Bashkim Europian ka vite që grindet për migrantët. A do t’ia dalë njeriu më aktiv në politikën europiane momentalisht, presidenti francez, Emmanuel Macron ta ndryshojë më në fund gjendjen?
Presidenti francez, Emmanuel Macron kërkon një politikë migracioni më efikase në Europë. Mungesa e ujdisë për kompetencat e përgjegjësitë e ka penguar në të shkuarën politikën për të penguar lëvizjet masive dhe shpërndarjen e refugjatëve, ka thënë presidenti Macron pas takimit me kryeministrin italian, Giuseppe Conte në Romë. Ai shprehu besim në arritjen e mundshme të një mekanizmi shpërndarës automatik në Europë. “Ka një “dritare mundësish” për arritjen e një pozicioni të përbashkët, “me qëllim që të gjitha vendet të marrin pjesë në një ose në një formë tjetër të solidaritetit europian ose të ndëshkohen financiarisht”, tha ai.
Giuseppe Conte dhe Emmanuel Macron
Vizita e parë
Emmanuel Macron është politikani i parë i nivelit të lartë nga Europa që viziton qeverinë e re të të majtës dhe qendrës në Itali. Ai u takua edhe me kreun e shtetit, Sergio Mattarella. “Kjo miqësi është e pashkatërrueshme”, tha Macron për marrëdhëniet italiano-franceze. Nën qeverinë e mëparshme të Lëvizjes së Pesë Yjeve me djathtistët e Matteo Salvinit marrëdhëniet mes dy vendeve u ftohën, pasi zëvendëskryeministri, Luigi di Maioi i bëri një vizitë lëvizjes protestuese të Jelekëverdhëve. Kjo nuk u pa me sy të mirë nga qeveria në Paris.
Në bisedimet në Romë bëhet fjalë edhe për situatën në Libi. “Ne punojmë së bashku për stabilizimin e vendit”, tha kryeministri Conte, i cili më parë kishte ftuar kryeministrin libian, Fajis al-Sarradsh në Romë./dw