Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi të enjten urdhër-arrest për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish Ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe zyrtarët e Hamasit, të cilët i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në luftën në Gazë dhe sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit që u bë shkas për fillimin e luftës.
Vendimi i gjykatës i shndërron Kryeministrin Netanyahu dhe të tjerët në persona të pandehur, të kërkuar ndërkombëtarisht dhe mund të shkaktojë izolimin e mëtejshëm të tyre, duke ndërlikuar përpjekjet për të negociuar armëpushimin që do t’i jepte fund luftës 13 mujore. Por ndikimi i këtij urdhër-arresti mund të jetë i kufizuar ngaqë Izraeli dhe aleati i tij kryesor, Shtete e Bashkuara nuk janë anëtarë të gjykatës dhe disa nga zyrtarët e Hamasit tashmë janë vrarë gjatë konfliktit.
Kryeministri Netanyahu dhe udhëheqësit e tjerë izraelitë i kanë kritikuar në të kaluarën përpjekjet e Kryeprokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare Karim Khan si të turpshme dhe antisemite. Presidenti amerikan Joe Biden gjithashtu e ka kritikuar prokurorin ndërkombëtar dhe ka shprehur përkrahje për të drejtën e Izraelit që të mbrohet kundër Hamasit. Hamasi po ashtu e kritikoi kërkesën për urdhër-arrestet.
“Dhoma e gjykatësve konsideron se ka bazë të mjaftueshme për të besuar se, të dy individët, qëllimisht dhe me njohuri të plotë, i kanë mohuar popullsisë civile në Gazë gjërat e domosdoshme për të mbijetuar, përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet, si dhe karburantin dhe energjinë elektrike”, thuhet në vendimin unanim të panelit prej tre gjykatësish për urdhër-arrestin ndaj zotit Netanyahu dhe ish Ministrit të tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Ministria e Jashtme e Izraelit në shtator njoftoi se kishte dorëzuar argumentet ligjore që sfidojnë juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, duke argumentuar se gjykata nuk i dha Izraelit mundësi t’i hetojë akuzat përmes institucioneve të saj, para se të lëshonte kërkesën për urdhërarrest.
“Asnjë demokraci me një sistem të pavarur dhe të respektuar të drejtësisë, siç e ka Izraeli, nuk është trajtuar kaq padrejtësisht nga Prokurori”, shkroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite Oren Marmorstein në platformën X. Ai tha se Izraeli mbetet i “palëkundur në angazhimin e tij ndaj sundimit të ligjit dhe drejtësisë” dhe se do të vazhdonte t’i mbrojë banorët e tij kundër militantizmit.
Urdhërarrestet vijnë pasi ofensiva gjenocidale e Izraelit në Gaza së fundmi ka hyrë në vitin e saj të dytë, duke vrarë të paktën 44 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 103 mijë të tjerë.
Sulmet izraelite kanë çuar në zhvendosjen e pothuajse të gjithë popullsisë së territorit palestinez mes një bllokade të vazhdueshme dhe të qëllimshme që ka shkaktuar mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve duke e shtyrë popullsinë në prag të urisë.
/Argumentum.al