Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë qëndrimit në Këshillin e Evropës ka zhvilluar një takim me delegacionin e Kosovës në këtë organizëm, me të cilët ka ndarë vizionin e PD për mënyrën se si Shqipëria duhet të bashkëveprojë në aksionin për mbështetjen e Kosovës dhe anëtarësimit sa më parë të saj në Këshillin e Evropës.
“Me ministren e jashtme të Kosovës, Donika Gervalla dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, duke diskutuar për një bashkëveprim të aksionit tonë në mbështetje të Kosovës dhe anëtarësimit sa më parë të saj në Këshillin e Evropës”, u shpreh Basha në një postim në rrjetet sociale.
“Detyra e Shqipërisë është të jetë në dispozicion dhe mbështetje të Kosovës me çfarë të ketë nevojë. Asnjë vendim apo veprim pa koordinim me Kosovën”, theksoi Basha.
“Sulmi terrorist i 24 shtatorit është një kambanë alarmi për faktorin ndërkombëtarë pasi pas tij fshihet skenari i ndarjes “de fakto” i Kosovës”, tha Basha.
“Duke përdorur Beogradin, Moska po vë në jetë strategjinë e saj të destabilizimit dhe futjes në kaos të Ballkanit Perëndimor, duke minuar krahun Juglindor të NATO-s.”, u shpreh Basha.
“Një organizim i tillë dhe një armatim aq i sofistikuar do të ishte i pamundur pa përfshirjen e aktorëve shtetërorë. Prandaj është i domosdoshëm një hetim i plotë i kësaj ngjarje, planifikuesve dhe urdhëruesve të saj”, theksoi kreu i PD.