Presidenti francez Emmanuel Macron kërkon reformimin rrënjësor të rregullave të zonës Schengen. Gjatë një vizite në Le Perthus në rajonin e Pirenejve pranë kufirit me Francën, Macron bëri thirrje për krijimin e një trupe policore që do të sigurojë kufijtë e jashtëm të kësaj hapësire.
Qëllimi është kufizimi i hyrjes së emigrantëve të jashtëligjshëm, të cilët përbëjnë rrezik për shtimin e akteve terroriste në vendet e Bashkimit Europian. Shefi i Elizesë mori shkas nga sulmi terrorist i 29 Tetorit në Nice, i kryer nga një emigrant i paligjshëm nga Tunizia që kishte hyrë në Francë pas zbarkimit në Lampeduza në Itali.
Presidenti francez ka edhe një plan konkret për krijimin e një trupe policore kufitare europiane që të ketë në përbërje të paktën 4800 policë, të cilët do të mbajnë në mbikëqyrje kryesisht pikat hyrëse të emigrantëve në vendet e jugut të Europës.
Sapo kalojnë kufijtë e jashtëm, emigrantët shfrytëzojnë mungesën e kontrolleve kufitare mes vendeve të Schengenit për të shkuar në vendet e zhvilluara. Macron tha se planin do ta paraqesë në samitin e Dhjetorit të liderëve të vendeve të Unionit.