Që kur është larguar Angela Merkel, presidenti francez Macron ka nisur të shkëlqejë. Në rolin e tij si kryetar i Këshillit të BE-së, por edhe si kandidat për president, ai mund ta zgjojë Evropën, thotë Alexander Görlach.
Për Emanuel Macronin, viti i ri sjell një sfidë të trefishtë: Përveç detyrës së përditshme si President i Republikës, atij i duhet të bëjë fushatë për rizgjedhje dhe në të njëjtën kohë të drejtojë kryesinë franceze të Këshillit të BE-së.
Edhe përpara pandemisë së koronës, zoti Macron kishte nisur të ecte mbi akull të hollë: protestat e jelekverdhëve, të cilat e kanë mbajtur atë dhe të gjithë Francën pezull që nga viti 2018, u drejtuan kundër një rritjeje të planifikuar të taksës për benzinën, e cila do të përdorej për të financuar tranzicionin energjetik të vendit.
Triumfi për Parisin
Jo vetëm në Francë, por edhe në Gjermani, strategët e partive e dinë se tema e çmimit të benzinës mund të jetë vendimtare në zgjedhje. Për të mos i hapur vetes telashe në këtë pikë, Macron arriti një fitore vendimtare në Bruksel.
Energjia bërthamore, e cila ende përdoret me shumicë nga Franca, në të ardhmen do të konsiderohet si mbrojtëse e klimës, nëse ajo i plotëson disa standarde. Kjo do t’i sjellë lehtësim Parisit përsa i përket kostove të përfshira në tranzicionin energjetik, gjë që, nga ana tjetër, do t’i japë zotit Macron njëfarë lirie në fushatën e tij zgjedhore.
Trashëgimia e krishterë
Ekziston rreziku që njëri nga këta dy persona të arrijë në Pallatin Elysee nëpërmjet balotazhit, në rast se kampi ekstremist i krahut të djathtë bie dakord për njërin prej të dyve si kandidatin më premtues.
Pas zjarrit që shkatërroi strukturën e kupolës dhe lavdinë e Katedrales me famë botërore Notre Dame në prill 2019, Macroni u prezantua si president katolik që dëshiron të mbrojë kulturën dhe trashëgiminë e krishterë të Francës.
Megjithatë, falë Zotit, ai nuk mund dhe nuk dëshiron të vijojë me qasjen mizantropike të Zemmourit dhe Le Penit. Ai duhet të fitojë mbi qendrën e arsyeshme dhe gjithashtu të bindë njerëzit e së majtës që t’i japin votën në zgjedhje.
Bllokada e Berlinit
Të paktën në nivel evropian, Franca është aktualisht në një pozitë të fortë, jo vetëm për shkak të marrëveshjes bërthamore në Bruksel. Kjo ka të bëjë edhe me faktin se Angela Merkel, e cila i frenonte idetë e Macronit për Evropën, nuk është më në detyrë.
Është e vërtetë që ata të dy e konfirmonin vazhdimisht se sa mirë kuptoheshin për botën e jashtme. Por kjo nuk mund të fshihte faktin se, përtej kësaj simbolike, ata nuk arritën të kishin një axhendë të vërtetë të përbashkët reformash franko-gjermane për Bashkimin Evropian.
Presidenca në kohën e duhur
Kancelari i ri gjerman, Olaf Scholz, nuk duket se do të bëjë dirigjentin në Evropë. Fjalimi i tij i parë iu duk gazetarëve dhe komentuesve aq i zbehtë dhe i ngurtë, saqë ata përdorën termin “sholcomat”.
Është e vërtetë që të Gjelbërit dhe Liberalët po e shtyjnë përpara, në mos sa andej-këtej, kancelarin e tyre socialdemokrat. Por zoti Scholz, i kujdesshëm siç është, nuk do të guxojë të dalë nga strofkulla dhe të nxjerrë nga gjumi Evropën e fjetur.
Kështu që ka shumë pak gjasa, që Scholz, duke pasur parasysh partnerët e tij të koalicionit, që duan të zhvillojnë më tej Evropën, do të bëjë qëndresë ndaj ideve reformuese që vijnë nga Parisi, apo do t’i sabotojnë ato.
Në këtë vit të zgjedhjeve presidenciale, presidenti i Francës Macron, ka shanset më të mira që të sillet si President jo vetëm i francezëve, por edhe i të gjithë Evropës. Për të mirë të Evropës dhe të Francës, le të shpresojmë që do të parandalohet fitorja e së djathtës radikale./DW
Studiuesi Alexander Görlach është “Senior Fellow” në Këshillin e Etikës të Carnegie për Çështje Ndërkombëtare dhe në institutin e Universitetit të Cambridge-it për Fenë dhe Studimet Ndërkombëtare. Linguisti dhe teologu me titull shkencor ka qenë me bursë në Universitetin e Harvardit dhe universitete të tjera. Ndër të tjera ai ka qenë botues i revistës The European (2015-2019)