina i kujtoi botës se sa shumë duhet të bashkohen qeniet njerëzore për të përballuar sfidat e momentit, në mënyrë që të realizojnë ëndrrën e shoqërisë njerëzore për paqen dhe bashkëjetesën harmonike të njeriut dhe natyrës.
Pishtari që u ndez për fillimin zyrtarisht të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekin 2022 nën moton “Më shpejt, më lart, më të fortë – sëbashku”, si dhe Lojërat Olimpike Dimërore Paralimpike 2022, do të mbetet historikisht simbol ndriçimi i mendjes dhe rrugës për mbarë komunitetin ndërkombëtar, që ta shikojnë botën si shtëpinë e tyre për një të ardhme të përbashkët të njerëzimit./CRI