Presidenti francez, Emmanuel Macron përsëriti thirrjen për një zgjidhje me dy shtete për konfliktin e Lindjes së Mesme dhe për një shtet palestinez të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht, në një intervistë për gazetën “L’Orient Today”.
“Shumë qartë, zgjidhja është njohja e të drejtës legjitime të palestinezëve për të pasur një shtet dhe për të qenë në gjendje të jetojnë në paqe në një territor të pavarur dhe të njohur – ashtu si izraelitët kanë të drejtë të jetojnë në paqe në shtetin e tyre – siguria dhe ekzistenca e tyre do të njihej nga të tjerët”, tha Macron.
“Besoj se historia e kohëve të fundit është një demonstrim i tmerrshëm se e vetmja rrugëdalje nga pabarazitë e përhershme të rajonit është të pranosh se përgjigja nuk është vetëm e lidhur me sigurinë. Dhe kështu, ajo është gjithashtu politike”, theksoi ai.
Vizita e presidentit francez në Bejrut, vjen pikërisht në kohën kur udhëheqësit izraelitë po shqyrtojnë planin e armëpushimit që synon t’i japë fund luftës në Gazë.
Macron do të takohet me presidentin e sapozgjedhur, Joseph Aoun dhe kryeministrin e emëruar, Nawaf Salam.
“Javët në vazhdim do të jenë vendimtare për stabilizimin e situatës në Liban dhe formësimin e tranzicionit në Siri – pas përmbysjes muajin e kaluar të diktaturës 50-vjeçare të al-Asaad”, tha Macron.