Partia Socialiste propozon për shkarkimin e anëtarit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë Arben Malaj për shkak të “shkeljeve të rënda të etikës”, me anë të daljeve dhe prononcimeve të tij publike. Rast ky që në media është analizuar si një “hakmarrje “ e pastër e PS-së ndaj Zotit Malaj, nisur dhe nga përplasja e tij me kryetarin e Bashkisë ,Tiranë Z.Veliaj.
Megjithatë ndryshe nga hamendësimet mediatike, propozimi për shkarkimin e zotit Malaj, ka marrë forme zyrtare. Ajo mbështetet nga 28 deputetë socialistë, me në krye, drejtuesin e grupit parlamentar Taulant Balla. Ndërkohë që vetëm 6 muaj më parë i dhanë një mbështetje të hapur kandidaturës së zotit Malaj, për rikonfirmimin e tij si anëtar i Këshillit Mbikqyrës, Po cfarë ndodhi që u thye besimi i socialisteve ndaj figures së Malajt?
Kujtojmë se gjatë muajve të fundit Z.Malaj ka dalë kundër “vijës së partisë “ duke folur si njeri profesionist për krizen politike në vend dhe ndikimin e saj në ekonomine e vendit , gjë që si duket nuk është pëlqyer nga “partia mëmë” ,duke ditur që fjala dhe opinioni i një intelektuali dhe profesionisti si Arben Malaj zë vend tek publiku .
Një dokument prej 6 faqesh analizon sipas grupit të PS arsyet pse duhet shkarkuar Z Malaj, arsye të cilat jane rrezuar nga një analize e Zërit të Amerikës për këtë rast ku citon se :” Shkarkimi i një anëtari të Këshillit Mbikqyrës, përcaktohet nga Ligji për Bankën e Shqipërisë, i cili parashikon se ata “…mund të shkarkohen nga Kuvendi me propozim të shumicës së anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës, kur personi i propozuar për shkarkim gjatë ushtrimit të detyrës ka shkelur rëndë etikën e punës dhe ka cënuar thellë interesat e Bankës së Shqipërisë”. Ky përcaktim i ligjit nuk i lë hapësirë parlamentit të veprojë pa patur më parë një vendim nga vetë Këshilli.
Por për ta anashkaluar këtë, deputetëve socialistë, u është dashur t’i hyjnë interpretimeve ligjore, ndonëse për rastin në fjalë ligji është mëse i qartë. Ata i janë referuar Kodit të Procedurave Administrative, dhe sjellin në vëmendje faktin që parlamenti në rezolutën për Bankën e Shqipërisë, të miratuar në Maj të këtij viti ka kërkuar që “Këshilli të marrë në shqyrtim zbatimin e Kodit të Etikës nga anëtarët e tij..”, por që deri më tani sipas tyre nuk është reflektuar në veprimtarinë e Këshillit. Për pasojë, sipas deputetëve socialistë, atyre u lind e drejta që “kur një detyrë nuk zbatohet, apo refuzohet të zbatohet nga zyrtari i ngarkuar me ligj, atëherë kompetenca mund të ushtrohet drejtpërdrejt nga organi që ka detyrimin ligjor për të vendosur në lidhje me çështjen”, shkruhet në dokument duke ju referuar Kodit të Procedurave Administrative.
Duke mos dashur të hyj në interpretime ligjore me shumë se sa ato morale, duket qartë se kemi të bëjmë luftë brenda llojit, ku mendimi ndryshe anatemohet,sulmohet ,shantazhohet, sikunder do të reagonte dhe vete Z.Malaj në rrjetin social facebook: “fakti që pas shkarkimit nga Erdogan të Guvernatorit të Bankës së Turqisë, ky mund të jetë rasti i dytë që maxhorancat e gjithëpushtetëshme shkarkojnë një anëtar Bordi të Bankës Qendrore, vetëm profesionalisht më trishton”. Ai vijon më tej duke folur për “një veprim të pastër politik, sepse shkeljet etike materializohen me cënim të reputacionit apo eficencës së Bankës së Shqipërisë gjë që sipas vlerësimeve edhe të institucioneve ndërkombetare nuk konstatohen të tilla, por edhe në 7 mbledhjet e Bordit gjatë vitit 2019, nuk ka asnjë shqetësim të shprehur ndaj meje për shkelje etike. Mbledhja e fundit ishte në 3 Korrik 2019”, shkruan zoti Malaj duke saktësuar se “në respekt të institucionit të Bankës së Shqipërisë, nuk do të bëj asnjë deklaratë specifike përpara nisjes së balafaqimit institucional”.
Madje ai flet për një nisme të motoviuar politikisht ,duke akuzuar kreun e grupit socialist. “Kërcënimet paralajmëruese mi ka dërguar Taulant Balla, pas mos pranimit të ndërhyrjes së tij edhe me SMS me rekomandime partiake në proceset e përzgjedhjes në Bordin e Bankës së Shqipërisë. Shqetësimi është i protokolluar në mbledhjen e Bordit të Bankës së Shqipërisë”, shkruan Malaj në një postim në Facebook.
“Gjithë shqetësimet e mia për sfidat e Bankës së Shqipërisë që nga vetting-u për “bankierët miliarderë” të cilët çuan kreditë jo performuese të vendit deri ne 50% të totalit, më lartë se në çdo vend tjetër dhe debatet për këtë në Bord janë të gjitha të dokumentuara në procesverbalet e mbledhjeve të Bordit”.
“Sfidën e integritetit dhe profesionalizmit e kam përherë të fituar edhe gjyqin e ri partizan e kam të fituar moralisht, do ta fitoj edhe në rrugë gjyqësore, po pagat dhe penalitetet 7-vjeçare kush do t’i paguajë? 28 deputetët, apo taksapaguesit shqiptare?”, mbyll postimin Malaj.
Nese ka shkelur apo jo ligjin, apo etiken Z.Malaj , sipas pretendimeve te Partise Socialiste, këtë shpresoj ta përcaktojnë institucionet përkatëse duke u nisur nga këndvështrimi objektiv dhe jo ai përsonal që për teka individuale ti shpallin “luftë” kujtdo. Mjaft më me armiq të klases (!)
Kujtojmë se Arben Malaj ka qenë Ministër i Financave gjatë periudhës 1997-1998, Ministër i Ekonomisë gjatë periudhës 2002-2003 dhe sërish Ministër i Financave në periudhën 2003-2005, duke shërbyer edhe si Guvernator i Shqipërisë pranë Bankës Botërore.
Po ashtu në periudhën 1997-2013, ka qenë Deputet i Kuvendit të Shqipërisë, gjatë së cilës ka qenë edhe anëtar, zëvendëskryetar dhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.
Përtej emrit Arben Malaj,unë jam këtu në mbështetje të intelektualit dhe profesionistit , për të cilët sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë./m.d/ argumentum.al
© Argumentum