Me thirrjet “Kosova zemra e Shqipërisë”, Lëvizja Vetëvendosja në Tiranë po proteston kundër mini shengenit ballkanik.
Gjatë protestës ka patur edhe përplasje me policinë, ku protestuesit disa herë kanë tentuar të thyejnë kordonin.
Ditën e sotme në Tiranë ndodhet Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ndërsa Kosova nuk ka pranuar të marrë pjesë në këtë samit.
Protesta e Lëvizjes Vetëvendoje në Tiranë u transmetua LIVE në YouTube nga media serbe Tanjug. Mbërritja e Vuçiç në kryeqytet për minishengenin ballkanik është kundërshtuar nga LVV.
Profesori i Filozofisë, Elvis Hoxha tha se Samiti i sotëm në Tiranë për mini-shengenin Ballkanik është një rrezik kombëtar. Në një intervistë për Ora News gjatë protestës, ai u shpreh Rama bën veprime kundër popullisë shqiptare. Sipas tij, Rama është vegël e Vuçiç, i cili ka shprehur adhurimin për Millosheviçin.
Ora 17:30 -“Kosova zemra e Shqipërisë”
Protestuesit thonë se një njeri që nuk njeh krimet e luftës nuk duhet të vijë në Shqipëri dhe të kërkojë lëvizje të lirë.
“Unë po mbroj dinjitetin e shqiptarëve. A mori leje Vuçiç kur erdhi në Shqipëri? A jemi shqiptarë në Shqipëri apo e kemi me qira këtë tokë”, tha një protestues
“Janë ca kufoma që po ecin për inerci mbi tokë. Këta maskarenj kanë 30 vjet që na shkatërrojnë këtë komb. E ndjejmë se policët janë në siklet, se edhe ata gjak shqiptari kanë. Këtë bën kjo politikë që na vë në përplasje. Patriotët nuk e shkatërrojnë Shqipërinë, por e bëjnë Shqipërinë”, tha një tjetër protestues.
Mes shumë pankartave që mbajnë protestuesit, spikasin fotot e viktimave të masakrës së Reçakut. Kjo për shkak se presidenti serb, Vuçiç, e ka mohuar këtë masakër, edhe pse ajo ishte shkëndija që angazhoi ndërkombëtarët në sulmet ndaj Serbisë.