“Luftim e Mundim” titullohet ekspozita e çelur në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e 80-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë midis Muzeut Historik Kombëtar dhe Ambasadës së Republikës së Polonisë në Tiranë.
Të ftuar në ceremoninë e hapjes ishin personalitete të shumtë si, diplomatë dhe ambasadorë të akredituar në Tiranë, politikanë të ndryshëm, historianë dhe personalitete të fushës së artit dhe të fesë.
Fjalën e hapjes e mbajti Ambasadori i Republikës së Polonisë në Tiranë, Karol Bachura, i cili pasi përshëndeti të pranishmit tha se “në agimin e 1 shtatorit të vitit 1939 ushtria gjermane pushtoi Poloninë, duke filluar Luftën e Dytë Botërore. Lufta fillimisht u përhap në Evropë dhe më pas u zgjerua në gjithë botën, duke çuar në katastrofën më të madhe në historinë e njerëzimit, duke shkaktuar disa miliona viktima të pafajshme. “Luftim e Mundim” tregon historinë e luftës së popullit polak kundër regjimeve totalitare, për liri dhe heroizmin për të shpëtuar të tjerët, guximin e ushtarëve dhe popullit të thjeshtë, vëllazërimi i armëve dhe lufta për lirinë vendeve të tjetra – të gjitha këto meritojnë përkujtimin tonë”.
Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, ndër të tjerash theksoi se “kujtesa jonë kolektive për tragjedinë e Luftës së Dytë Botërore bashkon brezat dhe mbetet një shprehje respekti maksimal për sakrificat e paraardhësve tanë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Polonia pësoi dëme të mëdha materiale dhe njerëzore. Mjaft polakë u vranë në ekzekutime publike, ata u pushkatuan, u ekzekutuan duke u djegur të gjallë, ndërsa mjaft polakë të tjerë u asgjësuan në dhomat e gazit. Rreth 6.000.000 qytetarë polakë humbën jetën në Luftën e Dytë Botërore”./ata