Lulzim Basha hedh hapin e parë zyrtar për koalicionet. Kreu i Partisë Demokratike nënshkruan marrëveshjen e parë me aleatin e Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Dukën.
Lideri demokrat ka pranuar që Duka të jetë në tre emrat e parë të listës së koalicionit në qarkun e Durrësit, praktikisht te pjesa fituese.
Në 11 qarqet e tjera të vendit, PAA-ja do të ketë kandidatë në çdo qark, por jo në listën fituese.
Ndërkohë që në përfundim të procesit zgjedhor votat e marra nga kandidatët e PAA-së do të mblidhen për t’u përkthyer në poste në rast se arrijnë të qeverisin vendin ose zgjedhjet e ardhshme.
Gjithashtu bëhet me dije se kryedemokrati, Basha në vijim të punës për zgjedhjet e 25 prillit të 2021 vijon takimet me aleatët e tjerë. Këtë të mërkurë kryedemokrati është takuar me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu.
Sa i përket aleatit kryesor të Bashës, LSI-ja do të dalë me listat e veta në zgjedhjet parlamentare.